Nga Asambleja e PS në njësinë 3 në Tiranë, ndërsa fliste për rienergjizimin e PS dhe momentin “historik” ku ndodhet Shqipëria me hapjen e negociatave me BE, kryeministri Edi Rama ironizoi ankesat e opozitës për fitoret e qeverisë.
“Ata ku janë tani, në këtë orë që po flasim? S’janë duke fjetur gjumë se Luli po, po ata të tjerët ku janë? Janë nëpër kafe, janë nëpër shtëpi. Me siguri s’janë duke bërë takim se si do të organizohemi, por kjo s’është sot, është çdo ditë, çdo pasdite. Pastaj thonë ja patronazhistët, ju jeni patronazhistët, suksesin nuk na e fal njeri”, tha Rama pasi kishte evidentuar gjithashtu mbështetjen në rritje në 10 qarqe dhe në rënie në vetëm 2 prej tyre.
Kryeministri njoftoi edhe një program për familjet me ndihmë ekonomike që do të pajisen me një kartë për të marrë ushqimet. Karta do të mundësojë edhe paketat mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme.
“Një program që besoj do ta fusim shpejt është një program që do të na sigurojë që duke filluar nga familjet me ndihmë ekonomike t’i pajisim me një kartë që ta përdorin për të marrë ushqimet në çdo vend që ka kasë dhe garantojmë që gjithë ç’paguan shteti për ndihmë ekonomike, shkon për ndihmë ekonomike. Ky është hapi dhe kategoria e parë sepse pastaj do të kemi mundësi që nëse duhet bërë një paketë mbrojtëse, mund t’ua japim te karta. Me këtë do të bëjmë mbështetjen për punonjësit e policisë, ushtarakët etj”, tha Rama.
Drejtuesja politike Ogerta Manastirliu, tha se në këtë “njësi kampione” për rezultatin, ‘armë’ e fortë është përfaqësimi nga gratë.
Ajo njoftoi edhe drejtueset e dy blloqeve, përkatësisht Iris Luarasi dhe Klotilda Ferhati.
Fokusi i kësaj faze rienergjizimi mbetet riorganizimi dhe fuqizimi i strukturave të Partisë Socialiste, me fokus të veçantë te përfshirja dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.
Gjatë bashkëbisedimit me njësinë nr. 3, kryeministri Rama evidentoi pjesëmarrjen e lartë të grave, 53% si faktor që ka ndikuar në rritjen e rezultatit në zgjedhje. Me një batutë, ai tha se në Dibër iu hodhën në fyt kur i quajti burrat “çyrykë”, por arsyeja e të qenit fare pranë fitores së katër mandateve (PS fitoi 3) në atë qark, ishin gratë.
“Në këtë njësi, unë mendoj që arsyeja kryesore, me gjithë respektin për gjithë burrat këtu - po edhe po u mërzitën burrat, le të mërziten, se dhe unë burrë jam, kështu që e ndajmë mërzinë bashkë -arsyeja kryesore e rezultatit me rritje është fakti që këtu janë 53% gra. E patë Dibrën? M’u hodhën në fyt të gjithë ata: ‘Si i thua ti çyryk burrave të Dibrës? Po ta tregojnë ty burrat e Dibrës!’ Dibra u bë si me qenë Vlora. Nuk e di, për pak vota, nuk e di ekzaktësisht sa, por mund të merrnim mandatin e katërt. Pse? Sepse burrat, shumica, shkuan mbrapa grave”, tha Rama.
Komente












Qeveria Rama 4 duke pare dhe situaten gjeopolitike duhet nga 1 janar 2027 te beje me ligj pensionin minimal 300€ neto per cdo qytetar republikes shqiperise ! Po ashtu te behet edhe nje analize per mundesine per page minimale 55,000 Lek muaj nga viti 2027 janar ! Kjo i jep nje rritje fuqia e blerese dhe zbut efektet e luftes ne Hormuz
Përgjigju