Rinumërimi/ Në 12 qarqet rrjedhje votash mes kandidatëve! Komisionerët lëshuan dorën, vota plus Hilës dhe Gështenjës! Deputetët e PS morën votat e partisë, më i ‘vjedhuri’ Xhafaj

Një proces i nisur si procedurë teknike rreth 2 javë më parë në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve, tregon raste flagrante sesi deputetët punuan jo vetëm në fushatë për të mbledhur vota personale më shumë sesa për partinë, por votat rrodhën nga njëri kandidat tek tjetri edhe gjatë procesit të numërimit të zgjedhjeve të 25 prillit.

Rivlerësimi nga KQZ i 10% të kutive të votimit që nuk prek rezultatin, por shikon vetëm si funksionoi administrimi i procesit, tashmë i përfunduar në të 12 qarqet e vendit, tregon se shumë deputetë kanë marrë më shumë vota sesa zgjedhësit kanë shenjuar në fletën e votimit për ta.

Rekordi mbahet prej deputetëve të Partisë Demokratike Lefter Gështenja e Zef Hila, ndërsa marrjes së votave padrejtësisht nuk i kanë shpëtuar as dy liderët politikë Edi Rama e Lulzim Basha.

Në qarkun e Shkodrës, procesi i rivlerësimit të votave tregoi se komisionerët i dhanë Zef Hilës 104 vota më shumë, ndërsa deputetit Helidon Bushati iu hoqën 36 vota. Sa i përket socialistëve, thuajse të gjithë kandidatët kanë vota më pak, vota të cilat janë numëruar vetëm për partinë.

Në Qarkun e Kukësit Isuf Celajt iu dhanë 21 vota më shumë, prej të cilave 18 ia mori Flamur Hoxhës. Nga socialistët, Gerta Durakut komisionerët i numëruan 18 vota më pak.

Në Lezhë rrjedhja e votave u bë mes dy miqve demokratë Agron Gjekmarkaj e Mark Markut. Gjekmarkaj mori 18 vota më shumë nga sa u votua, ndërsa Markut iu hoqën 38 vota. Edhe nga kampi socialist, më e dëmtuara ishte kryesuesja e listës Lindita Nikolla të cilës iu numëruan 5 vota më pak. 

Në qarkun e Dibrës deputeti socialist  Lavdrim Krashi mori  8 vota më shumë, ndërsa për demokratët pati parregullsi më të vogla, mes të cilave një votë më shumë për Xhelal Mziun.

Në qarkun e Durrësit betejë e ashpër politike nuk ishte vetëm mes kampeve politike, por siç tregon rivlerësimi i votave edhe brenda forcës politike. Aleati Agron Duka i mori PD 7 vota, një pjesë prej të cilave iu hoqën Edi Palokës, që rezultoi me 10 vota mangut. Për socialistin  Rrahman Rraja u numëruan 19 vota më shumë të cilat iu morën kryeministrit Edi Rama. Këtij të fundit iu hoqën  11 vota.

Kryeqendra e luftës politike, Tirana është qarku me rrjedhjen më të madhe të votave nga një kandidat tek tjetri. Kreu i PD Lulzim Basha mori 26 vota padrejtësisht, ndërsa Sali Berisha rezultoi me 34 vota mangut. Edhe kandidates për deputete Lediana Fratari iu dhanë 47 vota më shumë. Vota iu hoqën edhe kandidatëve të renditur në fundin e listës, Arben Tafaj,  Korab Litës  e Asllan Dogjanit, rreth 40 të tilla për secilin.

Nga socialistët, Yll Shehu mori 46 vota plus, ndërsa më i vjedhuri ishte Fatmir Xhafaj me 60 vota më pak nga sa ishte votuar.

Elbasani tregoi parregullsi të mëdha në numërimin e votave preferenciale. Lefter Gështenja mori 116 kuti më shumë nga sa kishte në kuti, ndërsa Ardian Zeneli, i cili nuk u bë dot as deputet, është kandidati të cilit në të 12 qarqet i janë hequr më shumë vota, 100 të tilla. Edhe socialisti më i votuar Taulant Balla rezulton me 25 vota më shumë ndërsa Klevis Xhoxhi me minus 9 vota. Në Fier Saimir Korreshi i PD mori 14 vota më shumë, ndërsa Agron Kapllanajt iu hoqën 4 vota. Mes socialistëve, Erion Braçes komisionerët i numëruan 20 vota më shumë, ndërsa Gramoz Ruçit 5 më pak. Berat e Korçë gjithashtu votat kaluan nga njëri deputet te tjetri. Salianji e Andrea Mano morën vota nga Edmond Spaho, ndërsa socialistit Ilir Topi iu hoqën 29 vota.

Në Gjirokastër beteja mes të parit dhe të dytit në listën e demokratëve u duk edhe në procesin e rivlerësimit të votave. Tritan Shehu mori 26 vota më shumë, mes të cilave 18 Roland Bejkos. Ministri Bledi ÇuÇi mori 42 vota, por nga partia, jo nga kandidatët e tjerë.  E njëjtja dukuri u vu re edhe në qarkun e Vlorës, ku votat vetëm për partinë, iu numëruan edhe kandidatëve socialistë. Gjiknuri mori 39 vota shtesë, Anila Denaj 20 ndërsa Edi Rama 16.

Me përfundimin edhe të rivlerësimit të votave në KZAZ numër 40, KQZ do të duhet të marrë vendim, për të dërguar në ndjekje penale grupet e numërimit për Qendrat e Votimit ku janë evidentuar këto parregullsi, apo për të konsideruar gabime njerëzore të imponuara edhe nga lodhja kalimin e votave nga një kandidat te tjetri.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 02/11/2021 21:35

    KLANSEKTI PS,PD,LSI,pasardheset e denja te famekeqes PPSH,jane partite me te degjeneruara,me te kriminalizuara dhe me antihumane qe kane 30 vjet me te njejtin avaz dhe ky popull i traumatizuar vazhdon tu jape veten. NEVERI,PERBUZJE DHE KOTËSI.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'