/ATSH/.- "Rilindja e qyteteve të bashkëjetesës komunitare" është një program zhvillimi që synon transformimin e qendrave urbane duke iu përgjigjur realitetit të ndarjes së re territoriale dhe vizionit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të tyre.
Për këtë qëllim, një seri forumesh urbane do të promovojnë programin e mbështetjes me projektim për Njësitë e Qeverisjes Vendore, si dhe do të sjellin pranë studiove të projektimit ndjesinë e vetë qytetit për projektimin, hapësirat urbane etj.
Për më tepër, forumet do të sjellin në vëmendje rëndësinë e peisazheve urbane të qyteteve. Programi synon të furnizojë me projekte cilësore të gjitha Bashkitë e reja që do të krijohen, sipas ndarjes së re territoriale.
Sipari i këtyre forumeve çelet pasditen e sotme me forumin e Elbasanit, ku, sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i Ministrave, do të jenë të pranishëm zyrtarë të qeverisë, zv/kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, kryebashkiaku Qazim Sejdini, etj.