Makthi i zjarreve është rikthyer në Greqinë fqinje ku flakët po kërcënojnë disa fshatra në rajonin verilindor të Aleksandorpolis.
Mediat raportojnë se zjarret që kanë përfshirë zona pyjore, kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të temperaturave të larta, erërave të fortave dhe thatësirës që po zgjat me javë të tëra.
Autoritetet vendore konfirmuan se si pasojë e zjarrit që shpërtheu të shtunën janë dëmtuar shumë shtëpi dhe toka bujqësore, ndërkohë 8 fshatra në afërsi të qytetit janë evakuuar. Ndërsa banorëve në fshatrat e tjerë më të largët në Aleksandropulos u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë mbyllur dritaret për shkak të tymit masiv.
Për vënien nën kontroll të flakëve janë angazhuar dhjetëra zjarrfikës nga toka si dhe aeroplanë dhe helikopterë.
Gjatë së shtunës në të gjithë Greqinë u raportua për 46 zjarre, por shkaqet nuk janë bërë të ditur. Ndërkohë përmes një harte, shërbimi civil i Greqisë ngriti alramin për zonat më të rrezikuara nga zjarret në një kohë që temperaturat shënojnë 39 gradë Celsius.