LEZHË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta si dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto përuruan të dielën linjën e e tragetit, ndërsa e konsideruan atë si një portë mjaft të rëndësishme për veriun.
 
Në këtë port, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka investuar për ndërtimin e hyrjes së re të Portit dhe zyrave të sigurisë rreth 26 milionë lekë, investim ky prej të ardhurave të buxhetit të shtetit.

“Inaugurimi i vendosjes së linjës së re, event shumë i rëndësishëm për këtë rajon. Shpreh besimin tim se ky investim është vetëm fillimi për transformimin e rëndësisë së këtij porti. Ky port do i shërbejë më mirë këtij rajoni dhe bashkisë së re të Lezhës. Porti i Shëngjinit mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.”- tha Meta.
 
Ky port, sipas ministrit Haxhinasto, ka një kapacitet prej 1 mijë tonësh. Në Shëngjin së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i Portit të Jahteve, një investim ky austriako-slloven.

“Investimet në Portin e Shëngjinit e kanë bërë më funksional. Ky port shumë i rëndësishëm jo vetëm në veriun e vendit, por në gjithë kapacitetet tona portuale. Kapacitete deri ne 1 mijë ton mallra në vit.”- tha Haxhinasto.

Brenda këtij sezoni turistik synohet të vihet në funksion dhe linja e pasagjerëve Bari-Shëngjin, çka do ta kthejë Shëngjinin në një port të rëndësishëm, jo vetëm për mallrat por edhe për pasagjerët e gjithçka tjetër.
 
I pranishëm në këtë eveniment ka qenë edhe kandidati i së majtës për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj.

“Këto investime tregojnë rrugën e duhur për rritjen e perspektives. Këto investime cilësore tërheqin vëmendjen e investitorëve të rëndësishëm.”- u shpreh Tushaj.

 Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)