Ngjarjet e 18 shtatorit në Elbasan sollën një sërë ndryshimet në radhët e policisë së këtij qyteti, deri në shkrirjen e Drejtorisë së Policisë dhe komandimin në krye të saj të numrit dy të Policisë së Shtetit, Altin Qato. Rreth tre muaj pas këtij vendimi të kryepolicit Haki Çako, ish-drejtuesit e Policisë së Elbasanit janë emëruar në pozicione të reja.   

Kështu, Gjergj Oshafi që mbante postin e Zëvendës Drejtorit i Policisë Elbasan, automjeti i të cilit u godit nga Audi i blinduar në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, në hyrje të tregut agro-ushqimor në Elbasan, është emëruar Specialist në Sektorin e Narkotikëve në Tiranë. Kujtim Muça, mbante postin e shefit të Rendit në Elbasan, është emëruar shef i Drejtorisë së Kufirit në Dibër.

Arben Dashi, ish-drejtor i Policisë në Elbasan, transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe emërohet drejtor i Analizës dhe Informacionit Kriminal. Në 19 tetor të 2017-ës, Drejtori i Përgjithshë i Policisë së Shtetit Haki Çako, firmosi shkrirjen e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit dhe komandimin në krye të saj të zëvendësit të tij, Altin Qato. Largimet erdhën pas incidentit të 18 shtatorit, ku u godit automjeti i zv/drejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi nga një "Audi" i blinduar.

Efektivët e policisë u akuzuan se nuk vepruan në kohë duke mosarrestuar autorin, ndërsa u desh mbërritja e forcave RENEA nga Tirana për të vënë në kontroll situatën. Pak ditë pas kësaj ngjarje u arrestua drejtuesi i "Audit" të blinduar, Enea Bekteshi, shok i Suel Çelës, djalit të biznesmenit Petrit Çela.  


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com