Në fjalën e tij Peleshi, u shpreh se krahas zhvillimit makroenomoik, qeveria shqiptare do të ketë një vëmendje të veçantë edhe në një jetesë më të mirë për qytetarët. Dhe konkretisht, Peleshi, nënvizoi se pjesë e kësaj jetese më të mirë, është edhe rimëkëmbja e qyteteve, dhe krijimi i ambienteve në dobi të qytetarëve.
Sipas Peleshit, në këto 25 vite demokraci, nuk ka pasur një plan urban në qytetet shqiptare, çka ka krijuar një masakër urbane, ndërsa parashtroi nevojën e një transformimi të tyre. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri vlerësoi këtë forum që siç tha ai, është hapi tjetër i radhës i programit qeverisës të nisur në janar të këtij viti për rilindjen e qyteteve të Shqipërisë.
“Ne jemi sot këtu për të promovuar programin e qyteteve tona, që ne duam ta quajmë, Rilindja e Qyteteve dhe Bashkëjetesës. Shoqëria shqiptare është një bashkësi individësh. Pra nëse flasim për një qeverisje kombëtare flasim për qytetarët. Kështu nëse ne, duam të jemi një qeveri që ka në qendër qytetarin, do të duhet që krahas kujdesit tonë për treguesit makroekonomikë, të përkthehet në një jetë më të mirë për qytetarët. Shpesh herë ne bëhemi qesharakë kur flasim për inflacionin etj që shumëkush nuk i përkthen në një jetë më të mirë. Deri më tani rritja ekonomike nuk ka qenë e përqendruar drejt mirëqenies. Prandaj ne nuk duhet të mbetemi peng drejt zhvillimit makroekonomik por edhe në dobi të qytetarëve prandaj duam të rilindim qytetet tona. Programet për qytetet, e kthejnë mjedisin në një ambient më të mirë. Ky është forumi i parë urban që çel tiparin e një serie forumesh që do të zhvillojmë në të gjithë vendin. Ne flasim shpesh për tranzicionin dhe duam t’i shpëtojmë, shumë qeveri kanë premtuar se do ta nxjerrin nga tranzicioni, por nëse mendohemi dhe themi se pse jemi në tranzicion. Në këto vite ndodhi një masakër urbane, që edhe ne edhe kur zhvilloheshim, e bënim në kurriz të të tjerëve.” theksoi në fjalën e tij Peleshi
Peleshi: Hapësira kulturore e sportive për të rinjtë, jo më kafeneve
Rilindja e qyteteve, ka në thelb edhe bashkëjetesën e qytetarëve, dhe kjo sipas Peleshit, do të arrihet përmes investimeve në hapësirat publike që do tu shërbejnë të rinjve.
Konkretisht, zëvendëskryeministri tha se qeveria parashikon krijimin e hapësirave kulturore dhe sportive për të rinjtë, dhe largimin e tyre nga kafenetë, dhe kjo sipas tij për të krijuar një kulturë të re.
Për të arritur këtë, Peleshi nënvizoi se 40% e investimeve do të përqëndrohet në qytete dhe fshatra, me qëllim krijimin e këtyre ambienteve për të rinjtë. Një tjetër risi janë edhe vënia në dispozicion të pushtetit vendor të kapaciteteve dhe ekspertizës projektuese, që sipas Peleshit ka mungur deri më tani.
Kjo siç thekson Peleshi, do të rrisë cilësinë e projektimit për të bërë të mundur plotësimin më të mirë të nevojave dhe qëllimeve të qytetarëve.
“Prandaj në sloganin tonë kemi futur edhe bashkëjetesën, që do të mund të na garantojë futjen në normalitet. Në fakt ne besojmë, që investimi në hapësira publike është nje evolucion jo vetëm infrastrukturor por edhe kulturor. Kjo do të thotë se i japim qytetarëve tanë të farkëtojnë interesin dhe vlerësimin e asaj çka është e përbashkët, që këtë ta transferojnë edhe tek fëmijët e tyre. këto bëhen për të kultivuar një kulturë tjetër. Institucioni i kafenesë është institucioni sundues tek të rinjtë sot. Ne duam të zgjojmë një kulturë tjetër, që kanë të bëjnë me kulturën, sportin. Ne duam të krijojmë kushtet për të rinjtë, për kulturën sportin, që të largohen nga kafenetë, për mes programit të transformimit urban të qyteteve. Në këtë kuadër 40 % e investimeve shkon për qytetet e fshatrat. Një risi tjetër është edhe fakti se bashkitë e lëna vetëm deri më sot, vuajnë nga mungesa e kapaciteteve dhe ekspertizës projektuese. Dhe për këtë kemi nisur një thirrje prej 2 mld dollarë, e cila në fund do të përzgjedhë një grup studiosh projektimi që do të jenë në funksion të qyteteve, duke rritur në këtë mënyrë cilësinë e projektimit, çka do të thotë plotësim më i mirë i nevojave dhe qëllimeve.” u shpreh Peleshi
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)