Rindërtim i së shkuarës duke rindërtuar të ardhmen dhe rruga e anasjelltë

Rindërtim i së shkuarës duke rindërtuar të ardhmen dhe rruga e anasjelltë

Nëse, sapo ke mbaruar së lexuari një libër, ai të fton menjëherë ta lexosh për së dyti, atëherë e ke të pamundur të mos kërkosh sekretet e kësaj ftese.

Të tillë ndjesi të përfton libri "Thinjat e Atdheut" i Eugjen Merlikës, intelektual i shquar nga shtresa e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, shkrimtar, eseist, publicist, përkthyes. Autori me këtë mbiemër të famshëm është nipi i Mustafa Merlikës Krujës, protagonist i historisë sonë deri këndej mesit të shekullit të njëzetë.

Të mbash me dinjitet një mbiemër të tillë, të trajtuar me padrejtësi të qëllimshme nga historiografia komuniste gjatë gjithë diktaturës, me rezervë të qëllimshme nga historiografia e postdikaturës, ka qenë guxim i madh. Aq sa ka qenë dhe është përgjegjësi. Eugjen Merlika, me vetëdije të lartë, e ka përmbushur amanetin e pashkruar të gjyshit. I mbijetuar i ferrit të kuq, veç "me tregue", siç do të thoshte At Zef Pëllumbi, ai gjithë këto vite po hedh dritë mbi figurën e Mustafa Merlikës, vetvetiu kështu duke marrë barrën për të hedhur dritë mbi sagën shumëbreznore të familjes Merlika, nëpërmjet saj duke hedhur dritë mbi sagën shumëbreznore të klasës së cilës i përkiste familja Merlika, mbi sagën e vetë kombit të cilit i përkiste kjo klasë. Kësisoj autori do të ndërtonte të shkuarën nëpërmjet së ardhmes, duke synuar për të rindërtuar kështu njëkohshëm të ardhmen nëpërmjet së shkuarës.

"Saga e një kombi është saga e familjeve të tij parë në vështrim të gjerë," thotë teologu i famshëm bashkëkohor amerikan Tony Evans.

Eugjen Merlika, me një zell të pashoq, merret pikësëpari me botimin e të gjithë trashëgimisë dorëshkrimore të Mustafa Merlika Krujës. Nëpërmjet këtij botimi tashmë gjyshi i tij, i ngulitur në kujtesën e shqiptarëve të lindur e të rritur në diktaturë vetëm si kryeministër i periudhës së pushtimit fashist, si kryeministër i Shqipërisë së Bashkuar, ai vjen tek ne dhe brezat e ardhshëm tashmë si një nga postrilindasit më të mëdhenj të kombit, si një nga nacionalistët më të formuar e më vizionarë në themelimin dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar, si intelektual krijues me interesa të gjëra për historinë, kulturën, gjuhësinë shqipe. Me një fat gati të pazakonshëm, ndonëse jashtë Shqipërisë i jetoi gati dy të tretat e jetës, ai iu përkushtua deri në fund të jetës, me të gjitha energjitë e tij çështjes kombëtare. Duke qenë pjesëmarrës aktiv i zhvillimeve të mëdha historike të kombit, Mustafa Merlika Kruja është një dëshmitar autentik me kujtesë të pagabueshme, duke mos ia lejuar vetes asnjë shtrembërim të së vërtetës historike. Familja arriti të përmbushë amanetin për kthimin e eshtrave të Lalës nga Amerika dhe rivarrosjen në Krujë, qytetin e lindjes. Ai, me pjesëmarrës të brezit të dytë, të tretë dhe të katër të familjes Merlika, përfshirë djalin e tij të dytë, Fatosin 91 vjeçar, më 10 shtator 2011, arriti të shkojë familjarisht në kryeqytetin e Kosovës së pavarur, për të vizituar privatisht rrugën që çonte tek Kuvendi i Kosovës e që mbante në krye të saj një pllakë me emrin “Mustafa Kruja”. Emrin e "ish kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës", siç e quajnë në Kosovë Mustafa Merlika Krujën e kanë marrë edhe rrugë në qytetet e Pejës dhe Gjakovës. Gati 70 vjet më herët do të vinte këtu vetë kryeministri, i cili, pasi theksonte se Fati i Kosovës asht Fati i Shqyptarisë, thoshte se ardhja në Kosovë është “pikë së pari nji detyrë haxhillëku qi e ka borxh çdo shqiptar kur mundet me e krye.”

"Thinjat e Atdheut", sikurse libri i mëparshëm "Përsiatje..." përveçse libër për Merlikët, në radhë të parë, është libër për Markagjonët, Mirakajt, Dinet, Përvizët, Kolajt, Kaloshët, Kupët e tjerë, është libër për ndërthurjet e fateve të familjeve të mëdha të kombit tashmë jo në vijën e parë të përfaqësimit të kombit, lartësimit të kombit, por në llogoren e ferrit të përbashkët të mbijetesës. Klasa e lartë e kombit dhe e vendit do të ishte klasë e përmbysur, do të ishte e deklasuar. Kam kërkuar gati disi nënvetëdijshëm të gjej përkufizim sa më të saktë për të deklasuarit, siç quheshin të përmbysurit nga përmbysësit e pushtetit. Eugjen Merlika, në shënimet për botimet e gjyshit, e jep përgjigjen më të pranueshme: ishte klasa e lartë e formuar gjatë shekujve dhe e konsoliduar gjatë dekadave të para të shtetit shqiptar, të cilën komunizmi do ta shndërronte në skllave ose do ta zhdukte fizikisht pa mëshirë, duke i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa përmasën e saj të orientimit perëndimor, praktikisht duke e lënë atë pa të ardhme.

Familjet e mëdha shqiptare, pas nëntorit 1944, të pjesëtuara e të fragmentuara në Shqipëri, Jugosllavi dhe nëpër botë, do të përballeshin pandërprerë me revanshin shfarosës komunist. Komunistët merrnin pushtetin, pushtonin pallatet e klasës së lartë, rrëmbenin pronat, pasuritë, çifligjet, por do të mbeteshin gjithnjë "këmbët që u ngritën për t'i rënë kokës", një frazeologji popullore e shndërruar në profeci të zezë nga Sh. Musaraj tek poema "Epopeja a Ballit Kombëtar". Pas eliminimit të klasës borgjezo-feudale, komunistët do të merreshin egërsisht me eliminimet brenda llojit, në kuadrin e luftës së klasave ose çrrënjosjes së botëkuptimit feudoborgjez, mallkim i vërtetë prej të cilit nuk do të kishte imunitet, nuk do të kishte shërim as shpëtim asnjë kategori, asnjë individ. Krerëve të klasave të larta nëpër burgjet, nëpër qelitë, nëpër trekëmbëshat, nëpër varrezat e përbashkëta të fshehta do t'iu shtoheshin edhe vetë krerët komunistë. Sipas teorisë marksiste, revolucioni është luftë për jetë a vdekje midis së shkuarës dhe së ardhmes. Kështu e shkuara, në fakt, e invadonte të ardhmen, e invadon edhe sot të ardhmen, duke mos i lënë asaj aspak shteg nga të vijë. Pa klasën e lartë të formuar në shekuj, vendi do të ishte një trup pa kokë. Kështu Shqipëria do të shndërrohej në burg, në kamp përqendrimi, ndërsa shoqëria shqiptare do të shndërrohej në xhungël. Dhe xhungla, me gjithë trazimet që pësoi pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, mbetet tragjikisht e tillë në ditët tona dhe pa shpresa të ardhmeje.

Eugjen Merlika, në shkrimet e tij, i ndan epokat e Shqipërisë moderne në tri sosh, në Shqipëri e Parë, pra të viteve 1912 -1944; në Shqipëria e Dytë, pra të viteve 1944-1990; dhe Shqipëria e Tretë, pra të pas vitit 1990. Shqipëria e Dytë e gjeti atë disa muajsh. Ai jetoi 47 vjet nën këtë regjim. Dhe është dëshmitar sesi fati tragjik i bashkoi familjet e mëdha shqiptare në kampet e përqendrimit nga Tepelena, Kruja, Berati, Porto Palermo, sektorët e fermave të Lushnjës, të Fierit e sa e sa qendrash internimi, ku ato nuk do të jetonin, por thjesht, siç thotë autori, do të vegjetonin. Në këto kampe të përqendrimit, mbështetja kryesor e mbijetesës do të ishte solidariteti mes këtyre familjeve, do të ishte forcimi i lidhjeve të vjetra, krijimi i lidhjeve të reja nëpërmjet miqësive, nëpërmjet krushqive. Hendeku midis këtyre familjeve dhe pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare do të ishte kaq i madh sa ajo do të përballej, pas vitit 1990, me paintegrueshmërinë e saj në këtë shoqëri. Sado me vështirësi të jashtëzakonshme, këto familje do të integroheshin më lehtë në shoqëritë perëndimore, atje ku do të kishin ngrysur ditët e tyre të fundit njerëzit e tyre, emigrantët politikë, kundështarë të regjimit të Enver Hoxhës.

Fati nuk do ta lejonte Mustafa Merlika Krujën të kthehej në Shqipëri atë nëntor të vitit 1944, kur ai kishte shkuar në Vjenë, në spitalin ku po jepte shpirt biri i tij Besimi. I njëjti fat do t'i mbante në Shqipëri shumë nga kolegët dhe miqtë e kabinetit që ai kishte drejtuar, të Institutit të Shkencave që ai kishte drejtuar, të emigracioneve politike të mëhershme, të zhvillimeve të tjera politike të mëhershme, të tjerë, po fati do t'i shpëtonte nga ferri i komunizmit për t'i përballur me travajet e pafundme të një emigrimi të ri politik.

Pikërisht fati e bashkon Eugjen Merlikën me Zef Pashuk Mirakajn, lindur më 27 gusht 1942 në Prizrenin e "tokave të lirueme", i rritur nëpër kampet e përqëndrimit të Shqipërisë, i arratisur nëpërmjet ngushticës së Korfuzit, i realizuar në Amerikën e ëndrrave, i mposhtur nga sëmundja më 20 shkurt 2012 në Nju Jork, i ndarë kështu para kohe, siç nënvizon autori, si Ahmet Kolgjini, Gjon Markagjoni, Kin Basha, Mojsi Mirakaj, Bujar Kaloshi, i dënuar me vdekje pa gjyq, Nazmi Veshi, Lekë Dosti, Tefik Çela etj., për të përmendur vetëm pak prej nesh që pa drojë mund të quhemi “brezi i humbur”. Këtu Eugjen Merlika shpërthen duke akuzuar padrejtësitë e djeshme dhe të sotme ndaj brezit të tij: "Është brezi që famëkeqi 29 nëndor 1944 e gjeti fëmijë, bebe apo të palindur. Megjithatë mbi të rëndoi, me të gjithë peshën e saj mizore diktatura komuniste, më kriminalja, më çnjerëzorja, më e përbindëshmja që kish provuar kombi ynë në historinë e tij mijëvjeçare, e vetmja “e aftë” të luftonte me fëmijët që në bark të nënës. Atyre që janë mbrojtësit e hershëm e të vonë të saj, që nga zuzarët sigurimas të internetit deri tek historianët, apostuj të mashtrimit dhjetravjeçar, në këtë çast të ballafaqimit me të vërtetën e përjetësinë, do t’u drejtonja vetëm një pyetje të thjeshtë : në çfarë kodi moral apo ligjor, të shkruar a të pashkruar, të botës së vjetër a të re, gjëndet e drejta për të dënuar një fëmijë të palindur, të sapo lindur apo të një moshe të njomë, për t’a dënuar me internim, me uri, me tortura, me mohim të drejtash për të lozur me shokë e shoqe, për të studjuar si të tjerët, për të krijuar familje mbi bazën e ndjenjave, më vonë me burgim e brejtjen e ndërgjegjes për lindjen e bijve të paracaktuar të pësonin të njëjtin fat?"

"Thinjat e Atdheut" është saga e këtij "brezi të humbur" me fat tragjik të cilit i përket edhe Manjola Mirakaj Libohova (siç e vëreni me dy nga mbiemrat më të famshëm shqiptarë) e bija e Lek Mirakajt dhe Dolores Spahiut, e njohur si "vajza e Gradishtit", kampit ndër më famëzes të përqëndrimit. Është saga e Liri Dori Kupit, e cila duke qenë bijë e një qytetari të thjeshtë pa “njolla në biografi”, dashurohet me shokun e bankës më të madh, Fatbardh Abaz Kupin, duke ndarë me të edhe fatin tragjik që sillte përkatësia e të zgjedhurit të saj të jetës. Është saga e Ahmet Kolgjinit, bashkëvuajtës në kampet e përqëndrimit dhe shok gjimnazi i Eugjen Merlikës, të cilit burgjet ia ndërpresin shkollën dhe ëndrrat e jetës. Është saga e italianes që e zuri viti 1944 në Shqipëri dhe, meqë refuzoi mëtimet shtazarake të Enver Hoxhës, kaloi një jetë skëterrë ngjashëm me refuzueset e tjera të famshme Musine Kokalari e Sabiha Kasimati. Është saga e personazheve që sjell një e dashuruar me viktimat, kryesisht femra, të burgjeve dhe kampeve të internimit, Fatbardha Saraçi Mulleti. Është saga, tashmë e hedhur edhe në vargje e Elena Mirakaj Lulit. Është saga, tashmë e hedhur në telajo, e piktorit Lekë Përvizi.  

Një ndërthurje retrospektivash dhe antiretrospektivash, "Thinjat e Atdheut", në ciklin shkrimor "Ndjesi vetjake", sjell rikthimet e autorit mes bashkëmoshatarëve të tij të kohës së gjimnazit. Eugjen Merlika ka pasur fatin të ishte nxënës i gjimnazit të parë të Lushnjës nga 1 shtatori 1956. Nga 48 nxënës që e filluan gjimnazin, pas katër vitesh, më 1960, matura ka vetëm 13 nxënës. Të gjithë të tjerët janë të detyruar ta ndërpresin gjimnazin në periudha të ndryshme. Në moshën 16 vjeçare, autori mbaron gjimnazin dhe iu jep lamtumirën bankave të shkollës. Për të vazhdon shkolla e burgut politik, e vuajtjes në kampet e përqendrimit, e përndjekjes së pafundme, pastaj fillon shkolla e mërgimit, por nuk ndërpritet lufta për mbijetesë sa më të dinjitetshme, lufta për plotësimin e formimit kulturor e intelektual. Ritakimet me shokët e gjimnazit, me ish mësuesit, më tepër se çmallje janë të mbushura plot me kujtime nga vitet e rinisë së parë, janë të mbushura plot me pikëllime për shokët e ndërprerë nga diktatura apo nga mërgimi, pa arritur të shijojnë jetën.

Sagë e individit, sagë e familjes, sagë e brezit të humbur, libri "Thinjat e Atdheut", nëpërmjet optikash të dëshmitarëve dhe bashkëdëshmitarëve pasuron galerinë e tij të personazheve realë. Mes tyre është një bashkëvuajtëse italiane Aurela Poselli, e cila në moshën 16 vjeçare bëhet objekt i mëtimeve të Enver Hoxhës. E dashuruar me një italian, ajo refuzon Hoxhën, por nuk e gëzon as dashurinë e të zgjedhurit të saj, sepse hakmarrje mizore e Hoxhës, si ndaj refuzueseve të famshme të tij Musine Kokalari e Sabiha Kasimati, do të binte edhe mbi të me arrestimin e burrit, e do t’a detyronte të kthehej në vendin e origjinës, për të rritur jetim të vetmin fëmijë, frut i dashurisë së saj. Është i biri, Aldo Renato Terruzi, ai që hedh dritë për fatin e saj në librin "Brenga ime shqiptare".

Eugjen Merlika, si gjyshi i tij Mustafa Merlika Kruja, është një intelektual demokrat perëndimor dhe nacionalist idealist. Nga gjyshi ka trashëguar adhurimin gjer në kult për kombin, historinë, fatin e tij, ka trashëguar origjinalitetin e qasjes ndaj këtyre temave në shkrimet e tij. Si gjyshi, ai i mban të gjitha antenat e shpirti dhe të mendjes ngritur, për të ndjekur të gjitha zhvillimet bashkëkohore shqiptare. Ai arrin sinteza të fuqishme e të freskëta në trajtimin e figurave dhe ngjarjeve qendrore që përbëjnë fillin epokal të së shkuarës dhe ardhmërisë, në një mënyrë të tillë që, ngado e sido t'i zhvendosë edhe fantazia më e zonja ato të jenë në atë simbiozë të pazhbëshme të quajtur "Thinjat e Atdheut". Në këtë shtrirje vijnë suksesshëm përsiatjet rreth figurave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit, Mbretit Zog, Mbretit Leka I, Mustafa Krujës, Genc Korçës, po ashtu zhvillimeve si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të njohur ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, problemeve të rimëkëmbjes dhe konsolidimit të të Djathtës Shqiptare, si domosdoshmëri pa të cilën nuk mund të kuptohet një demokraci e vërtetë shqiptare. Dhe të gjitha këto  përsiatje i përshkon tejetej përfundimi se atdhetari sot është "të jetojmë për Atdheun e bashkuar, të jetojmë për bashkimin paqësor kombëtar".

Nga gjyshi, autori i "Thinjat e Atdheut" ka trashëguar kultin e gjuhës shqipe, stilin elegant të shkrimit, cilësi që nuk e zbeh në asnjë situatë shkrimore, por vetëm sa e përkryen. Kjo përmasë spikat sidomos në ciklin "Përsiatje letrare", ku merr vëmendje të veçantë Visar Zhiti, shkrimtari simbol i burgjeve dhe vuajtjeve të diktaturës, i biri Atjon Zhiti, fëmija gjeni i ndarë nga jeta në mënyrë të papritur. Penelata drithëruese i kushtohen "Letra grues seme të vdekun" të Gjovalin Gjadrit, një vepër tronditëse dostojevskiane e lënë në dorëshkrim nga autori dhe botuar dhjetëra vjet më vonë. Eugjen Merlika e paraprin çdo shkrim me mbishënime nga thënie brilante njerëzish të famshëm, të cilët shërbejnë për të zbuluar theksin logjik të përmbajtjes dhe për të plotësuar mesazhin që japin titujt e shkrimeve, të cikleve dhe të vetë përmbledhjes "Thinjat e Atdheut", ku çdo personazhi, çdo ngjarjeje, çdo mendimi, çdo ndjenjë, çdo përsiatjeje i përgjigjet një thinje nga thinjat e panumërta, të vjetra e të reja, të shkuara dhe të ardhme të Atdheut.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën