Rreth 220 filma të prodhuar prej vitit 2012 e deri më sot do të jenë pjesë e programit të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, i cili do të çelet mbrëmjen e 3 shtatorit në Tiranë dhe do të vijojë deri më 12 shtator. Pjesë e festivalit do të jenë veprat më përfaqësuese në kategoritë e filmit të gjatë, të shkurtër, dokumentarit dhe animacionit.

“Janë bërë gati 14 vjet që audienca shqiptare nuk shikon një film shqiptar, përpos premierave që organizohen herë pas here. Ishte një lloj detyrimi që ne kishim, qoftë për kineastët shqiptarë t’i ballafaqonim me publikun, qoftë edhe që publiku të marrë një shije të asaj çka ne prodhojmë.”, tha Ilir Butka, drejtor artistik i festivalit.

Një nga risitë e këtij edicioni është mënyra e vlerësimit. Çmimet do të përcaktohen përmes tre sistemeve: Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut. Çdo regjisor do të përzgjedhë vetëm një film për konkurrimin zyrtar, ndërsa Akademia dhe publiku do të kenë mundësi të vlerësojnë të gjitha veprat konkurruese.

“Ardhja e publikut në sallë pas kaq shumë vitesh do të ishte pa diskutim objektivi dhe suksesi i vërtetë i festivalit. Po të kthehej publiku, do të ishte një fitore e madhe. Po të kthehej publiku i ri, do të ishte akoma më e madhe.”, vijon Butka.

Festivali do të çelet me nderimin e kolosëve të kinemasë shqiptare, ndërsa do të ndajë çmime karriere për 15 figura të filmit tonë.

Më pas, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë filmin “Liqeni im” të Gjergj Xhuvanit.

Ndërkohë, për t’u përmendur janë edhe shfaqjet e disa filmave, të cilët vijnë si premierë për publikun shqiptar, siç është filmi “Burri i shtëpisë” nga Andamion Murataj, që do të shfaqet më 4 shtator në orën 19:00 në sallën e madhe të Universitetit të Arteve e që premierën e vet botërore e ka pasur në Festivalin e Sarajevës, filmi “Edeni i mohuar” nga Genc Përmeti apo dokumentari “Film di Stato” nga Roland Sejko.

Shfaqjet e filmave do të bëhen në katër salla: salla e madhe e Universitetit të Arteve, salla “Black Box” në Universitetin e Arteve, në kinema “Agimi” dhe te Piramida.

Festivali synon të jetë më shumë se një seri shfaqjesh. Përgjatë ditëve do të organizohen takime dhe aktivitete me regjisorë, skenaristë, aktorë, producentë dhe profesionistë të tjerë të kinematografisë, duke krijuar hapësira për komunikim mes kineastëve dhe publikut.

“Duhet të krijohet një klimë bashkëpunimi, komunikimi, në mënyrë që të krijojmë edhe këtë komunitet. Nëse krijojmë komunitet, ne do të arrijmë të kapërcejmë edhe probleme dhe vështirësi.”

Pas një shkëputjeje të gjatë, festivali synon të rikthejë jo vetëm filmat shqiptarë në ekran, por edhe një të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme mes kineastëve dhe publikut.