Arkitekti, Artan Shkreli, ka kritikuar projektin për ristrukturimin e Kishës së Prokopit me vendndodhje në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në facebook, Shkreli ka postuar një foto të kishës së Prokopit të propozuar nga arkitekti Skënder Luarasi dhe një foto të propozimit për ristrukturim që sipas tij, nuk ka lidhe me projektin origjinal.

“Sprapësimi i kishës ortodokse! Do e konsideroja, nëse është e vërtetë se ristrukturimi i kishës të Shën Prokopit, do bëhet në një stil pa lidhje as me projektin origjinal ikonik të ark. Luarasit (senior), e as me traditat shekullore stilistike-ekleziastike të Ballkanit jug-perëndimor”- shkruan arkitekti.

Ai tha se dikush nga Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare duhet të ndërhyjë për të ndaluar këtë projekt që ende nuk ka filluar, duke e konsideruar këtë të fundit si “një marrëzi të panevojshme”.

“Nuk di nëse ka njerëz që kanë njohuri arkitekturore në strukturat e KOASH, sikurse ishte dikur i nderuari at Theologu, por dikush duhet të ndërhyjë pranë hirësisë së tij kryepeshkopit Anastas, në mënyrë që autoriteti i tij të ndalojë, sa pa filluar, këtë marrëzi të panevojshme. Në foto:
1. Kisha e Shën Prokopit projektuar nga arkitekti i shquar S. Luarasi në gjysmën e parë të shek XX.
2. Propozimi i ri, i falsifikuar dhe i turistifikuar sot.”- shprehet Shkreli ndër të tjera.

Kisha e Prokopit është ndërtuar në vitin 1780 për nder të shenjtorit mbrojtës të Tiranës, Shën Prokopit. Në vitin 1967 edhe kisha e Shën Prokopit pati fatin e të gjitha objekteve të tjera të kultit. Ajo u gjymtua, duke iu hequr pjesët harkore.