Ritet dhe traditat e festës së ndërrimit të viteve

Ritet dhe traditat e festës së ndërrimit të viteve

Foto ilustruese

Disa hulumtues mendojnë se kremtimin e festës së Vitit të Ri, më së pari e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë zanafillën e vet e ka nga romakët e vjetër.

Sipas dëshmive ekzistuese materiale të zbuluara deri tani, është vërtetuar se festën e Vitit të Ri më 1 janar, së pari herë, në mënyrë festive dhe rituale, e kanë kremtuar romakët e vjetër dhe për ta kjo festë ishte simbol i fillimit të jetës së re plot shpresa të mira për të ardhmen.

Edhe pse popujt e kremtojnë këtë festë me besim në një fillim të ri dhe më të begatshëm, asaj nuk i gëzohen të gjithë në datën e njëjtë, sepse disa popuj e aplikojnë kalendarin Lunar (llogaritja sipas rrotullimit të Hënës), kurse disa të tjerë atë Solar (llogaritja sipas rrotullimit të Diellit).

Në krahasim me kalendarin solar, i cili është fiks dhe i pandryshueshëm me 365 ditë, ata popuj që kalendarin e tyre e përcaktojnë sipas ciklit Lunar (të hënës) ardhjen e Vitit të Ri çdo vit, nuk e kremtojnë në ditën e njëjtë, sepse sikur dihet, ciklet e hënës janë të ndryshueshme dhe momenti i ndërrimit të viteve kremtohet me fillimin e hënës së re, në muajin shkurt të vitit tonë kalendarik .

Vitin e Ri Lunar, sot më tepër si festë tradicionale popullore e festojnë në Kinë, Indi, Japoni, Vietnam, si dhe në disa shtete të tjera të Lindjes, dhe atë paralelisht, së bashku me kremtimin e Vitit të Ri Solar, të përllogaritur sipas kalendarit Gregorian.

Për kinezët, Viti i Ri Lunar është festa e pranverës. Ajo konsiderohet si kremte më e madhe nacionale, e cila shënohet me pompozitet të madh. Në Japoni kjo festë kremtohet me tryeza të begatshme plot me specialitete të rralla tradicionale, e në mesnatën e ndërrimit të viteve jehojnë 108 të rëna të kambanave nga të gjitha tempujt budistë anë e kënd vendit. Simbolika e 108, nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.

Edhe populli hebre Vitin e Ri e kremton në mënyrë madhështore, sepse ajo edhe sipas mësimeve religjioze, konsiderohet si festë shpirtërore, me të cilën shënohet përvjetori i fillimit të krijimit të Botës. Tek këta data e kremtes është e ndryshueshme për shkak të aplikimit të kalendarit të kombinuar lunar – solar.

Edhe një gjë është karakteristike tek kremtimi hebre i Vitit të Ri: ata në çastin e ndërrimit të viteve, kanë vërtet një tryezë të pasur, por në dallim me popujt e tjerë, ajo është e shtruar vetëm me gjëra të ëmbla, pra tryeza e tyre e pasur është e begatshme vetëm me ëmbëlsira.

Në viset e ngrohta të gjysmësferës jugore të rruzullit tonë, Viti i Ri kremtohet në stinën e verës, pa borë dhe mrekullia dimërore me të cilat jemi mësuar në viset veriore, por kjo, aspak nuk e zvogëlon madhështinë e pompozitetit të kremtimit të saj.

Në shumë vende dhe shtete të botës është tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Nuk janë të pakta qytete të ndryshme të metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot moteve masivisht dalin në qendër të qytetit. Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri, është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Evropës dhe Botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, Neë York, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio … etj.

Ritet, besimet në ditën e pritjes së Vitin e Ri

Natën e ndërrimit të motmoteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe bestytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.

Tradita kubane për natën e Vit të Ri praktikon ngrënien e 12 sardeleve, të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues. Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumëllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm, sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje. Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar, konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë.

Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtimit, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.

Njeriu i parë, i cili do t’u hyjë në shtëpi pasmesnate, besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t’ju sjellë shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet tuaja, gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri t’i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen do t’u sjellë fillim të mbarë në të gjitha fushat e jetës.

Të gjithë portofolët tuaj këtë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’ju përcjellë më shumë begati dhe pasuri. / Bota sot

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Dokumenti/ Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës

Dokumenti/ Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës