Rikandidimi/ Veliaj: Nëse bashkëpunojmë, edhe 4 vitet e tjera do jenë histori suksesi

Tirana është ftuar në Forumin e Mjedisit të Qyteteve Evropiane si një nga modelet më të mira në avancimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Xhenovës në Itali, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së kryebashkiakëve për objektivat e 2030, si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira midis qyteteve për adresimin e sfidave të shumta që lidhen me ndryshimet klimaterike.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Tirana është një nga qytetet model, i cili brenda një kohe të shkurtër ka avancuar në çështjet e mjedisit, si mbjellja e pemëve, transformimi i transportit publik etj. “Së pari, jam shumë krenar për Tiranën, për atë që kemi arritur sot: të qenit një nga qytetet model, i cili në një kohë shumë të shkurtër ka bërë përparimin më të madh kur vjen puna për mbjelljen e pemëve, krijimin e korsive të biçikletave, vendosjen e biçikletave të përdorshme nga të gjithë, testimin e autobusëve elektrikë që po i fusim si flotë këtë vit, apo shumë prej ndërtesave, të cilat i kemi veshur me kapotë, për të ulur shpenzimet e energjisë”, tha Veliaj. 

Ai nënvizoi se arritja e rezultateve të tilla që vlerësohen në të gjithë Europën është meritë e qytetarëve. Veliaj shtoi se ky është treguesi më i mirë se kur të gjithë punojnë bashkë, mund të lihen mënjanë sherret dhe të vendoset fokusi në projekte që rrisin cilësinë e jetës. “Në kaq pak kohë të arrish kaq shumë dhe të vlerësohesh në të gjithë Europën është e gjithë merita e qytetarëve të Tiranës. Do të thotë se kur punojmë bashkë mund të ndryshojmë mentalitetin, mund ta lëmë histerinë mënjanë, të lëmë sherret me njëri-tjetrin dhe të fokusohemi në projekte që realisht rritin cilësinë e jetës”, deklaroi ai.

Veliaj shprehu bindjen se përtej bindjeve të majta apo të djathta, sot ndryshimet që ka pësuar Tirana janë të dukshme. Ai siguroi se nëse të gjithë do të bashkëpunojnë si një familje, edhe katër vitet e ardhshme do të jenë një histori tjetër suksesi. “Nuk ka rëndësi çfarë bindjesh kemi, të majta ose të djathta, një gjë sot është e sigurt: me sheshin “Skënderbej”, me Pazarin e Ri, me korsitë e biçikletave, me çerdhet, kopshtet dhe shkollat e reja, Tirana është më e mirë.  Nëse të gjithë bashkë, si një familje, bashkëpunojmë kështu edhe në katër vitet e tjera, sigurisht që edhe ato do të jenë një histori suksesi”, deklaroi Veliaj, i cili rikandidon në zgjedhjet e 30 qershorit për një mandat të dytë. 

Forumi i Mjedisit të qyteteve evropiane në Xhenova bëri bashkë politikanë dhe kryebashkiakë nga e gjithë Europa për të diskutuar dhe ndarë njohuritë e praktikat e mira për çështjet mjedisore. Sot ky forum mbledh më shumë se 8,800 përfaqësues nga autoritetet lokale dhe rajonale nga 57 vende të ndryshme.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm