Rilindasi/ Afrim Spahiu
dhe fundi i Varkës së Noas

Rilindasi/ Afrim Spahiu<br />dhe fundi i Varkës së Noas
A nuk është fotografia, kjo shkencë e imazhit dhe revolucioni i komunikimit, një prej dijeve njerëzore, që tronditi thellësisht besimin dhe emocionet pasqyruese të vet njeriut si në kohën e shpikjes së saj, si edhe në ditët e sotme? A nuk është kthyer, ajo, në formën e një skeptri magjik në duart e njeriut të kohës sonë?

Aso kohe, kur lindi si një foshnje, në 1839, në një lajmërim të gazetës Leipzig City, reklamuesi shkruante se: "Dëshira për të kapur reflektimet jetëshkurtër nuk është vetëm e pamundur. Edhe sikur, vetëm dëshira e vullneti për ta bërë është blasfemi". E në vazhdim lajmëron se me fotografinë "Perëndia kishte braktisur parimet e saj të përjetshme dhe kishte lejuar një francez t'i jepte botës shpikjen e djallit".

Afrim Spahiu, si artist, i përket "shpikjes së djallit". Në ekspozitën e Afrim SPAHIUT, nuk është ftuar Noa dhe varka e tij, si personazhe biblikë, për të treguar historinë e tij, as për të na kujtuar supersticionet tona, madje as për të parashikuar vazhdimësinë ose jo të jetës sonë. Por për një arsye njerëzore, të cilën shoqëritë, madje dhe të kohës sonë, nuk munden në asnjë arsye, që përmes tejkalimit të kohës ta anashkalojnë.

Dija e njeriut dhe pasojat e saj shkaktojnë njohje të reja dhe përmirësojnë mënyrën e të jetuarit. Ato janë qëllime shoqërore, janë mbijetesë e vetëdijes njerëzore dhe produkt i mbiekzistencës së aspekteve pozitive. Titulli "Fundi i varkës së Noas" është alegoria e kësaj mbijetese. Titull i tillë kërkon të shprehë se aty ku fundi përplaset me fillimin nis të shkruhet një histori e re. Fotografia e Afrim Spahiut është një formë spektakolare e konkretizimit të kësaj alegorie.

Noa ishte njeriu që pati dëshirë për jetën dhe besim te më i dituri. Varka është një mjet i njeriut, një mjet lëvizës, transportues, komunikues, zhvendosësh, njohjesh. Fundi është rifillimi i një cikli që ripërsëritet në pikpamje shkencore, ndërsa është një fillim i ri, në pikpamje historike e shoqërore. Për Kosovën dhe shqiptarët e saj le ta shohim këtë alegori si një fillim të ri.

Afrim Spahiu është artisti fotograf, i lidhur ngushtësisht me faktin aktiv të imazhit bardhë e zi dhe me ngjyra, të cilët kanë në përmbajtje natyrën mëmë, natyrën e sendeve dhe atë njerëzore. Ai, që nga mesi i viteve '70, është kërkuesi i epshëm i njohjes dhe i dokumentimit ndaj çka e rrethon. Ai i gjuan situatat dhe sendet dhe në kësi kohësh gjeti varkën si objekt.

Ajo e nxiti drejt kalkulimit dhe fantazisë, për të prodhuar variacionin e pambaruar të imazhit të saj në natyrën e boshtë dhe të vetmuar. Varka e joshi fotografin. Ai e ndoqi dhe meditoi përmes syrit perfekt gjendjen e trishtueshme të braktisjes. Ai zbuloi format e saj, e ktheu në një personazh aktiv dhe e dëshmoi përmes shkrepjeve fotografike, duke vlerësuar idenë e Susan Sontag (1933-2004), shkrimtare dhe filmmaker, kritike, eseiste dhe aktivite amerikane shumë e njohur, kur shkruan se “Fotografia është realiteti...

Fotografia i shkruan ndjenjat në fytyrën njerëzore, në bukurinë e tokës dhe të qiellit që njeriu ka trashëguar, edhe në pasurinë edhe konfuzitetin që njeriu ka trashëguar. Ajo është një forcë e madhe e shpjegimit, i cili bëhet nga njeriu te njeriu...Një fotografi nuk është vetëm një imazh (ashtu si një pikturë është një imazh) apo një interpretim i vërtetë. Por ajo është edhe një gjurmë, diçka e kopjuar drejtëpërdrejtë nga një e vërtet, si marrja e një maske vdekjeje”. Por duke mos ditur se vemendja ndaj frame-ve të saj do të bëhej shkëndijë e kësaj ekspozite, e cila lindi tek unë dëshirën, për të shpalosur një përmbajtje pamore si një histori njerëzore.

Imazhet fotografike statike dhe të lëvizshme janë dy forma të integritetit artistik të Afrim Spahiut, me të cilat fotografi energjik i afrohet jetës dhe vdekjes së objekteve, determinimit të natyrës njerëzore, përzgjedhjes së pikvështrimeve në makrobotën natyrore dhe konservimit të imazheve si mikrobotë e konformizmit të trashëgimisë kulturore. Natyrisht që unë kurova idenë se imazhi fotografik si pjesë e stopuar e imazhit në lëvizje duhet të na shqetësojë dhe të na aktivizojë në të ardhmën e afërme, që pritet të marrë vizionin e dijeve tona.

Gjatë njohjes me ikonografinë fotografike të Afrim Spahiut zbulova se artistit sensi i vëzhgimit dhe i gjurmimit të faktit njeri, natyrë, kohë, hapsirë dhe send, i anashpeshon në kahun dokumentar me cilësi pozitive. Njohja dhe prekja e një fondi shumë të madh imazhesh, të cilat pa frikë përbëjnë pasurinë e një prej bankave të pasura fotografike dhe filmike të Kosovës, shkaton dëshirën për të zbuluar efektin madhështor të asaj çka është përtej nesh, shkakton lidhjen me çastin psikologjik të gjendjeve emocionale të njeriut në veprim.

Shkakton ndjesinë e lojës së duarve dhe syrit të artistit gjatë gjuajtjes së “presë”, që pret të stopohet në frame-t fotografikë. Një pasuri e tillë e memorizuar imazhesh ka të mbruajtur ndërgjegjshmërinë, vlerën dhe përkushtimin. Ata mbajnë gjallë sintezën kulturore të artit vetjak e serioz të Spahiut, që natyrshëm është një bizhu me vlerë mbi trupin e historisë së artit të fotografisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Në bankën e imazheve të Afrim Spahiut të duket sikur je në mesin e disa kohëve, disa hapësirave dhe disa zhvillime shoqërore. Kjo është energjia simbolike e çdo imazhi fotografik, e cila u bë shkak i vijimit të ndërtimit të linjës së ekspozitës. Ekspozita është e ndarë në tre seksione, të cilët lidhen me njëri-tjetrin prej kohës së shkrepjes dhe qëllimit të saj.

Ekspozita është një shpalosje imazhesh të organizuara nga konceti kuratorial, që dëshiron t'i thotë publikut se: "Imazhet e mbizotrojnë memorien dhe e kthejnë atë në një kuti ku ruhet ekzistenca e së shkuarës. Fotografia është imazh i çast pas çasti, përmbajtja e saj është kujtesa e një reflektimi jetëshkurtër. Rëndësia e kujtesës është vizualiteti i sendeve dhe situatave, të cilat njeriu nuk i ka parë ndonjëherë dhe nuk do të ketë mundësi t'i shikojë drejtëpërdrejtë".

Në seksionin e parë, i titulluar një "Kohë të largët", nis me imazhin e një varke, të cilën e shquajmë në sfondin e tejskajshëm, porse nxitja e dijes na shtyn ta njohim përmes variacioneve të imazheve bardh a zi. Ai mbyllet me vajzën në biçikletë, që si Liza në Botën e Çudirave duket sikur do të marrë kthesën për të lënë botën ireale të së shkuarës dhe për të hyrë në seksionin e dytë, atje ku janë imazhet e miqve të saj të njohur dhe botës reale, e që titullohet një "Kohë në të shkuarën e afërme".

Ajo merr intesitetin e ngjyrave nga mjediset rurale dhe vështrimet pafajshme të portreteve fëminore në jetën e përditëshme. Ngjyrat, gra pejane, objekti çadër kanë epërsi dhe bashkohen me ritmin e një saundi, i cili thërret vëzhgimin e disa imazheve, që dëshmojnë jetën tregtare të pazareve të viteve '70-'80 të shek. XX, e cila nuk do të mbetet vetëm një histori orale e gojdhanave shqiptare, por një kujtesë pamore antropologjike e Pejës.

Në seksionin e tretë të "Kohës sonë" është ndërtuar atmosfera e dyptikëve, të cilët i hapin rrugën zhvillimit të diskutimeve dhe debateve. Çdo dyptik është trajtuar si kompozim artistik, që i përket natyrës së qetë, peizazhit, fotografisë industriale, arkitektonike dhe konceptuale. Qendra e fortë e këtij seksioni është vlerësimi i komunikimit përmes lëvizjes, shpejtësisë dhe fluturimit. Imazhi i një aeroplani me përmasa të mëdha, ka disa arsye që qendron në kreun e seksionit dhe në fundin e ekspozitës dhe përballet me dy imazhe, ku i pari i përket vështrimit të ethshëm drejt fluturimit dhe i dyti i përket indiferentizmit ndaj tij.

“Fundi i Varkës së Noas” afroi fort drejt vetes idetë e Henry Peach Robinson (1830-1901), fotografit anglez, që u quajt mbreti i fotografisë piktorike, i cili mendonte në kohën e tij se “Nëse fotografia, ka për të marrë ndonjëherë pozicionin e saj të duhur si një art, ajo duhet ta shkëpusë veten nga shkenca dhe të jetojë një ekzistencë të pavarur. Sadoqë një njeri (fotografi) mund të dashurojë pamjet e bukura, dashurinë e tij për to do ta rrisë në masë të madhe në qoftë se do ta shikojë me syrin e një artisti, madje edhe pse e dinte se ishte e bukur. Një botë e re është e hapur për atë ç`ka ke mësuar, por për ta dalluar duhet të njohësh harmoninë dhe delikatesën që paraqet natyra në të gjitha aspektet e saj të ndryshme. "

*Kuratore e ekspozitës

Shkrimi u botua sot Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024