ATSH/-" Risveglio dell"Umanita " vijon të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me baletmaestër Liliana Cosi, muzika Igor Stravinski "Sagra della Primavera", Bedrich Smetana, "La Moldava", Adrian Enescu "Dialogo con l'Infinito".
Të ftuar specialë të Kompanisë "Balletto Classico" dhe solistë të TKOB-së. Ky balet është pjesë e repertorit të Kompanisë "Balletto Classico" Cosi - Stefanescu. Premiera e shfaqjes daton në vitin 1986 duke korrur më pas sukses të madh edhe nëpër turne në Itali dhe jashtë saj, nga Europa deri në Kinë e nga Libani deri në Japoni.
Kjo shfaqje, u zgjodh për të celebruar përvjetorin e 45-të të Kombeve te Bashkuara në Gjeneve si dhe ne Festivalin "Gioventù Arte Armonia" në shumë qytete të Italisë. Simbioza mes klasikes dhe modernes, shija në përzgjedhjen e ngjyrave, kostumeve, skenografia dhe stili koreografik i cili fillimisht është i ashpër dhe naiv, e më pas i thjeshtë dhe simbolik, bashkuar edhe me tematikën e aktualitetit, ofrojnë për publikun një spektakël mahnitës.
Kjo epokë është e mbushur me dhimbje, ndarje e tragjedi. Çdo vend pëson kriza të ndryshme por të gjitha janë të rënda dhe kërcënojnë vetë mbijetesën në tokë. Megjithëse shenjat e një "rizgjimi" po shfaqen...gati si një cikël që mbyllet: që shprehet në formën e dëshirës për bashkim dhe paqe. Ky është edhe mesazhi që kjo shfaqje përcjell ndërsa personazhi kryesor është "Njeriu" i cili do të sjellë ndryshimin për llojin e vet. Kështu protagonisti për shkak të dashurisë që instiktivisht ka për natyren, nuk vret gjatë ritualit pranveror dhe per shkak të këtij akti të mrekullueshëm do ta shohim atë të transportuar në një takim me shtatë elementët që përfaqësojnë harmoninë dhe ekuilibrin tokësor, të cilët e mrekullojnë edhe pse ndjen shenjën e pashlyeshme që e lëndon në shpirt: dhunën.