"Rilindasi", Dora d’Istria
mes Giorgione-s dhe Tiziano-s

mes Giorgione-s dhe Tiziano-s">
Shkenca albanologjike me studimet dhe shkrimet e ndryshme të Dora D'Istria-s për artin pati një fillim të mbarë që nuk reflektoi e nuk eci përpara si duhej në shekullin që do të pasonte. Ajo duke e parë artin jo thjeshtë në aspektin e ngushtë artistik por si reflektim të rrymave ideologjike e politike të kohës në artikullin: Një vizitë në Muzeun e Feliçe Skiavones (1868) apo Venezia më 1867 mes të tjerash do të shkruajë:

Në se mes tabllove të Giorgiones dhe portreteve të Tizianos fytyra ekspresive e “mbretëreshës së Qipros” dhe fizionomia shpirtërore e Bembos nuk kanë asgje asketike, nuk është kështu tek ngjashmëritë e Paolo III të riprodhuara nga princi i shquar i shkollës Veneciane.

 Velerësimet e rilindases sonë të shquar për dy korifejtë e artit venecian, e më gjërë edhe atij italian, që sollën ndryshimet epokale me mënyrën e tyre të pikturimit nuk tingëllojnë të huaja apo të çuditshme as sot e kësaj dite. Njëri mësues e tjetri pasues i denjë që jo vetëm fitoi afësitë e tij por edhe e tejkaloi atë në një mënyrë madhështore (non solo lo paragonò, ma lo ha superato grandemente- Vasari 1568) i kanë lënë njerzimit një pasuri të paçmueshme, e cila e parë nga këndvështrime të ndryshme vazhdon të mbetet mes studiuesve edhe sot e kësaj dite objekt studimesh e polemikash të shumta e të vazhdueshme.
 
Në lidhje me mbretërshën e Qipros Caterina Cornaro(Katerina Kornaro 1454-1510), që përmend Dora D'Istria, ekziston një ikonografi dhe një literaturë historike shumë e pasur. Këtu kufizohemi të themi se me vdekjen e burrit të saj Giacomo II i Lusignano-s e pak më pas edhe të djalit të saj në moshë të mitur ju imponua pas disa vitesh të abdikone në favor të Republikës Veneciane. Kështu më 1489 ajo u prit në Venedik me nderime të mëdha ku në mënyrë simbolike i dorëzoi kurorën dozhes Agostino Barbarigo. Në shkëmbim të Qipros ajo do të ruante titujt mbretërorë dhe ndërkohë njëlloj si dozhja do të kishte nën vartësinë dhe administrimin e saj krahinën e vogël me qëndrën e saj Asolo-s. Këtu ajo krijoi oborrin e vet me letrarë, artistë e piktorë të shquar si Giorgione, Lorenco Lotto, Petro Bembo-n e shumë të tjerë. Leonardo Da Vinçi dhe Gentile Belini kanë bërë gjithashtu vizitë në oborrin e saj.

Ky i fundit i ka bërë asaj një portret dhe ndërkohë në tabllonë: “Mrekullia e Kryqit të Shenjë” tek ura e Shën Lorencit-Venedik e gjejmë përsëri Katerinën “bijën adoptive të Serenisimës” në vijën e parë mes autoriteve më të shquara që marin pjesë në këtë ngjarje. Kësaj periudhe i përket edhe vepra e parë poetike e Pietro Bembo-s Asolanët (Gli Asolani) e cila shtjellon e lavdëron në një formë filozofike jetën mondane brenda këtij oborri të vogël, një vepër që gjatë shekullit të XVI pati 30 ribotime. Piktorë të tjerë të shquar që realizuan në shek. XV-XVI portrete apo pasqyruan figurën e Katerina Kornaros në veprat e tyre mud të përmendim Giorgione-n, Tiziano-n, Lorenzo Lotto, Andrea Mantenga, Palma il Veçhio (i Vjetri), Paolo Veroneze, Antonio Vasillaqi por edhe shumë të tjerë që na mbërrijnë si anonimë e janë objekt diskutimesh të pafundme. Një bust i saj, gjithmonë i shekullit të XVI, i atribuohet skluptorit të famshëm Tulio Lombardo-s.

Në pamundësi që të analizojmë këtu gjithë ikonografinë e Katerina Kornaros rikthehemi tek citimi i mësipërm i Dora D'Istrës ku del nevoja të sqarohet se cilat portrete të Katerina Kornaro-s të realizuara nga Giorgione apo nga Tizianos ka parë ajo më 1870? Ajo flet me një kopetencë të plotë e nuk gabon në vlerësimet e saj kur përmend portretin e Pietro Bembos apo të papa Paolo III (Farneze) të realizuara nga Tiziano. Në këtë pikë shtyhemi të mendojmë se po ashtu ajo njeh nga shumë afër edhe një portret të Katerina Kornaros të realizuar nga Giorgione.

grigione e tiziano
(Në foto: Piktura Giorgione e Tiziano, koncert në fushë)

Faktin se Giorgione kishte realizuar portretin e Katerina Koronaros të gjithe studiuesit e marrin nga Giorgio Vasari i cili më 1568 shkruan se Giorgione: Realizoii më tej nga natyra Katerinën mbretëreshën e Qipros të cilën unë e pashë në duart e zotit të nderuar Giovanni Cornaro(Le Vite, 1568, vol. IV, f. 99). Studiuesi tjetër i artit italian Carlo Ridolfi më 1648 konfirmon më tej këtë thënie të Vasarit duke na referuar edhe personalitete të tjera të shquar të portretizuat po nga Giorgione( Le Meraviglie dell'Arte. Padova, 1835, vol. I, f. 126).

 Mirëpo sot nga studiuesit modernë(P. Zampetti 1968, T. Pignati 1971) kjo vepër e Giorgiones regjistrohet mes veprave të humbura të tij. Disa autorë (Cook 1900 e 1915, Justi II 1926; Herman 1933) e indentifikojnë Katerina Kornaro me portretin e një gruaje që të tjerët e mbajnë si portreti i Schiavones(Sllavja). Mirëpo edhe autorsia e këtij portreti ka qenë gjithashtu objekt debatesh dhe herë refrohet si portret i Giorgiones, herë si i Tizianos (Berson II 1932, H. Ëethey 1969) dhe herë si i Giovanni Cariani-t(A. Venturi II 1928)

 Së fundi një tabllo vaji në kanavacë (98.7x79.8) e titulluar Koncert jashtë Asolo-s që ndodhet në Antigham Park, National Trust( P. Zampetti 1955, f. 148; T. Pignati 1971, f. 149, plate 231 ) paraqet në sfond një peisazh që riprodhon Asolo dhe kodrat e saj. Në qendër të tablosë kemi një grup kavalierësh, zonja dhe lahutistë të cilët duhet të përbënin oborrin e mbretëreshës. Katerina Kornaro e ulur në mes të tyre mbetet figura qëndrore e kësaj tablloje rreth të cilës zhvillohet e gjithë ngjarja. Në përgjithësi edhe kjo pikturë, që u ekspozua me këto kualitete për herë të parë më 1954, konsiderohet më shumë një kopje sipas stilit të Giorgiones dhe me që ka pasur shumë riprodhime bëhet i vështirë edhe atribuimi i saj.

Mirëpo siç shikohet të gjitha këto përpjekje të studiuesve për të gjetur konfirmim me thënien e Vasarit e Ridolfit mbi një portretizim të Katerina Kornaro nga Giorgione i përkasin shekullit që sapo kaluam. Për më tepër të dyshimta. Atëhere mund të themi se Dora D'Istria më 1867 ka parë e komentuar një portret, apo disa portrete (me që flet në shumës) të mbretëreshës së Qipros, krejt të ndryshëm të cilat studiuesit e sotëm të Giorgiones nuk e njohin.

veper e tizianos
(Në foto: Ish-vepër e Tizianos transformuar në Kryeëngjëll Rafael dhe Tobiasi)

Si burim të këtij informacioni me siguri Elena Gjikës duhet t'i ketë shërbyer koleksioni i Natale e Felice Schiavonit gjatë kohës kur ajo ka banuar aty për studimin e artit(1846) apo gjatë vizitës të saj në muzeumin e F. Skiavones(1868). Konfermimi vjen nga lista që Luigi Sernagiotto(Luigji Sernaxhioto) referon më 1881 mbi veprat e Giorgiones që kishin mbetur akoma në koleksionin e dy piktorëve të shquar venecianë. Kështu si vepra të Giorgiones ai na trasmeton: Mbretëresha Kornaro me skllaven e saj të vogël - Rëmbimi i Sabinave - Portret - Portret – Portret – Milone nga Krotone(L.Sernagiotto 1881,f. 636) ndësa mes veprave të Tizianos përmendet edhe një portret i Pietro Bembos sipas stilit të Tizianos.

Përsa i përket tablosë së parë të Giorgiones askush nuk e ka cituar në një formë të tillë ndërsa tre portretet e cilësuar në një formë të gjeneralizuar mbeten të paindentifikueshëm. Duken me interes edhe dy veprat e tjera që i ngjiten Giorgiones. Vasari po ashtu Ridolfi edhe pse nuk i citojnë pikërisht ato na tërheqin vëmendjen për temat e shumta me karakter mitologjik që kishte trajtuar Giorgione nëpër vila të ndryshme. Në studimet moderne bëhet fjalë për një Rrëmbim i Sabinave që sot rezulton i humbur ndërsa përsa i përket heroit të antikitetit Milone nga Crotone u bë një bujë e madhe në fillim të shekullit të XIX mbi zbulimin e një vepre të tillë në muzetë e Londrës, e cila ju ngjit Giorgiones mirëpo më vonë doli se ishte një fallsifikim.

Nuk ekziston asnjë element tjetër që të mund të gjykohet mbi besueshmërinë e burimit që ka përdorur Dora D'Istria ku që të gjashtë veprat e Giorgiones referohen si vepra origjinale kur ndërkohë portreti i Bembos e disa vepra të tjera të Tizianos deklarohen se janë kopje. Po të kemi parasysh veprimtarinë artistike të Natale e Feliçe Skiavones si grumbullues të veprave të artit por edhe si krijues të tyre nuk është për të përjashtuar asnjë version që ato të kenë qënë me të vërtetë vepra origjinale apo që të jenë kopjuar nga vepra origjinale.

Duhet të kujtojmë këtu që shekulli i XVIII-XIX u karakterizua nga një mitizim i skajshëm i figurës të Giorgione-s. Shumë nga veprat e tij të vërteta apo të hamendësura si të tilla që parqesnin gra u interpretuan si dashnore të Giorgiones apo pjestarë të famijes së tij. U vunë në skenë drama sentimentale, të trilluara, të cilat bënin të rritej akoma më shumë kurioziteti për këtë artist me një jetë kaq të shkurtër prej vetëm 33 vjet, gati i panjohur nga bota, dhe në të njëjtën kohë kaq i famshëm. Në këtë fushatë mitizimi u përfshinë edhe emra të famshëm si ai i Bajronit dhe Stendalit. Asnjë nga veprat e Giorgiones nuk ështe e firmosur dhe kështu fusha për abuzime mes artistëve apo komerçiantëve të kohës ishte mjaft e madhe.

Nga ana tjetër duke qënë se Giorgione pati edhe shumë pasues, të cilët jo vetëm ndoqën mënyrën e tij të pikturimit por u përpoqën edhe që të riprodhonin veprat e tij çështja komplikohet më shumë e kështu debatet mbeten gjithmonë të hapura e sidomos kur një vepër duhet t'i atribuohet Giorgiones apo Tizianos.

Vetë Vasari na pohon se Tiziano mbasi pa mënyrën e të piktuatirt të Giorgiones, braktisi mënyrën e Giovanni Bellinit, dhe u dha pas asaj (të Giorgiones) dhe kaq mirë e imitoj në një kohë të shkurtër në gjërat (pikturat) e tij sa që piktuarat e tij u shkëmbyen dhe u besuan si vepra të Giorgiones.

tiziano
(Në foto: Stili i Tizianos, Shën Katerina e Aleksandrisë)

E nga të parët që i shkëmbeu këto vepra, për të mbetur në temë, pati qenë vetë studiuesi më i shquar i artit italian, piktori dhe arqitekti fiorentin Giorgio Vasari (1511-1574). Për më tepër le të kemi parasysh akoma se kur shkruhej vepra: Jetët e piktorëve, skluptorëve e arkitektëve më të shquar Tiziano ishte akoma gjallë. Kështu p.sh. sot vepra Koncert fushor(Paris, Louvre) quhet sa vepër e Giorgiones po aq edhe Tizianos. Venera e Dresdës (Gemledegalerie) pranohet si vepër e Giorgiones por e përfunduar nga Tiziano. Figura e një luftërari me pazhin e tij (York, The Castle Hoëard, Collection) gjithashtu konsiderohet sa vepër e Tizianos por po aq edhe Giorgiones duke e indentifikur në këtë rast me kalorsin e shquar Gaston de Foix. Vepra Orfeo dhe Euridice (Bergamo) e konsideruar deri në shkullin e XIX si vepër e Giorgione-s tani besohet më shumë si vepër e Tizianos. Lindia e Adonit (Padova) ka mbetur shumë e debatuar mes studiuesve gjatë gjithë shekullit të XX, ku secili sjell argumentet e veta pro Tiziano-s apo pro- Giorgione-s. Portretin e një të riu (Staatliche Museen zu Berlin, Gemäldegalerie, Berlin) që deri së fundi nga gjithë studiuesit është mbajtur si vepër e sigurtë e Giorgiones studiuesja Jany Anderson ja ngjit Tizianos. Veprën Krishti që mbart Kryqin (Kisha San Roco-Venedik) vetë Vasari fillimish e quan të Giorgiones pastaj ja ngjit Ticianos dhe kjo pasiguri ka vazhduar kështu deri në ditët e sotme.

Kështu në se mes veprave të njohura të Giorgiones nuk gjejmë ndonjë portret gruaje që ta lidhim me mbretëshën Katerina Kornaro nuk ka pse të mos e kërkojmë atë mes pasuesve të Giorgiones dhe mbi të gjithë në ato të Tizianos, tek i cili nuk janë të rralla rastet ku potrerete grash të ndryshme janë propozuar si portrete të Mbretëreshës së Qipros edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë kundërshtuar herë për personin e portretizuar dhe herë për autorsinë e veprës. Kështu kemi portretin e Skiavonës(London, National Gallery) që është kundështuar si portret i Katerinës. Një dizenjo e Tizianos që ruhet në Uffizi (Firenze) gjithashtu është refuzuar si portret i mbretëreshës. Portreti i një gruaje që ruhet në Vienë( Kunsthistorisches Museum) i propozuar si portret i Katerina Kornaros dhe nga Tiziano mbetet një vepër e dyshimtë si për personin e portretizuar po ashtu edhe për autorin. E njëjta gjë mund të thuhet për portretin në ngjashmërinë e Shën Katerinës të Aleksandrisë që ruhet në Firenze (Galleria degli Uffizi). Në afreskon e titulluar: Mrekullia e të sapolindurit (1511) në kishën e Shën Antonit në Padova e realizuar nga Tiziano(1511) pretendohet nga shumë studiues se është pikturuar në plan të parë Katerina Kornaro.

Tani me referimet që na ka bërë Dora D'Istria duke u bazuar në koleksionin e Felice Skiavones krijohet një mundësi e re për të identifikuar një portet të Mbretëreshës së Qipros. Mes portreteve të shumta të grave të realizuara nga Tiziano vetëm dy prej tyre paraqiten pak a shumë të formës si i ka referuar Sernagiotto. I pari me ndonjë luhatje të vogël është saktësuar tashmë nga kritika e artit se bëhet fjalë për Laura dei Dianti me shërbëtorin e saj të vogël etiopias. Pra kemi formën e njëjtë të kompozimit me portretizim të dyfishtë por jo me të njëjtën përmbajtje përderisa këtu bëhet fjalë jo për një vajzë por për një djalë të vogël zezak.

Vepra e dytë të cilën me shumtë të ngjarë Dora D'Istria duhet të ketë parë në koleksionin e Felice Schiavonit është portreti i një gruaje fisnike me të bijën e vet pra kopja ose origjinali i një varianti të saj. Kjo vepër e pambaruar e Tizianos e realizuar ndoshta mes viteve 1540-1560 ishte trasformuar nga ndonjë nxënës i tij në Kryeëngjëlli Rafael me të birin e tij Tobias dhe vetëm në vitet 90 të shekullit që kaloi vepra u restaurua duke nxjerë në pah fytyrën e vertetë të gruas dhe bijës së saj. Pra një variant i ngjashëm i portetit të dyfishë alla-feminile të Tizianos apo të Giorgiones duhet ta kenë pasur në dorë në mes të shekullit të XIX Natale e Felice Skiavone dhe Sernagiotto e ka regjistruar si vepër të Giorgiones: Mbretëresha e Qipros me shërbëtoren e saj. Pra një gabim që e bëjnë të gjithë. Tjetër portret i kësaj natyre nuk ekziston në krijimtarinë e Tizanos por kjo nuk do të thotë se hulumtimet të mos shtrihen edhe mbi pasuesit e tjerë të Giorgiones. 

Shkrimi u publikua sot 4 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)  



 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)