Pallati i ri i sporteve ‘Asllan Rusi’ do të jetë në formën e një topi basketbolli, ku brenda tij përveç aktiviteteve sportive do të ketë edhe hotel, restorante, hapësira të gjelbra dhe ambiente të tjera argëtimi. 

Midis 6 projekt-ideve arkitekturore të prezantuara përpara një jurie ndërkombëtare, u shpall fituese studioi holandeze MVRDV (në bashkëpunim me disa kompani të tjera Likado BV,  Albanian Capital Group sh.p., BCN Investements BV,  Trema Tech sh.p.k), e cila ka bërë edhe projektin e ndërtesës me pamjen e Skënderbeut në Tiranë.

Skuadrat pjesëmarrëse ishin nga Franca, Portugalia, Zvicra dhe Kanadaja.

‘Tek ekipi çek juria vlerësoi integrimin e fasadës ekzistuese dhe kopshtit në tarracë tek projekti. Tirana është qytet i artitekturës, por të qenit qyteti i sportit është një bonus. Tek një ekip tjetër ishte zgjedhur një projekt shumë inteligjentë me dy trekëndësha me një rreth dhe hapësirat publike janë të mirëorganizuara. Ekipi i fundi kishte një projekt të organizuar dhe i kushtonte vëmendje edhe lagjes dhe pjesa e parkut ishte e mirëpritur por nuk ishte lidhur mirë me rrugën. Parku në kullë është shumë i nevojshëm në Tiranë. Juria ka renditur 5 nga 6 ekipet, na u desh kohë për të rënë dakord. Ekipi fitues shpallet MVRDV’, tha prezantuesi i këtij aktiviteti.  

Projekti për pallatin e ri të sporteve ‘Asllan Rusi’ është konceptuar në formën e një topi që do të jetë i hapur për publikun, brenda tij përveç terreneve sportive dhe stërvitore do të ketë hapësira argëtuese për qytetarët, dyqane, kafene, restorante dhe hotel. Pallati i sotëm është ndërtuar që në vitin 1962 dhe ka kapacitet prej 4000 vendesh në të cilën zhvillohen aktivitete te larmishme sportive.

Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës përmes rikonstruksionit dhe modernizimit të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, duke e transformuar atë në një hapësirë multifunksionale që përmbush standardet bashkëkohore për aktivitete sportive dhe evente publike, me një sipërfaqe totale që do të zhvillohet nga investitori privat prej 118,000 m² .