Pallati i Kongreseve është në fazën finale të konkursit ndërkombëtar për transformim, ku pesë skuadra kanë paraqitur vizione që e ruajnë ndërtesën ekzistuese dhe e kthejnë në një qendër moderne kulturore e urbane, duke shtuar thuajse të gjitha ndërtimin e një kulle shumëkatëshe.

Propozimi i studios ndërkombëtare ARCHI-TECTONICS me partnerë lokalë sjell një “kopsht urban” gjithëvjetor: park i gjelbër që rrethon godinën, amfiteatër publik, lidhje këmbësore mes Bulevardit dhe Sheshit Italia, si dhe një kullë me funksione hotelerie dhe përdorime të tjera.

Projekti i dytë udhëhequr nga zvicerania “Herzog &de Meuron Basel Ltd” paraqet idenë e ndërtimit të një ndërtese magnetike, që të tërheqë turistët, me ndërhyrje minimale në objekt dhe e lidhur me një kullë shumëkatëshe deri në 255 metra. Ajo parashikon gjithashtu përdorimin e gurit shqiptar për të ruajtur karakterin lokal të objektit, ndërsa në pjesën e sipërme planifikohet një restorant panoramik me pishinë.

Skuadra e tretë, e udhëhequr nga studio tjetër ndërkombëtare “MVRDV”, propozon transformimin e kompleksit në një qendër të re konferencash, duke ruajtur strukturën ekzistuese dhe zgjerimin me shtimin e një kupole, që do të përmirësojë edhe akustikën.

Sipas tyre, ndërtesa duhet të lidhet më fort me hapësirat publike përreth dhe të ofrojë funksione të shumëllojshme, nga aktivitetet kulturore e konferencat deri te hapësirat panoramike në lartësi deri në 72 metra.

Skuadra e katërt e udhëhequr nga francezja “Perrault Architecture” zgjedh konservimin maksimal: ndërhyrje të lehta në Pallat, dhe një kullë e re si element i pavarur, i lidhur me të përmes peizazhit dhe hapësirave publike, duke ruajtur identitetin arkitekturor.

Ndërsa amerikanët e “Studio Gang” propozojnë transformimin më të guximshëm: një shesh i ri publik, rinovim total të godinës dhe dy kulla të reja të frymëzuara nga arkitektura tradicionale shqiptare, të cilat lidhen me një verandë.

Projekti synon të ruajë monumentalitetin e Pallatit të Kongreseve, ndërsa e bën atë më të aksesueshëm dhe më fleksibël për aktivitete të ndryshme. Parashikohet një rinovim i gjerë që nis nga nivelet e poshtme të ndërtesës, zgjerimi i auditorit, shtimi i hapësirave teknologjike të skenës dhe krijimi i më shumë vendeve të parkimit.

Në tërësi, të gjitha projektet ndajnë të njëjtin parim: ruajtjen e Pallatit të Kongreseve, por me rrugë të ndryshme: nga “park i hapur urban” te “monument i shtresuar”, nga konservimi i pastër te zgjerimi me kulla dhe hapësira të reja publike.

Kryeministri Edi Rama tha se ka ardhur koha për transformimin e kësaj zone duke ruajtur identitetin e saj, ndërsa ministri Blendi Gonxhja theksoi nevojën për një qendër moderne të aftë të presë kongrese, samite dhe aktivitete ndërkombëtare të standardeve më të larta.

Fituesi i konkursit pritet të shpallet sot, pas përfundimit të vlerësimit nga juria ndërkombëtare, duke i hapur rrugë një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme urbane në Tiranë gjatë viteve të ardhshme.