KORÇË - Fitorja 4-0 kundër Kastriotit në Korçë bëri që skuadra e Skënderbeut edhe zyrtarisht nga sezoni i ri të jetë pjesë e Superligës. Klubi nga juglindja e vendit prej nëntë muajsh ka dominuar sezonin në Kategorinë e Parë dhe do rikthehet në elitë pas një mungese një vjeçare.

Tetë herë kampionët e Superligës drejtohen nga Ernest Gjoka, me trajnerin që thotë se e ndjeu si detyrim moral dhe profesional të qëndronte edhe këtë sezon me korrcarët, paçka se garuan në të Parën.

"Suksesi? Është kënaqësi shumë e madhe, pasi Skënderbeu do shkojë aty ku i takon, në Superligën shqiptare. Vjet, në momentin që erdha ekipi po kalonte një vështirësi dhe e ndjeva si detyrim moral edhe profesional që të vijoja punën dhe të rikuperonim atë gabim që bëmë vjet.

Pavarësisht kësaj ndeshje që fituam, ne kemi pasur një vit shumë të gjatë, shumë të fortë dhe shumë të egër. Kjo lloj kategorie është shumë specifike dhe ne e kemi përballuar me sukses duke qenë për gati nëntë muaj në vendin e parë.

Duhet të mbarojmë edhe këto dy javë, të qetësohemi dhe mendoj që tashmë të gjithë qytetarët e Korçës të mendojnë për një Skënderbe ndryshe dhe të madh", tha mes të tjerash Ernest Gjoka.

Veç Skënderbeut, një vend në Superligë për edicionin e ri e ka siguruar edhe Laçi, që falë fitores 2-0 kundër Pogradecit mban ende gjallë edhe garën për trofeun e kampionit në Kategorinë e Parë. Tanimë gara mes Skënderbeut kryesues (76 pikë) dhe Laçit (73 pikë) vijon për trofeun e kampionit në të Parën.