Rikonstruksioni i plotë i gjimnazit të Hasit kërkohet të pasohet nga një tjetër investim në fushën e arsimit në këtë zonë. Për rijetëzimin e konviktiti të Krumës bashkia e Hasit ka kthyer sërish sytë nga qeveria. Për kryebashkiakun Miftar Dauti ish-konvikti që mban emrin “Kosova” kërkon 650 mijë euro për t’u rikthyer në funksionin e tij të fundit si muze.

“Të gjitha vlerat e hasjanëve kanë qenë të trashëguara. Është rreth 65 milionë lekë të reja si kosto e ndërtimit, duke ruajtur gjithë arkitekturën e vjetër të muzeut”, thotë Dauti.

Zjarri që përfshiu godinën në vitin 2020 nuk la asgjë pas veç mureve, teksa bashkia thotë se për gjetjen e orendive dhe materialeve të tjera muzeale do të bashkëpunohet dhe me komunitetin e zonës.

“Nëpërmjet komunitetit, kontribuojnë me gjërat e vjetra që kanë nëpër shtëpi që pas rikonstruksionit, të pajisim muzeun”, shton Dauti.

Restaurimi i kësaj godine veç funksionit të saj ka vlera të veçanta për Krumën dhe jo vetëm.

“Internati Kosova” siç e njohin vendasit, u hap për herë të parë më 12 tetor 1922 duke shërbyer për nxënësit nga Kosova, Hasi, Luma dhe Malësia e Gjakovës. Në këtë institucion kanë studiuar figura të rëndësishme të historisë këndej e matanë kufirit.

Në vitin 1973, Qeveria e Shqipërisë e shpalli konviktin “Kosova” objekt me rëndësi të veçantë, si pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, për shkak të rolit të tij të veçantë në arsimimin e brezave të rinj nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë.