Rivarroset Azem Hajdari, i biri:
Mirënjohje Berishës e Metës

Rivarroset Azem Hajdari, i biri:<br />Mirënjohje Berishës e Metës
TIRANE- Nga dita e sotme, eshtrat e "Dëshmorit të Demokracisë", Azem Hajdari, do të prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në kryeqytet. Homazhet në nderim të Azem Hajdarit, filluan në orën 10:00 të ditës së sotme në Pallatin e Kongreseve, në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Deri më tani eshtrat e tij preheshin tek varrezat e Sharrës, ndërsa 15 vjet pas humbjes së jetës si pasojë e një atentati pranë selisë së vjetër të PD-së, Azem Hajdari do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Personalitete të njohur të politikës dhe të shtetit, miq  por dhe qytetarë të thjeshtë i kanë dhënë nderime 'Dëshmorit të Demokracisë". 

Gjatë ceremonisë së rivarrosjes së eshtrave të “Dëshmorit të Demokracisë”, Kiri Hajdari, djali i madh i tij, shprehu në fjalën e tij mirënjohjen e pakufishme, për zotin Berisha, që sipas tij i ka qëndruar pranë familjes, si dhe Kreut të LSI-së, Ilir Meta, apo dhe figura të njohura të politikës kosovare si Ibrahim Rugova të cilët i kanë qëndruar pranë në karrierën politike.

Në ceremoninë e homazheve ka mbërritur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ish-kryeministri Sali Berisha, dhe kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha.

BASHA: FIGURA E AZEMIT APELON PER BASHKIM PER VLERAT KOMBETARE
Pas më shumë se 2 orë homazhe në Pallatin e Kongreseve në nderim të Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari, eshtrat e tij u zhvendosen nga Sharra drejt Varrezave të Dëshmorëve.
basha flet per azemin
(Në foto: Kreu i PD-së Basha duke mbajtur fjalimin në Varrezat e Dëshmorëve)
 

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e vlerësuar figurën e liderit të dhjetorit, tha se firgura e tij apelon për bashkëpunim dhe unitet kombëtar.
 
Gjatë ceremonisë në Varrezat e Dëshmorëve, Basha tha se "Ndonëse ka kaluar vetëm një dekadë e gjysëm nga dita e tij e rënies, Azen Hajdari pason rilindasit më të shquar përsa i përket vlerësimeve dhe nderimeve institucionale, sepse Lëvizja e Dhjetorit '90, e drejtuar prej tij, shënoi ndarjen nga diktatura komuniste dhe fillimin e demokracisë perëndimore dhe kjo ishte e do mbetet sot e gjithë ditën rilindja e vërtetë e Shqipërisë pas dekadash izolimi. Azemi u vra më 12 shtator 1998. Ai u vra se ishte prijësi i lëvizjes studentore, u vra se kishte qEnë protagonist për hapjen demokratike të vendit, se kishte qënë themelues i orëve të para dhe kryetari i PD-së nga dhjetor 1990 deri në shkurt 1991 dhe se kishte qënë mbrojtës i demokracisë dhe çështjes kombëtare. Nuk është e vërtetë se përmbysja e komunizmit në Shqipëri u bë në mënyrë krejt paqësore. Lëvizja për demokraci ka dhënë liderin e saj të parë, ajo ka paguar me gjakun e Azem Hajdarit, të cilin nuk e vranë në betejën ballore të fillimit, por në kulisat e pabesitë e revanshit. Sot figura e tij apelon për unitet dhe bashkim për vlerat kombëtare".
 
Sipas kreut të PD, Azem Hajdari do të ketë përgjithmonë vendin e merituar në historinë e demokracisë shqiptare.
 
"Besoj se nuk ka asnjë njeri të vetëm e të lirë në këtë vend që nuk i detyrohet atij për hapin që hodhi në Dhjetor '90. Kujtesa e kombit e ka regjistruar Azemin si njeriun që vrau frikën", tha kryetari i PD-së.

META: DO PUNOJME TE PERMBUSHIM ENDRREN E TIJ
Në homazhe ka mbërritur edhe kreu i LSI, dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga Luan Rama. Kreu i LSI ka lënë edhe shkrimin e tij në librin e shënimeve për Azem Hajdarin.

meta duke folur per mediat
(Në foto: Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta duke folur për mediat në homazhe për Azem Hajdarin)

Pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, Meta tha për mediat se "Sot është një ditë e rëndësishme, është një ditë homazhesh dhe kujtimi për simbolin e lëvizjes studentore të dhjetorit, e cila ktheu faqen e historisë së Shqipërisë, përmes thirrjtes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo është ditë homazhesh dhe kujtimi për ish-kolegun tonë Azem Hajdarin, kujtim i cili do të jetë gjithmonë i paharrueshëm dhe njëkohësisht është edhe një ditë angazhimi për të ardhmen për të plotësuar edhe ëndrrën e tij që Shqipëria të jetë plotësisht si Europa, edhe për gjeneratën që ai drejtoi për të ndryshuar faqen e historisë. Ai nuk e nderpreu kurajon e tij, vizionin, duke rrezikuar gjithçka".

Duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit për të mundësuar integrimin në Bashkimin Europian, Meta tha se duhet treguar nga të gjithë më shumë urtësi dhe përgjegjshmëri.

"Jam i bindur se të gjithë ne të tjerët do të na duhet vetëm të tregojmë më shumë urtësi, më shumë përgjegjshmëri në mënyrë që ëndrra e tij dhe gjithë studentëve të dhjetorit të bëhet realitet, dhe vendi të anëtarësohet në BE. Është një emër që jo vetëm kujton një ndryshim epokal të nisur në dhjetorin e atij viti, por na kujton se këto sakrifica duhet t’i vlerësojmë dhe ëndrrën e tij ta përmbushim sa më shpejt", u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njëherësh dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në homazhe kanë mbërritur edhe 4 ministra të qeverisë Rama, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli.  

Nderime janë bërë edhe nga ambasadori i OSBE-së Robert Wilton, ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu.

CEREMONIA
Nëpërmjet një deklarate për shtypin, njoftoi dje se personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarë të partive politike, studentë të Dhjetorit ’90, intelektualë, miq, shokë e kolegë, do të zhvillojnë homazhe në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve e, më pas, në orën 12:00 do të bëhet përcjellja dhe ceremonia e varrimit për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të eksponentit kryesor të Partisë Demokratike Azem Hajdari, vrarë 15 vjet më parë në një atentat në Tiranë.

 Homazhet për Azem Hajdarin
(Në foto: Homazhet për Azem Hajdarin në Pallati i Kongreseve)

homazhet per azem hajdarin
(Në foto: Homazhet për Azem Hajdarin në Pallati i Kongreseve)

Edi Rama, Ilir Meta, Vangjel Dule janë disa nga personalitetet e politikës, të cilëve Bashkia u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në ceremoninë e rivarrimit të “Heroit të Demokracisë”. Azem Hajdari mban titullin më të lartë të nderit të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe i shumë bashkive e komunave të Republikës së Shqipërisë. Në 15-vjetorin e vrasjes së “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari, më datën 12 shtator eshtrat e tij do prehen nga Sharra tek Varrezat e Dëshmorëve.

Familja e Azemit e ka mirëpritur këtë vendim. Kiri Hajdari, djali i madh i Azemit, tha se familja e tij e vlerëson maksimalisht vendosjen e eshtrave të Azemit tek Dëshmorët e Kombit, si një përkujdesje të shtetit ndaj një njeriu që u vu në krye të lëvizjes studentore, duke nxitur pluralizmin politik në Shqipëri.
azem hajdari
(Ne foto: Azem Hajdari, lideri i levizjes studentore te 1990-ës)

VRASJA
Kanë kaluar 15 vjet, por faktet, dyshimet dhe hipotezat bëjnë gjithnjë të mendosh se vrasja e Azem Hajdarit ka qenë larg të qenit ashtu siç e përshkruan vendimi gjyqësor - një vrasje për hakmarrje. Në përvjetorin e 12-të atentatit vdekjeprurës, bashkëshortja e tij ka deklaruar se çështja e vrasjes së ish-deputetit të PD-së ende nuk është zbardhur, pasi procesi është zhvilluar nën trysni politike, në një kohë të vështirë dhe të pamundur për të marrë vendime të drejta dhe prandaj ai duhet rihapur.

Megjithatë, edhe në tetë vjet pushtet ekzekutiv të PD, nuk u bë asgjë për të hedhur më shumë dritë mbi shkaqet dhe autorët e vrasjes.  Në pranverën e vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë, pas një maratone prej 65 seancash, arriti në përfundimin se provat tregonin që vrasja ishte kryer për motive të dobëta të hakmarrjes. Gjykata kishte zbardhur skenen e krimit, duke vënë gishtin mbi atentatorët Jaho Salihi dhe Fatmir Haklaj, por pa iu përgjigjur pyetjes se çfarë i kishte shtyrë realisht këta njerëz për të kryer një krim të pastër politik.

Deklaratat e menjëherta të Sali Berishës, atëhere në opozitë, se krimin e kishte urdhëruar kryeministri Fatos Nano, i cili kishte takuar vrasësit në rrugën Tiranë-Rinas, ndërsa kthehej nga një takim ndërkombëtar në Lisbonë, nuk patën asnjë bazë. Ajo që u vërtetua ishte fakti që të gjithë ekzekutorët ishin njerëz me uniforma. Jaho Salihi, i denoncuar menjëherë nga PD, nuk arriti të ndalohej, megjithëse ish-ministri i Rendit Perikli Teta nxori një urdhër menjehëre për këtë.
azem hajdari
(Ne foto: Azem Hajdari pas vrasjes)

Shumë vite më pas, vëllezërit e Izet Haxhisë, ish-badigardit të Berishës, do të akuzonin këtë të fundit si organizator të krimit. Ata pretendonin se Berisha po mundohej të fajësonte për këtë krim familjen Haxhia, pasi donte të eliminonte njerin prej tyre, Izetin, që dinte shumë secrete, përfshirë edhe urdhërat për të hedhur në erë shtylla tensioni në vitet pas humbjes së pushtetit.

Ish-ministri i Rendit Perikli Teta edhe ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi kanë pohuar se dihej që Azemit po i përgatitej atentat. Në zyrat e tyre gjendej muaj më parë një pohim i Fatmir Haklajt se Hajdari do të vritej sëbashku me nëntë të tjerë për një hakmarrje te vjeter. Por, shteti nuk bëri asgjë për të ndaluar këtë.

Përfundimi i procesit për këtë krim nuk ka sqaruar asnjëherë realisht shkaqet. eshte nje njolle turpi per sistemin tone te drejtesise.

BIOGRAFIA E AZEM HAJDARIT
Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri
I martuar, me tre fëmijë: Kirjaldi, Rudina dhe Azemi, lindur katër muaj pas vdekjes së të jatit
Më 1987 fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike
Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës
Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës
Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi
Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani

AKTIVITETI POLITIK
Dhjetor 1990 - Udhëheqës i Lëvizjes Studentore
Dhjetor 1990 - Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike
1991 – 1993 - Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues
- 31 mars 1991 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën
- 22 mars 1992 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun
- 26 maj 1996 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën
- 29 qershor 1997 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën
- 1992 - 1996 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un
- Nëntor 1996 - Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare
- Qershor 1997 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare
- 1995 – 1998 - President i klubit të futbollit “Vllaznia” - Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

VLERESIME
- Urdhëri i Flamurit
- Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës
- “Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhënë nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003
- Urdhëri “Nderi i Kombit”(2002)
- Pishtar i Demokracisë
- “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i shumë bashkive e komunave të Shqipërisë 


Shkrimi u publikua sot(12.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)
(e.s/s.g/v.gj/a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës