Burgu i Fushë Krujës do të rikonstruktohet dhe për këtë arsye, prej ditës së premten ka nisur transferimi i të dënuarve drejt institucione të tjera të vuajtjes së dënimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron, se janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 në Burgun e Peqinit dhe 57 në Durrës.

Sipas drejtorisë, nën masa të shtuara sigurie nga polica e Elbasanit dhe Tiranë, dy autokolonat me të dënuarit kanë bërë pa probleme transportimin. Në Peqin dhe Durrës të burgosurve u janë ribërë kontrollet dhe më pas janë sistemuar në qelitë e planifikuara për të vijuar kryerjen e dënimit.

Njoftimi

Në zbatim të Planit të Masave nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe për shkak të rikonstruksionit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë-Krujë, ka nisur procesi i transferimit të të dënuarve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Konkretisht, janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 për në IEVP Peqin dhe 57 për në IEVP Durrës. Për realizimin e këtij procesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operacionale, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Gjithashtu, për lëvizjen janë njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, si dhe komisariatet përkatëse, në përputhje me itinerarin e përcaktuar.

Autokolona me 57 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Durrës, ku nga ana e institucionit janë marrë masat e plota për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e tyre, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Po ashtu, autokolona me 85 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Peqin, ku janë zbatuar të gjitha procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e të burgosurve, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, të sigurt dhe në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi.