TIRANË- Ideja e hedhjes së satelitëve 'Albania 1' dhe 'Albania 2' në orbitë ka nisur të marrë jetë. Pasi tenderi i parë u anulua në muajin qershor për shkak se nuk kishte ofertë, tashmë është bërë me dije se ka një fitues për monitorimin satelitor të territorit. Agjencia e Prokurimeve Publike njoftoi se është shpallur fituesi për procedurën, “Realizimi i projektit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar (shërbimi satelitor)” për një periudhë 3 (tre) vjeçare të organizuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Fituese e këtij tenderi ka rezultuar amerikane “Satellogic USA” Inc dhe mësohet se shtetit shqiptar do t’i kushtojnë 6 milionë dollarë, ose 671 760 000 lekë, për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh. Kompania fituese duhet të paraqitet pranë institucionit kontraktues, brenda afatit ligjor.

“Me publikimin e këtij njoftimi, jeni i lutur të paraqiteni pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Sipas parashikimeve ligjore dhe brenda 5 dite nga kërkesa e Autoritetit Kontraktor. Në rast se nuk dorëzon sigurimin e kontratës brenda afatit përfundimtar, të përcaktuar në njoftimin e fituesit, atëherë autoriteti kontraktor do të konfiskoj sigurimin e ofertës dhe do të lidh kontratën me ofertuesin e renditur i dytë në klasifikimin përfundimtar, sipas parashikimeve në nenin 18 paragrafi 3, të Rr PFMS”, thuhet në njoftimin e shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik. 

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” duhet të ishin ngritur në mars dhe qershor, por kjo nuk u arrit. Satelitët dhe dronët inteligjentë do të shërbejnë për të patur kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e vendit dhe jo për ofensiva ushtarake apo për kërkime në Mars, por do të shpërbejnë për çështje civile të vendit.

Njoftimi i Agjencisë së Prokurimeve Publike