Ish-deputetja e PD Jorida Tabaku, me anë të një postimi në rrjete sociale vijon akuzat ndaj qeverisë, sa i përket procesit të rindërtimit duke thënë se nuk kanë mbajtur asnjë premtim, pasi sipas saj për 1 vit kanë ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive.

Sipas saj bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara. Kjo përgjigje e Tabakut vjen pasi ministri Arben Ahmetaj dhe kryeministri Edi Rama kanë inspektuar punimet në lidhje me rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i një viti më parë.

"Premtoi se deri në dhjetor familjet do të futeshin në shtëpitë e tyre. Per 1 vit, ka ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive.  Premtoi se në shtator nxënësit do të kishin shkollat e reja dhe qytetarët spitale të reja. Pas një viti, ka ndërtuar vetëm 3% të shkollave të premtuara dhe zero spitale.

 Bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara.  Në një vit ka shpërblyer Gjicët e partisë me taksat e shqiptarëve. Sot vazhdon t’i gënjejë me të njëjtën fabul “prisni dhe pak”. Koha e tij ka përfunduar.

Koha e mashtruesve dhe gënjeshtarëve që duan të përdorin çelësat e shtëpive si kapital fushate ka përfunduar. Koha e hajdutëve që edhe në kohë fatkeqësie tragjeditë kolektive i përdorin si mjete këmbimi për votë në fushatë ka përfunduar. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një qeveri që punon për të përmbushur premtimet dhe nevojat e qytetarëve", shkruan Tabaku.

Momentet drithëruese të tërmetit tragjik 6.4 ballë të shkallës rihter të 26 nëntorit të vitit të kaluar që mori 51 jetë njerëzish dhe la në "qiell të hapur" qindra familje, janë kujtuar nga të gjithë. Qytetarët e prekur tanimë kanë filluar të hyjnë në shtëpitë e tyre, por shumë të tjerë janë ende në pritje pasi rindërtimi ende nuk ka përfunduar. Banesat e para, është premtuar se do të dorëzohen në dhjetor 2020.