Paralelisht me ndërtimin e lagjeve të reja në Thumanë e Bubq, ku do të strehohen banorët që mbeten në çadra nga termeti i 26 nëntorit 2019, po ndërtohen edhe shkollat e reja.
Nga 13 objekte arsimore të shembura, 4 do të përfundojnë së ndërtuari në janar 2021.
"Një faze që pushteti vendor po merret është ndërtimi i godinave arsimore,janë prekur rreth 13 godina arsimore 4 prej tyre, janë në fazë tejet të avancuar dhe maksimalishti deri në janar ne janar do bëhet inagurimin i këtyre shkollave, përfshirë në Thumanë, në Derven dhe Larushë godina e tjera financim i bashkimit më shumë kohë" - tha zyrtari i bashkisë, Drini Masha.
Masha thotë se ka nisur puna për restaurimin e 4 monumenteve të kulturës që pësuan dëme.
"Një detaj tjetër është restaurimi i monumenteve të kulturës, siç është Kalaja e Kulturës e cila pësoi jashtëzakonisht dëme. Katër elementët shumë të rëmdësishëm të trashëgimisë tonë kulturore janë pjesë e programit të rindërtimit për të cilat ka nisur meremetimi" - tha Masha.
Kruja, ishte bashkia e dytë më e dëmtuar pas Durrësit.Një banor i këtij qyteti shprehet se ka nisur rindërtimi vetem në zonat fushore, ndërsa në qytetin e gurtë ende jo.
“Nuk ka asnjë lloj zhvillimi për qytetin e Krujës, sepse ka filluar Fushë-kruja ka filluar Thumana, këtu nuk po bëhet asgjë dhe nuk e di arsyen pse nuk po fillojnë. Na kanë lënë në mëshirë të fatit. Të paktën të bëhej dicka. Jam me dy fëmijë, unë jetoj më vete, nëna dhe babai jetojnë më vete. Paguajmë dy lloj qerash, dhe nuk po na del askund” - shprehet një banor.
Mbi 5 mijë pësuan dëme në gjithë Bashkinë e Krujës, ku përfshihen dhe Fushë-Kruja, Thumana e Bubqi. Banorët janë trajtuar të gjithë me bonus qiraje dhe kanë marrë grante për të riparuar dëmet, thanë zyrtarët vendore. Atyre që u është shembur banesa plotësisht pritet të strehohen në lagjet e reja, ku po ndërtohen apartamente dhe shtëpi private.