Luis De la Fuente dhe Spanja bashkë deri në verën e 2026 për Botërorin. Orët e fundit është zyrtarizuar rinovimi i trajnerit iberik, i cili tashmë prej muajsh ishte pezull.
“RFEF ka njoftuar trajnerin e Kombëtares për marrëveshjen efektive për rinovimin e kontratës së tij, siç ishte paralajmëruar në shkurt, si dhe rinovimin e stafit teknik”, thuhet në njoftim.
Luis de la Fuente pasoi Luis Enriquen në rolin e trajnerit në dhjetor 2022, pasi kishte trajnuar disa ekipe të moshave të Spanjës. Ai udhëhoqi Spanjën për të fituar UEFA Nations League 2023, një titull shumë i rëndësishëm pas më shumë se një dekade pa sukses.
Më tej, ai e kualifikoi skuadrën në Europianin e kësaj vere, turne për të cilin kombëtarja po përgatitet që nga e shtuna e kaluar në 'Las Rozas'. De la Fuente e drejtoi ekipin në 13 ndeshje, me një rekord prej nëntë fitoresh, dy barazime dhe vetëm dy humbje.
Spanja rivalizon me Shqipërinë, Italinë dhe Kroacinë në Grupin B të Euro 2024.