TIRANË- Siç Gjykata e Posaçme ia kishte lënë detyrë, në seancën për procesin e Sterilizimit, SPAK i komunikoi dhe i argumentoi ish-ministrit Ilir Beqaj ndryshimin e akuzës. Dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Edvin Kondili i qëndruan bindjes së tyre se ish-ministri në këtë proces duhej të akuzohej vetëm për shpërdorim detyre, akuzë me të cilën e kishin dërguar edhe për gjykim.

Por, gjatë seancave paraprake për herë të parë u artikulua nga SPAK akuza e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të grupit kriminal. Vetë prokurorët thanë se ndryshimin e akuzës për Beqajn e pranuan pas sugjerimit të Gjykatës, pasi në të kundërt çështja do rikthehej për hetim. Ish-ministri deklaroi se akuza e ngritur ndaj tij, nuk mund të jetë bindja e gjyqtarëve dhe artikuloi akuza për një proces jo ligjor.

Ilir Beqaj: Nuk ka minimalisht një numër apo një shifër për vjedhjen, ose një veprim apo mosveprim timin. Nuk është përmbushur urdhri që iu dha nga ana e gjykatës. Nëse quhet i ezauruar ky moment, do shprehem më vonë.

Avokati Ermal Yzeiraj: Nuk ka çfarë saktësimi të bëjë prokuroria. Kjo që ka sjell prokuroria është pa bazë ligjore, nuk ka ku mbështetet. Duhet të marrë një vlerësim paraprak nga gjykata, nëse kjo e përmbush apo jo kërkesën e gjykatës.

SPAK: Kjo u kërkua nga ana e gjykatës, që prokuroria të sqarojë me shkrim se cila është akuza me të cilën është përcjellë për gjykim i pandehuri. Ka një fakt, që gjatë shqyrtimit të seancës paraprake, prokurorët e kanë bërë prezent faktin që në bindjen e tyre vazhdonte të ishte akuza e “shpërdorimit të detyrës”. Nëse prokuroria nuk do të ndryshonte akuzën, gjykata do të kthente aktet.

Ilir Beqaj: Akuza ndaj meje nuk është bindja e tyre. Është një proces jo ligjor.

Ilir Beqaj kërkoi që në të gjykohet në sallë dhe jo në kafaz, kërkesë për të cilën Gjykata do të shprehet në seancën e radhës më 28 prill ku avokatët dhe Beqaj do të paraqesin kundërshtimet për parashtrimet e akuzës.

lir Beqaj akuzohet për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi, e cila ndodhet në fazën e gjykimit, dhe për këtë dosje, është pa masë sigurie. Disa ditë më parë, GJKKO mbylli shqyrtimin gjyqësor për 8 të pandehurit e tjerë të cilët janë në proces më vete nga ish-ministri, me gjykim të shkurtuar, dhe pritet që për ta të shpallë vendimin më 4 mars në orën 15:00.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim....