Moti i keq i shoqëruar me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta është rikthyer në disa zona të vendit. Dibra dhe Kukësi janë zgjuar mëngjesin e sotëm me reshje intensive. Report Tv mëson se dëbora ka shkaktuar edhe problemet e para në Qarkun e Dibrës. Në zonat rurale Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Sllovë, Trebisht, Ostren, dhe disa fshatra të Martaneshit, trashësia e dëborës ka arritur deri në 15 cm. Reportohet edhe për disa fshatra të bllokuara në Qarkun e Dibrës.
Sa i takon akseve rrugore, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës së fundit. Disa rrugë nëpër qarqe të ndryshme të vendit janë të izoluara nga dëbora, ku problematika paraqitet situata kryesisht në zonën Veriore të vendit. Aksi rrugor rural Shkodër-Bregu i Lumit është ende i bllokuar në Malin e Shoshit, ku ka rreth 70 cm dëborë. Drisht-Shllak vazhdon të jetë i bllokuar. Në Dibër akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme pa probleme, përveç aksit rrugor Ura e Çerenecit-Steblevë, ku në segmentin Klenjë-Steblevë ka pasur vështirësi nga ngrica.
Ministria e Mbrojtjes ka pasqyruar situatën e fundit me akset rrugore në të gjithë vendin pas rikthimit të reshjeve të dëborës mëngjesin e sotëm. Veriu dhe verilindja e vendit janë mbuluar nga bora, ndërsa problematike paraqitet situata në zonat rurale ku janë konstatuar probleme për shkak të bllokimit të rrugëve (Lexo të plotë).