Komisioni i Rithemelimit në PD, i udhëhequr nga Sali Berisha, vijon procesin e zgjedhjeve për kryetarët e degëve, ndërsa sot u votua për kryetarin e degës së PD në bashkinë Divjakë.
Kryetar i degës u zgjodh Elizabeta Rredhi me 240 vota, ndërsa në garë ishte edhe Gjergji Janko, por arriti të sigurojë vetëm 159 vota. Votimi nisi në orën 08:00, ndërsa morën pjesë vetëm 405 votues nga 820 anetarë degës Divjakë.
Drejtuesi politik i qarkut Fier, Luan Baci ndoqi nga afër procesin e zgjedhjeve duke thënë se votimi është i qetë.
“PD, absolutisht Komisioni i Rithemelimit po zhvillon zgjedhje edhe në qarkun e Fierit për kryetarët e degëve. Kemi mbaruar në Patos, Roskovec e Fier, sot kemi Divjakën. Në Divjakë është një organizim perfekt grupi i Rithemelimit të PD, dy kandidaturat nga anëtarësia e PD dega Divjakë janë Elizabeta Rredhi dhe Gjergji Janko, dy anëtarë të PD, aktivë të kësaj periudhe. Është i qetë votimi, dy kandidatët janë aty dhe në orën 17:00 ose 18:00 kur të përfundojë fluksi i anëtarëve të PD do të bëhet mbyllja e votimit, do të bëhet numërimi dhe shpallja e kandidatit fitues”, tha Baci.
Ndërkohë, Rithemelimi duket se nuk ka ndërmend që të ndalë procesin e zgjedhjeve për krerët e degëve, ndonëse në platformën e propozuar nga Enkelejd Alibeaj kërkohet që të ndalet çdo proces i riorganizimit të njëanshëm.