Vendi po bëhet gati për tu përfshirë nga rivlerësimi i pasurive të patundshme. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e miratuar më 12 dhjetor 2025, që parashikon rivlerësimin e pronave me normë tatimore 5% si për qytetarët dhe për bizneset. Në ditët e fundit të dhjetorit Shoqata Kombëtare e Pasurive të Paluajtshme i kërkoj Begajt të dekretonte ligjin pasi po dëmtohej tregu.
Procesi pritet të nisë këtë muaj dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2026, dhe synon të afrojë vlerën që ka një pronë me çmimet reale të tregut.
Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.
Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.
Rivlerësimi do të kryhet me dy procedura. E para përmes një vlerësuesi të pasurive të paluajtshme, i cili e vlerëson pronën duke e përafruar me çmimet në treg, dhe së dyti përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por këtë herë vlera e pronës afrohet vetëm me referencat që ka zona.
Për herë të parë me këtë fushatë do të njihet edhe amortizimi i pronës që është 1% për çdo vit vjetërsie. Por mënyra sesi do të funksionojë i gjithë ky proces do të detajohet me një udhëzim të ministrit të Financave.
Ky është rivlerësimi i katër që do të bëhet në Shqipëri, pasi janë bërë edhe 3 fushata të tjera nga viti 2011 deri në 2023-shin. Janë 254,665 prona të rivlerësuara me nismat e mëparshme, që i sollën buxhetit 235.3 milionë euro të ardhura prej tatimit të paguar.
Komente












