Në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar projektkalendari tre javor i punimeve për periudhën 3-21 shtator.

Sipas kalendarit, më datë 13 shtator në Kuvend do të rikthehet për rishqyrtim ligji për “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar". Për diskutime do të mblidhet edhe Komisioni përkatës ai për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtine dhe Mjedisin.  

Ligji për Teatrin Kombëtar, u kthye në Kuvend për rishqyrtim nga presidenti Ilir Meta. Sipas Presidentit, ligji shkel parimet e barazisë dhe nuk është në harmoni me parimet kushtetuese. Ligji cënon parimet e Konventës evropiane të trashëgimisë kulturore, thuhet mes të tjerave në njoftim.

Presidenti Meta ka renditur 9 pika sipas të cilave, projektligji për teatrin duhet rishqyrtuar në parlament duke ngritur si shqetësim edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese.