'Rilindasi'/ Viktor Majer, vizita misterioze e gazetarit gjerman në Shqipërinë e 1982

'Rilindasi'/ Viktor Majer, vizita misterioze e gazetarit gjerman në Shqipërinë e 1982

Viktor Majer

Viktor Meier (Viktor Majer) ishte zviceran, lindur në 1929 në Winterthur afër Zürich-ut. Ai filloi të merrej me zhvillimet në Europën Juglindore dhe sidomos me ato në Jugosllavi që në vitet 50-të. Shkollimin e lartë do ta niste në kryeqytetin e kantonit të Zürich-ut, në Gallen-in e Shenjtë (Sankt Gallen), të cilin e kishte fare afër  dhe do t’i vijonte studimet në Beograd për ekonominë dhe shkencat sociale. Gradën e Doktorit, Master siç i thonë sot, e mori pikërisht këtu me temën “Sistemi i ri ekonomik jugosllav”. Me pak fjalë Majer u formua shumë herët si njohës i Ballkanit, i Jugosllavisë veçanërisht dhe me mendësi që nuk kishin asnjë përputhje të paktën me doktrinën e Enver Hoxhës në Shqipëri.

Me përkushtim për gadishullin e quajtur “fuçi baroti”, fillimisht ai punoi pranë të përditshmes zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”. Nga moti 1975 deri në fund të vitit 1993 qe korrespondent për Ballkanin i të përditshmes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Këtu edhe bëri emër kontinental. Prej kësaj gazete u ngulit edhe në kujtesën e shqiptarëve. Viktor Majer ishte njeri i drejtë dhe nuk e duronte dot arrogancën serbe për të komanduar gadishullin.

Nuk e dua regjimin tuaj diktatorial, por këtë nuk e bëj publike
Në ambasadën shqiptare në Vjenë midis viteve 1978-1982 ishte kryediplomat Musin Kroi. Qe ambasador i vjetër profesionist. Për herë të parë kishte qenë me këtë funksion në Sofje të Bullgarisë për ta vazhduar më pas, në motet 1952-1954 në Budapest të Hungarisë. Në Varshavë të Polonisë e drejtoi ambasadën shqiptare në vitet 1957-1960, në Algjeri midis moteve 1962-1967, në Pekin si nënambasador (Ministër Këshilltar) qe gjatë periudhës 1975-1977.

Kur ishte ambasador në Vjenë, në 27 janar 1982 ai darkoi me Viktor Majerin. Takimin e kishte kërkuar ky i fundit ditë më parë. Pati kaluar një muaj nga çasti kur, siç njoftoi Tirana zyrtare, Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe kjo ngjarje ende zjente nëpër median e eurokontinentit, dukshëm sidomos në ato të pellgut gjermanik: Republikën Federale dhe në Austri.

Duke qenë se darka mes ambasadorit dhe Majerit përfundoi shumë vonë dhe nga biseda nuk rezultoi asgjë shumë urgjente, radiogramin e koduar Musin Kroi Ministrisë së Jashtme ia nisi të nesërmen, në 28 janar 1982. Kishte numrin 145. Në Tiranë teksti u çkodua njëzetë e katër orë më pas, në 29 janar, në orën 11.40. Që prej këtij çasti u bë operativ edhe për të shkuar një kopje në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku shef i sektorit të marrëdhënieve me jashtë qe një diplomat i spikatur, Behar Shtylla.

Mesazhi i deshifruar i Musin Kroit në pesë fletëformate të posaçme për këtë proces thoshte se kishte pasur mbrëmë për darkë gazetarin gjermano-perëndimor Viktor Majer, se ky gjatë bisedës i ngriti çështjen e ardhjes së tij në Shqipëri, të cilën dëshironte ta bënte në mezin e muajit mars. “Unë e falënderova për artikujt pozitivë për vendin tonë, shkruante ambasadori Musin Kroi, dhe në një rast i tërhoqa vëmendjen për një artikull ku ka kritikuar regjimin tonë si diktatorial, çfarë nuk i përgjigjet të vërtetës dhe nuk i shërben ecjes përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.

Pas këtij parashtrimi qortues Kroi saktëson: “Majer tha se reciprokisht kemi mendime të kundërta për sa i përket regjimeve në të dy vendet”.

Ndërkohë ambasadori vuri në dukje se gazetari i njohur i të përditshmes gjermane me tirazh të lartë dhe autoritet në Evropë, i kishte premtuar “por unë ju jap fjalën që nuk do ta trajtoj këtë çështje në artikujt që do të shkruaj kur të vizitoj Shqipërinë”.

Kjo pikë shumë e nxehtë, mospajtimi me regjimin politik të Tiranës, e cila pa përjashtim u kishte bllokuar ardhjen në Tiranë tërë gazetarëve të huaj që e patën kërkuar, u kapërcye me këtë formulë: Nuk jam dakort me sistemin politik tuajin, por këtë nuk do ta bëj publike. 

Sipas informacionit të koduar të Musin Kroit të 28 janarit 1982, “Ai tha se ka qenë njëherë në Shqipëri si korespodenti i gazetës zvicerane “Noje Cyrih Cajtung”, por në atë kohë ndodhnin ngjarjet në Hungari dhe artikujt e tij për Shqipërinë nuk patën jehonë. Opinioni donte të dinte më shumë për popullin shqiptar, prejardhjen, gjuhën dhe historinë e tij, prandaj edhe tani ka dëshirë të vijë në Shqipëri për të marrë takime edhe me historianë”. Më tej: “Por ne do të ishim shumë të dëshiruar, i thashë, që ju të vazhdoni të shkruani objektivisht për vendin tonë dhe çështjen ardhjes në Shqipëri do ta shikojmë”. Në fund të radiogramit Musin Kroi ka theksuar: “Majeri duket gazetar serioz, mesi i marsit që ai propozon për të ardhur nuk përjashton që të jetë i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mendoj që kërkesa e tij për të ardhur në Shqipëri të merret në konsideratë”.

Dy radiograme për të njëjtën bisedë
Sërish në 28 janar 1982, për bisedën e kryer gjatë darkës me Viktor Majerin, ambasadori Musin Kroi i dërgoi Ministrisë së Jashtme në Tiranë një radiogram të dytë. Kishte numrin 150 dhe mbërriti në destinacion e u çkodua në 29 janar, ora 17.00. Sipas Kroit, “Gjatë darkës Viktor Majeri foli mirë për politikën e vendit tonë, propagandën e Jugosllavisë kundër vendit tonë e quajti të diskretituar”. Më pas i vuri në dukje qendrës se sipas Majerit, shfaqja e filmit dokumentar të parlamentit shqiptar ku doli Enver Hoxha dhe i hodhi poshtë të gjitha spekullimet me burime nga Beogradi, qe me vend.

Gazetari gjerman pati shpjeguar se para shfaqjes së këtij filmi shpifjet e Jugollavisë ndaj Shqipërisë nuk kishin gjetur mirëbesin të gjerë, me përjashtim të disa diplomatëve dhe gazetarëv që ishin përpunuar nga jugosllavët. “Kjo, pati theksuar ai, për arsye se Shqipëria njihet si një vend me stabilitet të qendrueshëm që ndjek një politikë konseguente”. Më vonë në radiogramin raportues ambasadori Kroi kishte nxjerrë në pah gjykimin e Majerit se “punimet e parlamentit shqiptar dhe fjalimi i Adil Carçanit vërtetuan plotësisht se Shqipëria do të ndjekë politikën e përcaktuar nga kongresi V-të tuaj. Qenia e Shqipërisë e pavarur, që i ka mbyllur portat për penetrimin e Bashkimit Sovjetik është me shumë interes për Evropën Perëndimore”.

Pas këtij pohimi Viktor Majer qe hedhur në një pikë të nxehtë. Sipas raportimit të Musin Kroit, “Vetëm vetëvrasja e Mehmet Shehut ka mbetur e paqartë se atij nuk iu bënë nderime për varrimin dhe nuk u përmend fare në mbledhjen e parlamentit. Unë i fola për gjendjen e politikës së vendit tonë si edhe për vetvrasjen e armikut të partisë në bazë të qendrimeve tona”.

Në fund të radiogramit të dytë të 28 janarit 1982 ambasadori Kroi informon se “Majeri nuk hyri në bisedë në lidhje me normalizimin e  marrëdhënieve me RFGJ. Tha vetëm shkarazi se ju mund të jeni ambasadori i parë që mund të akreditoheni në Bon dhe e ndërroi bisedën”.

Ka të ngjarë që ky radiogram i dytë t’i jetë dërguar Tiranës jo vetëm për ta plotësuar të parin me informacion më të hollësishëm, por edhe për të ndikuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme që ata, në bisedë me Komitetin Qendror të PPSH-së, t’i miratonin vizën hyrëse Viktor Majerit.

Vjen në Tiranë, ç’thotë raporti i parë informativ për të
Pas pothuaj një muaji, në 24 shkurt 1982, me radiogramin nr. 329 nga Vjena, drejtuar Ministrisë, njoftohet ajo se Majeri “e priti shumë mirë miratimin e kërkesës së tij për të ardhur në Shqipëri”, se pati pohuar “që do të vinte nga data 24 mars deri 7 prill nëpërmjet Romës”. Në vijim në radiogram ambasadori Kroi informonte se “Është i interesuar të shkruajë për zhvillimin e vendit tonë në fushën e industrisë, bujqësisë, arsimit, kulturës, shkencës, etj”. Po ashtu Viktor Majer i qe shprehur se po vinte “Për të kënaqur lexuesin gjerman që ka shumë simpati për Shqipërinë, për prejardhjen e popullit shqiptar, historinë, gjuhën, traditat e tij të lashta”.

Njëkohësisht se “Dëshiron që mundësisht të takohet me Aleks Budën, me profesorë të gjuhësisë dhe të historisë, me shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Dëshiron gjithashtu të bëjë vizitë në hidroçentralin e Matit, në ndonjë hidroçentral tjetër si edhe në vepra të tjera që do t’i rekomandohen. Majeri tha se do të shkruajë mirë dhe objektivisht për Shqipërisë, se për artikujt që ka shkruar për Kosovën jugosllavët e kanë cilësuar “agjent të Shqipërisë”. Ky është një trajtim vulgar i çështjes nga ana e tyre, tha ai, por nuk prish punë. Majeri tha se mund të shkruajë edhe për probleme që mund t’i ngarkohen nga ana jonë për të cilat ne jemi të interesuar që të ngrihen në botën e jashtme. Shfaqi dëshirën gjithashtu të marë kontakt edhe me punonjës të tregtisë së jashtme gjë që mund të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve”.

Fjalia e fundit e radiogramit nr. 329 të ambasadorit shqiptar në Vjenë qe: “Lutemi të merren masa përgatitore për pritjen e tij”.

Në 4 mars ambasada shqiptare i dërgoi Ministrisë së Jashtme radiogramin 422, ku e vinte në dijeni se “dy tregtarë gjermanë, Diceman dhe  Fleis, thonë se veçanërisht dy muajt e fundit në shtypin dhe radion e televizionin gjerman ka nisur të flitet mirë për Shqipërinë”, se ata deklarojnë po ashtu që “e kuptojmë këtë sepse si tregtarë jemi të stërvitur dhe e kemi të fortë nuhatjen politike. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se po afrohet koha  për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Ne kemi konsideratë për politikën tuaj ekonomike, për rezultatet që keni arritur në zhvillimin e vendit, që ato mbështeten në balancimin e importit me eksportin, se populli shqiptar ka karakteristika të përbashkëta me popullin gjerman, krenarinë e të tjera”.

Fjalët përmbyllëse të asaj që ambasadorit Kroi i patën thënë Diceman dhe  Fleis qenë: “Mund të themi se shqiptarët si bij të Shqipërisë, me krenarinë dhe karakteristikat që kanë, janë gjermanët e Ballkanit”.

Ndërkohë në 9 mars 1982, radiogrami nr. 436 i Musin Kroit e vinte në dijeni qendrën se “gazetari gjerman Viktor Majer që do të vijë në Shqipëri në 24 mars, flet përveç gjermanishtes  edhe anglisht e frëngjisht”. Më tej: “Ju kemi shkruar se kërkon edhe një bisedë për çështjen e Kosovës”. Po ashtu se dëshironte “të shikojë sa më shumë vende të bukura për t’i bërë një përshkrim natyrës shqiptare”, “të marrë ndonjë intervistë për tregtinë e jashtme, nga cilido që do të shihet e natyrshme nga ne”.

Në 31 mars 1982, një javë pasi Viktor Majer kishte mbërritur në Shqipëri u hartua raporti i parë informativ i Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë. Me numrin protokollar 53     dhe i firmosur nga kryetari i këtij Komiteti, gazetari dhe diplomati Javer Malo, një kopje e tij iu dërgua menjëherë KQ të PPSH-së.

Malo e niste raportimin e tij zyrtar me faktin që të nesërmen e mbërritjes në Tiranë të Viktor Majerit, në 25 mars, e pati pritur në Komitet. Fillimisht ai jep të dhëna kryesore për gazetarin: korespodent në Vjenë të gazetës gjermano perëndimore “Frankfurter Algemaine Zaitung”; me origjinë dhe shtetësi zvicerane; ka punuar nëpër gazetat e Konfederatës Helvetike, pastaj në ato gjermane; ka qenë korespodent në Amerikë, në Greqi dhe vitet e fundit është  në Vjenë; flet gjuhët e mëdha, por edhe serbokroatishten e greqishten; me njohje të thellë për Ballkanin dhe politikën ballkanase ndaj Shqipërisë; “Në vendin tonë ka qenë si i dërguar i një gazete zvicerane në nëntor 1956 dhe është pritur atëherë nga drejtori i Shtypit në MPJ Dhimitër Lamani”.

Që në fillim të bisedës Viktor Majer i qe drejtuar Javer Malos jo me titullin “Kryetar”, por “Ambasador”, duke dëshmuar se e dinte rolin që ky i fundit do të kishte në bisedimet e Vjenës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Federale Gjermane dhe Shqipërisë. Malo i kish falënderuar Majerin për objektivitetin në shkrimet e tij dhe pohuar se mes shqiptarëve tashmë ai ishte një emër shumë i njohur.

Pas kësaj Viktor Majeri hyri drejtpërsëdrejti në temë.

Po Mehmet Shehu pse u vra?
Pyetja e parë qe për Kosovën. Majer donte të kuptonte nëse Tirana i trajtonte njëlloj shqiptarët këtej dhe ata përtej kufirit. Pastaj donte të dinte si zhvillohej tregtia mes Jugollavisë dhe Shqipërisë dhe nëse Beogradi zyrtar krijonte pengesa. Pyetja e tretë qe për akreditimin në Ballkan të ambasadorëve që mbulonin edhe Tiranën. Më mirë ishte siç qe, pra me vendosje të tyre në Beograd, apo më mirë të ishin në Romë ose Athinë. Këtë çast, për ta tërhequr në çështjen më të interesuar, Javer Malo i tha se së shpejti në Shqipëri do të kishin edhe një ambasador të Gjermanisë Federale. Sipas raportit informativ, “Mayeri m’u përgjigj se nuk beson që vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve të jetë e shpejtë, por ai ishte informuar në Bon para se të nisej për Tiranë dhe atje i kishin thënë se përgjigja shqiptare nuk ishte ajo që duhej, ishte e pakënaqshme, se Boni nuk pranon asnjë konditë për vendosjen e marrëdhënieve, se ai nuk pranon të flitet për dëmshpërblime, prandaj për këtë do të duhet kohë: Kërkoi mendimin tim për këtë çështje”.

Në vijim të bisedës së 25 marsit Majer qe interesuar tek Javer Malo edhe “nëse Papandreu kishte bërë ndonjë sondazh për vizitë në Shqipëri” dhe “nëse me qeverinë e tanishme socialiste ka tendenca për përmirësimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-greke”. Pastaj Viktor Majer e pati pyetur kryetarin e Komitetit për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë se çfarë mendonte për çështjen e bashkëpunimit shumëpalësh ballkanik.

Pyetja e fundit e gazetarit të së përditshmes së shumënjohur gjermane, ishte si qershia mbi tortë: “Si shpjegohet që për Mehmet Shehun, i cili ka qenë për tridhjetë vjet kryeministër i Shqipërisë, u shkrua në gazetë vetëm një rresht?” Pyetja tjetër: “Zonja Shehu a është gjithmonë anëtare e Komitetit Qendror të Partisë?” Pyetja e tretë: “Po kushëriri i Mehmet Shehut, Feçor Shehu, përse u hoq nga posti i Ministrit të Brendshëm?”

Malo iu përgjigj në thelb: Mehmet Shehu vrau veten në një krizë nervore dhe Partia jonë e dënon vetvrasjen; nuk di të ketë ndonjë njoftim të Komitetit Qendror të Partisë se Zonja Shehu nuk është anëtare; në postin e ministrit të Brendshëm u caktua një anëtar i Byrosë Politike; Feçor Shehu nuk ishte kushëri i Mehmet Shehut.

Kur Javer Malo i shpjegoi Viktor Majerit se “në Shqipëri ka shumë familje Shehu”, ky e pyeti “Këta shehlerët çfarë janë bektashi apo shitë si në Iran?” Pastaj bëri një pyetje të dytë: “Mehmet Shehu njihej si njeri i ashpër. A do të ketë ndryshime në politikën e jashtme shqiptare pas vdekjes së tij?”

Në raportin informativ Malo shpjegon se “Këtë pyetje ua bëri edhe bashkëbiseduesve të tjerë me të cilët u takua. Dritëro Agollit i bëri një njëjtën pyetje: “A do të ketë ndryshime në politikën e Shqipërisë?” Ndërsa Ismail Kadarenë e pyeti “Vdekja e Mehmet Shehut a do t’ju sjellë juve pengesa në botimin e veprave tuaja?” Ndërsa Ymer Minxhozit në një bisedë për Rumaninë dhe mbi gjendjen e rëndë ekonomike atje, i tha si kalimthi: “Kush e di edhe në Rumani mund të gjendet zgjidhja me vetëvrasjen e ndonjërit”.

“Kosovës i uroj bekimin e Zotit!”
Ndërsa Javer Malo kishte vënë re se Viktor Majer si çështje të parë interesimi kishte Kosovën dhe çështjen Shehu e rreshtonte në fund, gazetari shqiptar shoqërues i tij Ymer Minxhozi, i dalluar për mprehtësinë e tij, paraqet një gjykim tjetër. I formuluar në 10 prill 1982, tre ditë pasi gazetari gjerman kishte lënë Shqipërinë, në raportin e tij shumëfaqeshMinxhozi që në fillim shkruan titullin e kapitullit të parë: “Rreth i madh çështjesh për të cilat u interesua”. Pastaj me numrin 1 vendos: “Që ditën e parë ai u përpoq të mësojë rreth vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe nëse kjo do të sjellë ndryshime në politikën e Shqipërisë. Këtë e ngriti në një numër takimesh...Javër Malon e pyeti për Feçor Shehun...Ismail Kadaresë i kishte thënë se diku kishte lexuar apo parë se ai ka pasur disa vështirësi si artist dhe si person, pas vrasjes së Shehut dhe donte të dinte nëse kjo ishte e vërtetë. Ai e pyeti Kadarenë nëse ai tani e tutje do të vazhdonte të botonte veprat e tij dhe nëse i është refuzuar ndonjë prej tyre...Në lidhje me Dritëro Agollin....”

Viktor Majer pas këtij udhëtimi të dytë në Shqipëri do t’i kushtohej edhe më shumë çështjes kosovare dhe në shtyp temës së Mehmet Shehut fare pak vëmëndje. Duket se informacionin nuk e donte si lëndë për shkrimet e tij, por diku për ta raportuar. Mbase në Ministrinë e Jashtme të Republikës Federale, me të cilën bashkëpunonte. Mbase edhe në ndonjë “xhep” tjetër të shtetit gjerman perëndimor.

Ky mik i madh i shqiptarëve,  i cili ndoqi me vëmendje fatin e tyre pas vdekjes së Enver Hoxhës, rënies së regjimit të dhunshëm të këtij të fundit në fund të moteve 1990-1991, rezistencës paqësore dhe më pas me armë në Kosovë, ndërroi jetë në vendlindjen e tij në Zvicër. Qe 22 nëntor 2014, ditë e shtunë. Ishte në moshën 85 vjeçare.

Pati qenë i sëmurë kur  në 29 gusht 2013 kishte shkuar në Prishtinë për të marrë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”. Me këtë rast Viktor Majer kishte thënë fjalët e sinqerta: “Republikës së Kosovës i uroj shumë fat dhe bekimin e Zotit”.

Tiranë, më 17 korrik 2019

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia