MEMALIAJ- Rruga kryesore e njësisë administrative Luftinjë në Bashkinë Memaliaj, që të çon drejt fshatit Izvor është rikonstruktuar plotësisht, investim i cili kushtoi rreth 100 milionë lekë, të investuara përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Në një takim me banorë dhe fermerë të Luftinjës, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi tha se rikonstruksioni i këtij aksi është një premtim i mbajtur dhe një investim që i vlen të gjithë kësaj zone, e cila ka të zhvilluar kryesisht blegtorinë, vreshtarinë dhe mbledhjen e bimëve medicinale.
“Nuk kam dashur të vij pa mbajtur fjalën. Kemi qenë këtu kur premtuam rrugën, bëmë dhe një takim me Kryeministrin. Ai e ‘vulosi’ premtimin për rrugën deri në Izvor. Sot jemi rikthyer me një premtim të mbajtur dhe besoj se lezetin e kësaj rruge më shumë se askush po e ndjeni ju. E kuptoni vetë se çfarë torture keni hequr për vite me radhë për të komunikuar me Memaliajn dhe më gjerë. Nëse më parë duhej rreth një orë nga nga kthesa e Luftinjës deri në Izvor, sot e bën për rreth 15 minuta”, tha ministri Çuçi.
Punimet për rrugën e re të Izvorit, përfunduan në verë të këtij viti. Për më shumë se 30 vjet nuk ishte kryer asnjë ndërhyrje në këtë aks të rëndësishëm për rreth 37 fshatra të njësisë administrative Luftinjë.