A është rishikimi i masës së arrestit me burg një hap i duhur drejt një drejtësi më të balancuar, apo një “amnisti e fshehtë” për të korruptuarit? Ky ishte fokusi i debatit të së enjtes në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ku u diskutua rreth mbledhjes së Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, e kërkuar nga Sokol Sadushi, për të rishikuar praktikën e vitit 2012 mbi paraburgimin.

Në argumentat e tyre, analisti Arben Meçe dhe avokati Alban Duraj ranë dakord se sistemi ka probleme serioze, por dhanë lexime të ndryshme për arsyet dhe zgjidhjet.

Meçe theksoi se Shqipëria ka abuzuar me paraburgimin, duke mbajtur në burg mijëra njerëz pa gjyq dhe se ndërhyrja është e domosdoshme për të vendosur standarde europiane dhe për të detyruar prokurorët e gjykatat të justifikojnë më fort vendimet.  

Më tej, ai ngriti një akuzë të fortë, duke thënë se në disa raste vendimet për masat e sigurisë janë kthyer në “biznes” mes prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke krijuar një sistem të deformuar. Sipas tij, fuqizimi i madh i prokurorisë dhe SPAK ka prishur ekuilibrat në drejtësi, duke dobësuar rolin e avokatit dhe duke krijuar një situatë ku prokurori dhe gjykata dominojnë procesin, ndërsa avokati trajtohet si i parëndësishëm.

“Në Shqipëri, 58% e të burgosurve janë në paraburgim, pra mbahen në burg pa gjyq. Kjo çështje është bërë shumë serioze në komunikimin e Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. Është çështje e të drejtave të njeriut. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka trajtuar 7-8 çeshtje ku ka ngritur aspektin serioz të paraburgimit. Masa më ekstreme e sigurisë është paraburgimi. Jo në pak raste, ndryshimi i masës së sigurisë është kthyer në biznes korruptiv në marrëdhënien prokurori-gjykatë. Gjykimet që bëhen në Shkallë të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm është kthyer në një fenomen korruptiv. Ka një marrëdhënie mes prokurorit dhe gjyqtarit ku masa e sigurisë është kthyer biznes. Sot në Shqipëri, falë vullnetit politik në tendencën për ta fuqizuar prokurorinë dhe SPAK kemi arritur të prodhojmë një institucion të gjithëfuqishëm. Qoftë Prokuroria eJuridiksionit të Përgjithshëm, qoftë SPAK kanë marrë një pushtet të jashtëzakonshëm që kur ballafaqohen në gjykatë, kemi cënuar rëndë institucionin e avokatit. Kjo prish ekuilibrin e funksionimit të rendit ligjor në Shqipëri. Kemi një gjykatë dhe prokuor që marrin vendim dhe një avokat që shihet jo si përfaqësues i palëve por si i pandehur” tha Meçe .

Nga ana tjetër, Duraj ngriti akuza për mungesë barazie dhe funksionim të deformuar të sistemit pavarësisht pritshmërive që kishte Reforma në Drejtësi. Duraj ngriti akuza të forta duke thënë se ka shumë shkelje proceduriale dhe raste konflikti interesi, ndërsa institucionet si ILD që duhet të kontrollojnë sistemin, sipas tij nuk funksionojnë fare.

Sipas Durajt, drejtësia në Shqipëri nuk po zbatohet njësoj për të gjithë: qytetarët e zakonshëm përfundojnë në burg edhe për shkelje të vogla, ndërsa për politikanët ka standard tjetër, çka sipas tij, nënkupton se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara për çështjen e paraburgimit ka prapavijë politike.

“Përditë qytetarët vuajnë nga sistemi gjyqësor edhe pse ne shpresonim shumë që Reforma në Drejtësi do të sillte përmirësim si për organin procedues penal por edhe gjykatës. Këto dy institucione janë të pavarura nga njëra tjetra. Sa i përket imazhit që tregojnë këto institucione, në momentin që jemi në sallë gjyqi, prokurori dhe gjykatësi futen nga e njëjta derë së bashku, ndërsa avokati me hallexhiun futet nga dera tjetër. Vendimarrja qe duhet të ndryshohet i përket 2011. Këto probleme kur dolën? Në 2026 apo me herët? Ne si avokatë kemi ngritur gjithmonë shqetësimet tona. ILD është institucion inekzistent. Ka me qindra ankesa dhe gjemb në këmbë nuk u hyn gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ku është ky institucion kaq i rëndësishëm që nuk merr masa dhe nuk heton sjelljen dhe vendmmmarjen e këtyre gjyqtarëve.  Prokuroria shkon me një masë shtrënguese ndërsa gjyqtari miraton çdo gjë. Ka qindra shkelje proceduriale, shkelje të konfliktit të interesit, shpesh here gjyqtarët u thonë palëve që nuk kanë ce duan avokatin, pra ka shkelje. Në rastin konkret u bë kaq e madhe sepse këta po gjenden vete përpara drejtësisë. Ka një prapavijë politike sepse këtyre u ka ardhur aty ku nuk mban ujë pilafi. Hallexhiun e fusin në burg për faturat e dritave apo parkim dysh, ndërsa vetë jo. Pse investohet kryetari i Gjykatës së Lartë tani ndërkohë që ka 6 vite në detyrë, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët janë treguar të pamëshirshëm dhe të pashpirt ndaj qytetarëve në kohën e pandemisë. Tani na vjen Gjykata e Lartë dhe investohet në një kohë që ka me qindra çeshtje. Një prej tyre ka të bëjë me divorcet. Ka vajtur projektligji ka dy vjet që fle në kuvend ndërkohë që ne investohemi në gjëra kote. Pra nuk ka barazi mes qytetarëve dhe politikanëve” tha avokati Duraj.

Debati mes tyre u nda edhe mes nevojës për të korrigjuar një sistem që po mban njerëz pa të drejtë në burg dhe dyshimeve se ndryshimet po vijnë me vonesë dhe nën presion politik e ndërkombëtar.

Meçe këmbënguli se ndryshimi i praktikës nuk fal askënd, por synon të detyrojë prokurorin dhe gjykatën të justifikojnë realisht pse një person duhet të mbahet në burg.

Sipas Meçes, praktika e vjetër e vitit 2011 linte shumë hapësira dhe nuk kërkonte argumentim të fortë për “rrezikshmërinë”, ndaj përfundimisht shumë njerëz përfundonin në paraburgim edhe kur mund të përdoren masa më të lehta si arresti shtëpiak apo detyrimi për paraqitje. Sipas tij ndryshimi i ri synon të vendosë më shumë prova dhe përgjegjësi mbi prokurorinë dhe gjykatën, në mënyrë që burgu të mos përdoret automatikisht.

“A duhet që t’i lëmë në burg këta 54% të njerëzve vetëm e vetëm që të mos merremi me 3% që i përket SPAK? Unë them jo. Problemi serioz është se kemi në burg njerëz që nuk meritojnë të jenë në burg. Kjo masë nuk amniston asgjë. Kolegjet e Bashkuara do të bëjnë praktikë unifikuese në mënyrë që prokurorët të argumentojnë masën me burg. Deri tani me praktikën e 2011-es prokurori duhet të justifikojë a kemi të bëjmë me elementë rrezikshmërie. Nuk është detyruese argumenti se çfarë do të thotë i rrezikshëm. Së dyti, përse duhet të kalojë medoemos tek maas e sigurisë me burg, përse të mos kemi masën e arrestit me shtëpi apo detyrim paraqitje. Praktika e 2011 linte shumë hapësira dhe kemi përfunduar aty ku 54% e njerëzve përfundojnë në burg ndonëse nuk duhet të përfundojnë në burg. Prokurori duhet të justifikojë përse nuk përdor masa të tjera, përse nuk i mban në arrest shtëpie. Praktika qe po unifikohet tani i vë detyra prokurorisë dhe gjykatës që të detyrojë gjyqin përmes provave” tha Meçe

Meçe e lidhi këtë zhvillim drejtpërdrejt me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ai tha se në vitin 2025 janë hapur kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, dhe pikërisht aty paraburgimi është një çështje kyçe. Sipas tij, presioni nga Europa është real dhe serioz, ndaj këto ndryshime po shtyhen tani.

Kur u pyet “pse pikërisht sot”, Meçe u përgjigj me logjikën “më mirë vonë se kurrë”, duke nënkuptuar se ndërhyrja mund të jetë e vonuar, por është e domosdoshme. Sipas tij, ky problem nuk mund të lihet më pezull, sepse lidhet direkt me standardet europiane dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së