TIRANE- Mes virozave dhe alergjive tek shumë fëmijë po qarkullon edhe infeksioni Pertus apo siç njihet ndryshe 'kolla e mirë'. Deri më tani janë regjistruar 28 raste të fëmijëve me këtë infeksion.
Tetë raste me kollën e mirë, siç njihet jo me term mjeksorë, për shkak të gjendjes së rëndë, ndodhen të shtruar në spitalin infektiv dhe shërbimin e pneumologjisë në pediatri.
Të vegjëlit manifestojnë kollë të zgjatur në kohë nga 2 deri në 5 javë, gëlltitje të sforcuar që u pengon frymarrjen deri në mbytje. Një fëmijë me Pertus, ka veshtirësi të ushqehet dhe të pijë ujë e lengje. Nga 28 rastet me këtë infeskion, 9 prej tyre janë nga rrethet.
Kolla e mirë është një sëmundje shumë ngjitëse; ajo përhapet shumë lehtë nga personi në person përmes kontaktit fizik, nga ajri përmes përshtymës. Ky infeksion që mund të rrezikoje edhe jetën e fëmijëve në rast të mungesës së trajtimit, sipas informacioneve nga bluzat e bardha kishte kohë pa u shfaqur në vendin tonë.
Gjatë pandemisë COVID, rastet kanë qenë sporadike. Për këtë infeksion në vendin tonë fëmijët si pjesë e kalendarit të detyruar kanë edhe vaksinimin. Vaksina e pertusis u jepet moshave nga 2, 4 dhe 6 muajshe.
Në moshën 4-5 vjeç dhe në atë 16 vjeçare ju bëhen doza përforcuese. Vaksina e Pertusis rekomandohet gjithashtu për gratë shtatzana pas 16 javësh dhe deri në 36 javë shtatzënie në çdo shtatzëni, për të mbrojtur veten dhe foshnjën e tyre në muajt e parë të jetës.

Komente

