Është mbyllur nata e dytë e edicionit të shtatë të Rider Legend Moto Festival në qytetin e Korçës, ku mbi 60 grupe motoristësh dhe më shumë se 3000 persona u bënë bashkë për dy net në juglindje, në paradën e motorëve dhe më pas në koncertet e zhvilluara në qytet.

“Është i shtati vit radhazi që ne po e organizojmë këtë aktivitet në qytetin tonë. Faleminderit grupeve pjesëmarrëse. Sot është nata e dytë e moto-festival. Janë mbi 3 mijë persona dhe 60 grupe motoristësh që pritet të vijnë në vendin tonë”, tha organizatori Ilja Jano.

Bardhi Spahiu nga Fieri është një ndër pjesëmarrësit në Moto Fest 2026 në Korçë. Me profesion kamionist, ai është një i apasionuar pas motorëve prej vitesh.

“Unë jam kamionist. Motori është pasion i vjetër. Jam shkëputur një periudhë, sepse kam pasur disa studimet e mua, por tani vazhdoj prapë. Marr pjesë në gara jashtë dhe brenda vendit”, tha mes të tjerash Spahiu.

Një tjetër pjesëmarrëse në këtë festival ishte edhe Anita Shahinas, e cila tregon fillesat e pasionit të saj për drejtimin e motorëve. Që në fëmijëri, e reja ka qenë në kontakt me motorin.

“Motorin unë e ngas që e vogël. Që në moshën 13 vjeç. Kam jetuar në Itali dhe andej është zakon që në moshën 13-vjeç bën patentën për motorat e vegjël. Kam pasur një Skarapeo, motori im i parë. Pastaj njohja me burrin tim, Iljazi dhe pasioni pastaj shpërtheu”, tha mes të tjerash Shahinas.

Ljubomir Jakshevski nga Maqedonia e Veriut ka udhëtuar në Korçë për të qenë për herë të parë në festivalin e dedikuar motorëve. Prej më shumë se shtatë vitesh ai drejton një motor, ndërsa atmosferën në Korçë e cilëson të veçantë.

“Është hera e parë që vijmë dhe po kalojmë shumë mirë. Korça është super. Grupi jonë është ‘Free Spirit’ prej Shkupi. Ne jemi 8 vetë, me shokët prej Kumanove, ata janë 4 vetë”, tha mes të tjerash Ljubomir Jakshevski.

Festivali i motorëve mblodhi në juglindje qindra motorristë, të cilët i ofruan publikut një spektakël të jashtëzakonshëm dhe një atmosferë shumë të këndshme.