Champions League rikthehet mbrëmjen e së martës me nëntë ndeshjet e para për turin e tretë. Gjithçka nis në orën 18:45 me dy duele. Në "San Siro" Milani pret Club Brugge, me italianët që e kanë detyrim fitoren pasi kanë dy humbje (Liverpool, Leverkusen) në përballjet e para. Në Principatë, Monaco pret serbët e Crvena zvezdas.
Spektakli vijon në orën 21:00, aty ku Arsenal luan me Shakhtar, Aston Villa kundër Bolognas dhe PSG-PSV. Në Torino, Juventusi kërkon të tretën fitore pasi pret në shtëpi Stuttgartin.
Emocionuese në "Bernabeu" ku përsëritet finalja e sezonit të shkuar mes Real Madrid dhe Dortmund. Sturm Graz përballet me Sporting, ndërsa Girona luan me Slovan Bratislavën.
Champions League, raundi i tretë - E martë, 22.10.2024
18:45
Milan - Club Brugge
Monaco - Crvena zvezda
21:00
Arsenal - Shakhtar Donetsk
Aston Villa - Bologna
Girona - Slovan Bratislava
Juventus - Stuttgart
PSG - PSV
Real Madrid - Dortmund
Sturm Graz - Sporting
Renditja:
Real Madrid pret sot në 21:00 në ‘Bernabeu’ Borussia Dortmundin për duelin e tretë në Champions League. Dy finalistët e sezonit të kaluar kanë çështje hapur, me madrilenët që janë kampionët në fuqi.
Në prag të sfidës, trajneri i Real Madridi, Carlo Ancelotti e prezantoi kështu ndeshjen në konferencën për shtyp.
“Borussia ka ndryshuar, para së gjithash ka një trajner të ri, por edhe disa lojtarë. Ruajnë të njëjtën ide për futbollin, i cili funksionon mirë dhe ka potencial të madh. Ata janë një ekip intensiv, që luajnë mirë dhe me cilësi individuale dhe kolektive.
Është një kundërshtar sfidues, ka luajtur edhe në finale kundër nesh. Ne nuk jemi 100%, ne duhet të përmirësojmë lojën tonë. Pak nga pak do ta bëjmë”, tha italiani.
Juventus luan këtë të martë kundër Stuttgart në Champions League, sfidë që nis në orën 21:00. Fitorja ndaj Lazios tashmë është harruar për Juventusin, pasi ata po përgatiten për ndeshjen e radhës duke llogaritur dhe një sërë rikthimesh.
Nga Francisco Conceiçao te Weston McKennie, Thiago Motta do të jetë në gjendje të përfitojë nga disa prej lojtarëve më të pritur me synimin për të mbetur me pikë të plota në Evropë.
Trajneri Thiago Motta, deklaroi se skuadra e tij është gati për ndeshjen në raundin e tretë në Champions.
“Kushdo që do të luajë në fushë, do të japë 200% nga vetja. Për Interin do të mendojmë vetëm pas kësaj ndeshje. Stuttgart ka vënë në vështirësi ekipe të mëdha si Bayern Munich dhe Reali i Madridit.
Luajnë futboll shumë të mirë, por ne jemi gati për t’iu hapur probleme. Me fitoren ndaj Leipzig kam përjetuar një moment shumë të bukur. U përballëm me vështirësinë të bashkuar. Morëm një fitore të merituar. Megjithatë çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ne jemi të fokusuar vetëm te përballja ndaj Stuttgart”, deklaroi Motta.
Milani i këtij sezoni në Champions League ka pësuar dy humbje në tre ndeshjet e para. Kuqezinjtë kanë zero pikë në tabelën e përgjithshme, kjo pas humbjeve kundër Liverpool dhe Bayer Leverkusen.
Këtë të martë në orën 18:45 Milan pret në shtëpi belgët e Club Brugge dhe trajneri Paolo Fonseca e sheh si sfidë shumë të rëndësishme.
‘’Kjo nuk do të jetë një ndeshje vendimtare, por një ndeshje e rëndësishme për t'u fituar. Ne duhet të jemi më pak shenjtorë, por ata që jemi: Djaj!".
Më pas trajneri flet edhe për formacionin.
“Do të luajnë Maignan, Emerson, Gabbia, Tomori, Theo, Fofana, Loftus, Reijnders, Leao, Pulisic dhe Morata”.
Rritja e skuadrës pas humbjeve në Champions League - "Është ajo që ne duam. Është një kompeticion ndryshe që e nisëm kundër dy skuadrave më të forta në Evropë. Ishin dy ndeshje të ndryshme. Kishim vështirësi kundër Liverpoolit, por kundër Leverkusenit ishte një ndeshje cilësore.
“Nuk fituam, është e vërtetë, por ne treguam shenja rritjeje. Përballemi me Brugge dhe duhet të vazhdojmë të rritemi dhe duhet të fitojmë për të vazhduar në këtë garë”, tha portugezi.
Këtë të martë në orën 21:00 do të luhet sfida Real Madrid - Borussia Dortmund, e vlefshme për raundin e tretë në Champions League. Përballë vihen dy finalistët e edicionit të kaluar, që u fitua nga madrilenët. Te gjermanët duan një lloj hakmarrje dhe për këtë arsye fokusi te kjo përballje ka qenë maksimal.
Trajneri Nuri Sahin i Dortmund, ka vendosur ta zhvillojë stërvitjen e fundit në tokën gjermane, për shkak se i frikësohet spiunëve në “Bernabeu”. Këtë e raporton “Bild”, e cila thekson se Sahin nuk dëshiron të rrezikojë ndonjë rrjedhje të planeve të tij te kundërshtari në prag të ndeshjes së madhe.
Trajneri i Borussia Dortmundit foli për ndeshjen e madhe me Real Madridin në një konferencë.
Për Ancelottin: "Ai është një fitues, është ndoshta trajneri që di të krijojë marrëdhëniet më të mira me lojtarët e tij, askush nuk është si ai në këtë aspekt. Nëse fitoj gjysmën e asaj që ai fitoi, do të mund të vdes shumë i lumtur”.
Si të ndalojmë Mbappè dhe Vinicius: "Ne do të luajmë si ekip, jo vetëm për të ndaluar këta dy lojtarë, por për t'u përballur me të gjithë. Ne duhet të veprojmë si ekip”.
Për talentin turk, Arda Guler: "Mendimi im për të është shumë i mirë, shpresoj të fitojë shumë tituj me Real Madridin dhe Turqinë. Ai po bën mirë dhe po shënon gola vendimtarë. Për mua ai është si një vëlla më i vogël. Shpresoj shumë që e ardhmja e tij të jetë e ndritshme”.