Qeveria ka hapur një konkurs ndërkombëtar për projektimin e rindërtimit të Pallatit të Sporteve ‘Asllan Rusi’. Në ambientet e pallatit të sporteve sot është organizuar dhe një konferencë me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, së bashku me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Kryeministri Rama u shpreh se Pallati i Sporteve ‘Asllan Rusi’ meriton sot një vëmendje të shtuar me qëllim rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm dhe gjithashtu shpirtin e garës.
“Jemi në një tjetër konkurs ndërkombëtar për një tjetër ide të kahershme dhe projekt ambicioz. Pallati i Sporteve qenë një pikë referimi në një histori të gjatë përpjekjesh sportive që sot në një kohë të re meriton një formë të re, një forcë të re dhe një vëmendje të re. Unë besoj se skuadrat finaliste të këtij konkursi do të vanë përsëri në pozitë të vështirë për të përzgjedhur projektin më të mirë sepse janë të gjitha skuadra me talente të jashtëzakonshme dhe me kapacitet të provuara në shumë vende të tjera. Janë skuadra e cila një pjesë punon dhe në Shqipëri.
Dua të shpreh njëkohësisht që në sallë shoh disa nga protagonistë te mëdhenj të kohës kur pallati i sporteve gëlonte nga kompeticioni, nga shpirti i garës, nga tifozët dhe kam shumë besim që me këtë projekt do t’i rikthejmë ata dhe pikërisht atë frymë dhe energji të pazëvendësueshme të hapësirës së ‘Asllan Rusit’. Jam shpresëplotë se e gjithë kjo lëvizje e re sportive që kemi krijuar në të gjitha shkollat me pjesëmarrjen e mbi 12 fëmijëve nën kujdesin e komitetit olimpik shqiptar. Do të furnizojë këtë pallat sporti me prurje dhe talente të reja”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se në bazë të projekteve të reja, Shqipëria sot synon të hapë dyret për zhvillimin e kompeticioneve ndërkombëtare i në futboll, ashtu dhe në basketboll e volejboll.
“Shqipëria sot është në kohën synon shumë lart dhe në aspektin e pjesëmarrjes së kompeticioneve ndërkombëtare. Zhvillimi i finales së konferencë ligës në futboll ishte një kulminacion. Synimi për të luajtur në Shqipëri finalet e kupës së kampionëve të Evropës dhe në basketboll dhe volejboll, nuk është i paarritshëm”, tha Rama.
Ndër të tjera, ministri Gonxhja u shpreh se rindërtimi i Pallatit të Sportit është rikthim i dinjitetit dhe një formë për të respektuar trashëgiminë sportive shqiptare. Blendi Gonxhja tha se qeveria tashmë synon të modernizojë infrastrukturën sportive në çdo nivel dhe të kthejë sportin në prioritet të zhvillimit kombëtar, si nevojë dhe jo luks.
Komente










