TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori sot pjesë në rivendosjen e monumentit
të "5 heronjve të Vigut" pranë rrethrrotullimit të Dobracit në Shkodër.
Në nderim të veprës së 5 heronjve, kryetari i Kuvendit vendosi një kurorë me lule pranë monumentit.
Në një prononcim për mediat, z. Meta tha se përmes rivendosjes së monumentit të "5 heronjve të Vigut" në Shkodër, rivendoset dinjiteti i atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare.
"Kjo është një ngjarje mjaft domethënëse, që populli i Shkodrës nderon sot bijtë më të shquar të Shkodrës, të Lezhës dhe Mirditës, pesë heronjtë e Vigut që dhanë jetën për çlirimin e atdheut. Në prag të 70-vjetorit të çlirimit të vendit, vëmë në vend jo vetëm dinjitetin e tyre, por edhe të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të cilën Shkodra, Lezha, Mirdita dhe e gjithë Shqipëria kanë bërë sakrifica të panumërta duke dhënë jetën e bijve më të mirë", u shpreh kryeparlamentari.Vepra e 5 heronjve të Vigut në prag të 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut shkëlqen dhe ndriçon rrugën tonë për të ardhmen, rrugë që bazohet tek mirënjohja për sakrificat e tyre sublime në emër të një Shqipërie më të mirë, për gjeneratat e të ardhmes, u shpreh Meta.
Kryetari i Kuvendit e vlerësoi të rëndësishme këtë ditë dhe tregues se populli i Shkodrës dhe i të gjithë Shqipërisë nuk harron sakrificat e atyre që dhanë jetën për të ardhmen e atdheut.
Z. Meta tha se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ishte vepër e asnjë individi të caktuar dhe se çdo përpjekje për t'u kapur pas ndonjë figure të caktuar për të dëmtuar vlerat e kësaj lufte është e dështuar. "Lufta Antifashiste nuk ka qenë vepër e asnjë individi të caktuar, por ka qenë vepër e mbarë popullit shqiptar. Çdo përpjekje për t'u kapur pas një figure apo një ideologjie të caktuar për të dëmtuar vlerat e kësaj Lufte është e dështuar, sepse populli i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë i ruan të freskëta dhe të gjalla idealet për të cilat "5 heronjtë e Vigut" dhe djemtë më të mirë të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë dhanë jetën", shtoi Meta.
Më pas, Kryetari i Kuvendit vizitoi familjet e dy heronjve, Ahmet Haxhiaj dhe Naim Gjylbegut, ku u vlerësua kontributi i tyre në çlirimin e Atdheut. /ATSH/