Rezultatet dhe investimet, por mbi të gjitha pasioni për futbollin në Bulqizë, është shtuar. 

Një fushë e re, me parametra optimale, ka bërë që një brez i ri të rritet me ëndrra në një qytet ku vështirësitë janë të mëdha, ndërsa futbolli është bërë burim frymëzimi.

“Kjo fushë është shumë e mirë. Stërvitemi çdo ditë dhe kemi më shumë aktivitete,”-u shpreh një fëmijë.

“Mbasi u bë fusha e madhe e bëjmë këtu stërvitjen. Vijmë çdo ditë,”-deklaroi një tjetër.

“Jam Amir Shehu. Kam dëshirë ti ngjaj Ronaldos. Më mësime jam të gjitha 10-a,”-tha një fëmijë tjetër.

“Deri tani kam bërë 11 ndeshje. Është mirë të fitojmë, por edhe humbja është pjesë e futbollit. Kur fitojmë normal që është më mirë, por çdo gjë është pjesë e futbollit,”-deklaroi një futbollist i vogël.

Në 11 ndeshje kampionat, fëmijët e grupmoshës më të vegjël se 13 vjeç kanë fituar 8, duke udhëhequr kampionatit që zhvillohet në Tiranë.

“Fusha e madhe në Bulqizë ka bërë që shumë fëmijë të merren me futboll. Dikur nuk kanë patur mundësi fëmijët sepse ka patur vetëm një kalçeto në qytet të ri dhe s’kishte interes. Edhe pse ka patur talente në të shkuarën tani dëshira e fëmijëve që të merren me futboll është më e madhe,”-tha Geri Balla, trajner i Bulqiza U-13.

Fëmijët janë shembull frymëzimi se si sporti mund të ndërtojë karakter dhe të hapë rrugë të reja për të ardhmen. Skuadra U-13 e Bulqizës nuk është thjesht një ekip futbolli, por një simbol shprese dhe krenarie për qytetin.