TIRANË-Në muajin mars Shqipëria do t'i bashkohet vendeve që kanë një 'sy' në hapësirë. Pritet të lëshohet sateliti 'Albania 1'. Lajm e ka dhënë Kryeministri Rama teksa ka postuar një video të një bisede me një ekspert të kompanisë SPACE X, për mënyrën se si do të bëhet lëshimi i satelitit. 

Biseda e Ramës me ekspertin e kompanisë SPACE X

Rama: Pra jemi këtu.
-Po, ky është lëshimi i Spacex Falcon 9, që u bë në qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë.
Rama: Domethënë, Albania 1 kur do të jetë gati? Në mars?
-Po, në mars do të lëshohet. Do duket kështu si kjo. Do të filmojmë një video dhe gjëja tjetër që do të shohim pas shkëputjes do të jetë vendosja e satelitit në orbitë.
Rama: Po Albania 2? Në qershor...
-Saktë...
Rama: Super
-Kjo është pamje e orbitës ku do lëshohen
Rama: Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë.
-Po, zotëri

Kryeministri Edi Rama habiti jo pak disa ditë më parë kur deklaroi ambicien që Shqipëria të ketë dy satelitë në orbitë, ndërsa një ditë më pas ka theksuar edhe njëherë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt. Për mediat, pas përfundimit të mbledhjes me Kryesinë e PS, Rama theksoi se satelitët dhe dronët inteligjentë do të ndihmojnë për të patur kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e vendit. Ai u shpreh  se Shqipëria nuk do të dërgojë satelitë në orbitë për ofensiva ushtarake apo për kërkime në Mars, teksa shtoi se do të shpërbejnë për çështje civile të vendit, duke përmendur edhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ambicien për të patur dy satelitë në orbitë 'Albania1' dh e'Albania2', Rama e bëri me dije në Kuvend, duke shkaktuar edhe të qeshura në radhët e opozitës.

Basha reagoi me ironi duke thënë se kjo është taktikë për të ruajtur statuskuojë.

"Ti lideri global i satelitëve ku njerëzit nuk paguajnë dot 2 patate dhe  qepë. Kjo është statuskuoja që ju doni të flisni për satelitë kur njerëzit vuajnë", tha Basha.

Satelitët artificialë janë pajisje të cilat shërbejnë për transferim të të dhënave anembanë rruzullit tokësor. Satelitët artificialë janë objekte të ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura në orbitë nga largësia 2.000 deri në 35.000 km nga sipërfaqja e Tokës. Në orbitë ata rrotullohen rreth tokës.

Sateliti i parë i dërguar në orbitë ishte Sputnik 1 në 4 tetor 1957. Pas tij u dërguan dhe shumë satelitë të tjerë. Sot në orbitë ndodhen rreth 4000 satelitë të dërguar nga njeriu. Pasi e mbarojnë misionin e tyre ata fillojnë të zvogëlojnë lartësinë duke u futur në atmosferën e tokës dhe duke u shpërbërë, por ka dhe raste kur ata arrijnë deri në sipërfaqen e tokës, këto hyrje në atmosferën e tokës shpesh herë janë të kontrolluara nga njeriu, i cili komandon momentin në të cilin sateliti do të “bjerë”. Më pak se 10 % e satelitëve që rrotullohen në orbitën e tokës janë funksionalë, të tjerët janë mbeturina që enden në orbitë. Masat e këtyre satelitëve variojnë nga disa ton deri në disa kg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Shqipëria me satelitë në hapësirë, a do të jetë Turqia dhe bashkëpunimi i saj me SPACE X 'kumbari' i lëshimit dhe menaxhimit?

Në mars dhe në qershor Shqipëria do të lëshojë 2 'sytë' e saj në hapësirë dhe do t'i bashkohet vendeve që kanë një satelitë në orbitën e tokës. Nga Qeveria shqiptare sot është bërë e ditur se 'Albania' dhe 'Albania 2' do të lëshohen nga kompania SPACE X e miliarderit Elon Musk.

Por ende nuk ka asnjë detaj se si do të procedohet më tej.

Si do të funksionojnë satelitët shqiptarë në orbitë, cilat janë piketat e kontrollit të territorit? Pra, çfarë do kontrollojnë? A do të jenë satelitë që do të punojnë të pavarur, për kontroll të përgjithshëm të territorit shqiptar, apo të fokusuar vetëm në lidhje me dronët Bayraktar që Shqipëria nga marrë nga Turqia dhe menaxhimin e të dhënave që marrin nga dronët? Sa kushton marrja e këtyre 2 satelitëve, pra cila është marrëdhënia e SPACEX me Shqipërinë?

Kush do të menaxhoje të dhënat që marrin satelitët? A do të ngrihet një infrastrukture e tillë në Shqipëri për kontrollin e të dhënave? Apo ndoshta do të ketë një bashkëpunim me qeverinë turke, duke qenë se Turqia ka një bashkëpunim të ngushtë me SPACEX.

Një variant shumë i mundshëm është përmes Turqisë. Mazhoranca socialiste prej 8 vitesh ka 'përfituar' shumë nga bashkëpunimi dhe marrëdhenia shumë e ngushtë e Ramës me Erdoganin edhe për projekte të tjera madhore në këtë drejtim ai me 'Air Albania'. Dhe mund të jetë pikërisht Turqia ajo që do ta ndihmojë Shqipërinë që të çajë akullin në garën e kombeve për 'pushtimin' e hapësirës nga ana e njeriut.

Turqia ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe me kompaninë SPACE X. Turqia e ka krijuar agjencinë e saj Turksat në vitin 2018.

Në janar të vitit 2021 Erdogan dhe CEO i Tesla-s, Elon Musk, diskutuan rreth bashkëpunimit të ardhshëm për ndërmarrjet e përbashkëta lidhur me teknologjinë hapësinore. Në të njëjtin muaj, Turqia lëshoi satelitin e saj Turksat 5A, në orbitë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në bashkëpunim me SpaceX.

“Këmbët tona do të jenë në tokë por sytë tanë do të jenë në hapësirë. Rrënjët tona do të jenë në tokë, degët tona do të jenë lart në qiell”, u shpreh atëherë Erdogan.

Sipas informacioneve Turqia ka tre satelitë komunikimi, përkatësisht Turksat 3A, Turksat 4A, Turksat 4B, gjithashtu ka tre satelitë vëzhgues-Gokturk-1, Gokturk-2 dhe Rasat. Numri i satelitëve aktivë të Turqisë në hapësirë shkoi në shtatë kur Turksat 5A të vendoset në orbitë.

Sateliti i parë i komunikimit i Turqisë, Turksat 1A u lëshua në orbitë më 24 janar 1994, por ai ra në oqean 12 minuta pas ngritjes për shkak të mosfunksionimit të lëshuesit dhe misioni dështoi. Duke ruajtur investimet në teknologjinë satelitore, Turqia zuri vendin e saj në hapësirë ​​në gusht 1994 me satelitin Turksat 1B.