TIRANË - Pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Tiranës për skandalin me recetat fiktive të rimbursimit, vetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka investiguar në lidhje me këtë rast.

Në dokumentin e siguruar nga A1report rezulton se më 24 prill të këtij viti, mbi një muaj para arrestimit të 9 personave mes tyre dhe drejtorit të rajonit Tiranë Pjerin Xhuvani, Fondi kërkonte informacion nga urdhri i farmacistëve në lidhje me 4 farmaci mes tyre subjekti “Lundër”, “Bërzhitë”, “Nutrimed 2012” dhe “Adelina”.

Siç rezulton në këto faksimile 2 nga katër farmacitë nuk rezultojnë fare në regjistrin e të dhënave të urdhrit të farmacive, i cili është institucioni përgjegjës për njohjen e të drejtës të këtij profesioni si dhe lëshimin e lejes si farmacist, drejtues teknik apo ndihmës farmacist.

Janë pikërisht farmacia “Bërzhitë” dhe Farmacia “Adelina” dy subjektet të cilat nuk ekzistojnë në regjistrin elektronik të farmacistëve në Shqipëri për të cilët hetimet nxorën se ishin farmaci fiktive.

Ndërsa dy farmacitë e tjera ajo “Lundër” dhe “Nutrimed 2012” edhe pse ekzistojnë si subjekte në regjistrin elektronik të të gjithë farmacistëve të Shqipërisë ata nuk kanë asnjë të punësuar çka është një kusht ligjor për lidhjen e një kontrate me fondin për ofrimin e shërbimit të recetave të rimbursueshme.

Pas hekurave për këtë vjedhje qëndrojnë Pjerin Xhuvani dhe Hysni Roçi, të konsideruar si ideatorët e skemës ku u vodhën 56 milionë lekë, ku për 3 vartëset e Xhuvanit Gjykata caktoi arrest në shtëpi si masë sigurie dhe për 4 farmacistët masën e detyrim paraqitjes.

Aktualisht hetimet për vjedhjen e 56 milionë lekëve nga buxheti i shtetit me anë të recetave fiktive janë të hapura, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit me inicialet F.B 40 vjeç dhe H.T 59 vjeç.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)