Robert Shvarc-it i 'fliste' edhe heshtja…

 Robert Shvarc-it i 'fliste' edhe heshtja…

Familja e Robert Shvarc

Dramca jete dhe kujtimesh/ Është një libër me rreth 110 poezi, të shkruara kryesisht në vitet ’50-’60, botuar nga Shtëpia Botuese “OMSCA-1”, Tiranë, 2010. Një libër, ku në çdo varg e strofë poeti sjellë rininë e tij, një copëz përjetësie idealesh, si kujtim, si kujtesë, si shenjtërim…

1.

Robert Shvarclindi më 10.12.1932 në Sarajevë. Gjatë gjithë jetës së tij përkthimore u dha lavdi disa veprave botërore në shqip, si emrave të tillë: Remark, Heminguej, Cvajg, Gëte, Shiler, Hajne, Fojtvanger, Apic, Traven, Markez, Breht, Uris, Tucholski, Einert, Enzensberg, M. Ende, etj. U nda nga jeta më, 25.04.2003, në moshën 71-vjeçare.

            Një nga miqtë e tij të ngushtë, shkrimtari dhe përkthyesi Amik Kasoruho kujton miqësinë me Shvarc-in në këtë mënyrë: “Miqësia me një njeri të veçantë (Robert Shvarc, - shënimi im Xh. B.) përmbyll një të mirë dhe një të keqe: e mira është se ndoshta pa u kujtuar fillojmë e jetojmë në simbiozën me vlerat që nuk i gjen rëndom ndër njerëzit e tjerë; e keqja është se kur ai nuk jeton më, nis e krijohet një përshtypje pafuqie, një ndjesi zbrazëtie, gati-gati një vetëdije e çuditshme se edhe në bëfshim përpara do të na mungojë siguria që ndiejmë pranë njeriut të veçantë, siguria që rrezatohet nga personaliteti i tij. Ky njeri i veçantë ishte Robert Shvarc. Jeta pranë njerëzve si Ai është e bukur. E bukur, sepse pranë tyre mund të zbulosh vlera që ndryshe do të mbeteshin të panjohura dhe që i japin vetë jetës një kthesë të vlertë, sepse na edukojnë ndjeshmërinë ndaj së bukurës dhe të ndertës, dëshirën për ta pasuruar jetën gjithmonë e më shumë, aftësinë për të dalluar të natyrshmen nga shtirja. Dhe këto krejt natyrshëm, thjesht me shembullin e jetës së tyre. Këtë dinte ta bënte Robert Shvarc.”

            2.

Kur isha në specializim pasuniversitar për kritikë letrare në Tiranë, dhe është fjala për vitet 1985 – 1986, një ditë pranvere, afër Filologjikut pata fatin të njoh përkthyesin e talentuar Robert Shvarc. U takuam dhe një herë tjetër. Biseda ishte më e gjatë, dhe bëhej në një urban që të çonte për në Kombinat. Gjatë këtij “udhëtimi” mësova se sa bukur i zgjidhte fjalët shqipe. Kur i shqiptonte kuptoja se kishte respekt për to. E dashuronte fjalën! Fliste me shumë maturi e urtësi. Zakonisht kështu flasin intelektualët fisnikë e mendjendritur. Kulturologjia e Shvarc-it ishte sa rrezatuese aq dhe admiruese. (Po ku t’i marrësh, tani, ata që me përkthimet e tyre krijuan botë e realitete letrare?..). Kur u ndamë, gjë që nuk e dëshiroja një moment të tillë, kuptova sikur “e humba” përkthyesin-legjendë… Ai që në shqipen e bukur i dha në mes të tjerëve pavdekësinë dhe panteonin e merituar Ernest Heminguejt. Por Shvarc-i ruante dhe një dashuri të pashembullt për Shkodrën! E ruante në kujtimet e fëmijërisë, në dhimbjen e trishtimin e tij, në hënën andërrtare, në… për të mos e larguar kurrë, kurrë… E kjo është pasqyruar nëdy poezi të tij: “O net’ të Shkodrës” dhe “Tingëllim për Shkodrën”. Po paraqes të parën (një fragment):

            “Ç’ka ke, o zemër, që rref kaq fort,

            ty net’e Shkodrës të kanë plagosun

            e tash nuk di pse m’shket nji lot

            dhe shpirtin ndiej kaq të brengosun.

 

            O net’ të Shkodrës! Vetëm dy yje

            visare magjike ju kam në gji –

            ato m’kanë vramun, e m’kot thrras: “Shlyje,

            o kohë, at kujtim që më djeg me zjarrmi!”

            3.

            Përsëri me Robert Shvarc-in, por me Sarajevën –“qytetin përjetësisht i dashuruar”.

 

Krahas lirikave dhe soneteve, një poezi mrekullidhënëse është edhe ajo me titull: “Ma vranë Sarajevën”. Në vargjet e kësaj poezive do të gjejmë trishtimin dhe dhimbjen të pafund të  poetit për vendlindjen, Sarajevën. Por… në  çdo germë të kësaj poezie, çdokush do të gjejë e do të kuptojë që në këtë këngëzim është “ndërtuar” poetikisht monumenti i Vendlindjes, që poeti e deshi aq fort “ashtu gjithë tinguj e poezi…” gjatë gjithë jetës së tij. Sarajeva, ishte shpirti dhe dashuria e tij! U plak duke pritur, u thinj duke pritur vetëm ta puthte një herë! Kaq donte! Ta puthte një herë! Eh, Sarajevë, Sarajevë shvarciane!..

Ma vranë Sarajevën,

qytetin ku më ka rënë koka,

qytetin përjetësisht të dashuruar,

ku puthej lindja me perëndimin

dhe kishat rrinin pranë xhamive

dhe pranë sinagogave

të zëna për dore,

ku gjindja ishte përherë gazmore

dhe i donte këngët

dhe i donte lulet…

………………………………
            Ma vranë Sarajevën! –

pesëdhjetë vjet kam pritur

ta shihja edhe një herë

qytetin ku kam lindur,

qytetin vetëm pesëqind kilometra larg

që këtej! –

pesëdhjetë vjet kam pritur…

………………………………….
            Do ta ruaj në kujtesë

ashtu të hirshme siç e lashë

në fëmijëri,

ashtu të butë dhe njerëzore,

ashtu gjithë tinguj e poezi…

Ma vranë Sarajevën!

Sarajevën më s’e pashë!

4.

Përsëri me Robert Shvarc-in, por kësaj here vitet “trokasin” në fëmijërin e të birit, Edvinit, sot edhe ai është një përkthyes i shquar.

Me të drejtë gazetarja Gilmana Bushati në një shkrim të saj, pyet: “Ç’do të thotë të jetosh në hijen e një babai të njohur”? Dhe Edvini, kujtimeve të fëmijërisë, u jep këtë përgjigje: “Ata qëmë njohin mirë, shpesh ma vënë në dukje se unë vuaj nga një kujtesë paksa e çuditshme, një kujtesë përzgjedhëse deri në kufijtë e të pazakonshmes. Gjyshin tim, i cili jetonte në Shkodër dhe mbante marrëdhënie nga larg me të birin e madh nëpërmjet një letërkëmbimi që shkruhej rreptësisht gjermanisht, e kam takuar veç një herë, kur erdhi në Tiranë të shihte e të njihte nipin. E mbaj mend kështu sinë tym, por nga ai kam trashëguar jo vetëm tiparet fiziologjike e finotipike, por edhe dashurinë për kafshët në përgjithësi dhe kuajt në veçanti. … Gjithashtu më kujtohet se si kur ecnim rrugëve, ai, duke më mbajtur përdore, përshëndeste aq shumë njerëz, saqë mua më kishte mbirë në kokë ideja e gabuar se im atë duhej të njihtë të paktën gjysmën e banorëve të Tiranës, të cilët në atë kohë kapnin një shifër rreth dyqind mijë vetë! Në rrugë dhe kudo çapitej i përhumbur thellë në mendimet e hallet e veta, por rrezatonte fisnikëri dhe qetësi, paçka se përmbrenda edhe mund të vlonte e shpeshherë shpërthente me një nervozizëm që i fashitej shpejt.”

5.

Përsëri me Robert Shvarc-in, por kësaj here, teksa afrohesh të takohesh e të njihesh me të, dhe shpesh kupton dhe përfton dëshirat e tij “të heshtura”.

“Kur afroheshe  për ta takuar, tek Ai gjithnjë rrezatonte një dritë-hije. Se në fakt ai gjithnjë heshte në legjendën e shpirtit të tij, e ndërsa ti mendoje se ai qëndronte mospërfillës ndaj një qarku rrethues ku ndodhej, ai kishte vëzhguar dhe kishte prekur me sytë e tij të futur nëdy gropëza të zgjuara…, gjithçka.

Fliste shpejt dhe ndërsa kërkonte të qortonte sa edhe të përgëzonte mbi ato që tregonte, t’i përkundeshe në fjalët e tij për të kuptuar gabime, të meta që kishin dhe do të kenë gjithnjë të bëjnë me punën dhe me përsiatjen e një realiteti të shkuar, të tashëm dhe të ardhshëm, … Dhe e gjitha kjo e parë me vëzhgimin e një dritë-hijeje që në aurorën e vet kishte mbetur diku. Robert Shvarc, një emër i madh i punës së shqipërimit, që i qëndronte larg gjithçkaje, veç punës së tij kurrsesi jo, ishte sa shpërthyes dhe skrupuloz, aq edhe i qetë dhe njerëzor në jetën e tij. Nuk bërtiste për lavde kurrsesi për punën e tij, sepse për të mbërritur deri në shqipërimin e një vepre, kishte qënë puna që ishte dridhur përpara tij. Pastaj në biseda ai “bërtiste” për pastërtinë e gjuhës së tij, kur ajo nuk ishte siç e kërkonte Ai, e dlirë dhe e pasur, se ai përherë kishte kërkuar që asgjë të mos ishte e shurdhër për vendin e tij. “Në përkthim, - thoshte Shvarc, - kam dashur t’u tregoj të gjithëve se gjuha shqipe ështësa e vjetër aq edhe e pasur dhe me të mund të bësh mrekullira”. … Përsëri kujtoj. Gjithnjë ulej vetëm në një bar dhe nuk i fliste askujt, ndërsa nuk i afrohej askush, deri aherë kur ai të kërkonte të fliste. Ndoshta aty ndodhej mbas shumë orësh të pagjuma mbi libra dhe germa përkthimi. Por kjo nuk kishte lidhje me askënd, kishte lidhje vetëm me legjendën e heshtur dhe shpërthyese të shpirtit të tij. Dhe ajo legjendë enigmatike e tij, kurrsesi që nuk mund të quhej heshtje, kur ai fillonte të fliste. Kujtoj se kur flisje me të, pas kësaj gjithçka ishte ndryshe, legjenda e shpirtit të tij tashmë kishte shpërthyer dhe ai ishte një realitet në erupsion që tregonte për atë që nuk shkonte dhe që nuk duhej të ishte ashtu. Se në fund të fundit ashtu e përjetonte.”

            6.

            Përsëri me Robert Shvarc-in, por kësaj here, në rrëfimin e të vëllait Alfredit, përmes shkrimit të gazetares Admirina Peci.

            Alfredin, apo Fredin siç e thërrisnim ne, po ashtu e thërrisnin dhe shokët e punë në UTE të Shkodrës, e njoha. Njohja ime ishte në radio Shkodra, ku atëhere punoja si gazetar i emisioneve artistike. Fredin e kishim bashkëpunëtor të përhershëm. Me përkthimet që bënte, kolegu im Lekë Plani kishte ndërtuar një emision me barcaleta nën mbikëqyrjen e shkrimtarit humorist Paulin Selimi. Kur vinte Fredi në radio, seç kishim një gëzim të brendshëm. Ndoshta na e dhuronte buzëqeshja e tij e përhershme. Apo siç thotë gazetarja Admirina Peci në një shkrim të saj: “Portreti i tij ka një hije të veçantë dhe vështrimi poshtë syzeve duket i njohur. Madje edhe ndonjë mimikë e fytyrës. Tek e sheh në këmbë para “Turizmit” në Shkodër, edhe pse nuk e ke takuar kurrë më parë, ai të sjell ndër mend përkthyesin e madh Robert Shvarc. Është vëllai i tij i vogël, i lindur tetë vjet pas Shvarcit të madh, në Shqipëri. Është një personazh që ka preferuar të jetojë i tërhequr, sikurse edhe pjesa tjetër e familjes Shvarc. Pasioni i tij ishte i lidhur me elektricitetin.”

Shpesh me Lekën dhe Fredin mblidheshim për kafe te “Gjylbegajt”. Në atë tavolinë “shpërthente” humori i Fredit, një humor i këndshëm, fin, gjithë mirësi dhe i matur. Edhe tek humori i tij shfaqeshin cilësitë e tij “serioze”. Edhe pse nga natyra e heshtur, në marrëdhënie me Shvarcin që po kalonte ditë të pikëllueshme, Fredi rrëfehet… dhe gazetarja Peci bën një përshkrim të hollësishëm, e që lidhet edhe me një amanet të Shvarcit. Ja sesi e përshkruan gazetarja: “Ndërsa një amanet të hershëm që ati i tyre e la për Robertin, e kanë zënë në gojë shpeshherë, ato net të gjata kur përkthyesi i njohur merrej pafundësisht me librin “Eksodi”. Ishte historia e hebrenjve, ishte historia e të parëve të tyre, një histori qëiu përkiste atyre. “Më kujtohet koha kur ai punoi me këtë libër. Muajin e fundit unë kam qëndruar në spital bashkë me të. Atë natë që përfundoi faqen e fundit të “Eksodus”, punoi deri vonë. Më pati treguar e shoqja, Aristeja, që në ato momente kishte thënë: “Sot i dhashë fund amanetit që më pat lënë babai.””

7.

            Përsëri me Robert Shvarc-in, por me librin e tij “Vargje të pluhurosura”.

            Është një libër me rreth 110 poezi, të shkruara kryesisht në vitet ’50-’60, botuar nga Shtëpia Botuese “OMSCA-1”, Tiranë, 2010. Një libër, ku në çdo varg e strofë poeti sjellërininë e tij, një copëz përjetësie idealesh, si kujtim, si kujtesë, si shenjtërim. I shkroi ata vargje plot dashuri e frymëzim, lirizëm e dhimbje, pikëllim e ëndrra… Në një vit vendosi t’i mbyllëca vite krijimtarie në baulën e heshtjes. Pranoi ‘letërsinë e heshtjes’ me dhimbje poeti deri një ditësa vargjet u shplurosën dhe panë dritën e botimit… Por, ah, autori kishte ndërruar jetë shtatë vite më parë. “Rikthimi” i këtij libri në jetëështë shumëçka: për veten dhe raportin që ai ndërtoi me realitetin që flasin këto vite kur u shkruan poezitë shpesh në dialektin e amël gegënë rrjedhën e moteve. E në këtë rrjedhë të trazuar Shvarci ndërtoi portretin e tij sa njerëzor aq human: duke u vetsakrifikuar, duke ëndërruar edhe pse pa kafshatë buke e duke thirrëëndrrat sypërlotun, duke kndue prap e prap kangën e harrueme, duke shenjtëruar mallin në rrëfimet e soneteve për miqtë e dashtun të zemrës e miken e paharruar të dashunisë edhe nën dritën e mekun, duke qëndru i paepun në heshtjen e natës ku buzët i digjeshin papra; edhe atëhere kur “nuk e di në jam apo nuk jam!”, edhe atëhere kur shpirti i thoshte“Lamtumirë ideale, lamtumirë”, edhe atëherë kur e donte dhimbjen e vet, edhe atëherë… Janë këto motive që i solli talenti Shvarc, të cilat kanë si truall copëza realitetesh të hidhura, realitete qëia dogjën ëndrrat. Teksa lexon vargjet është e pamundur të mos takohesh me dilemat e poetit, zhgënjimet, lotët, dhimbjet, brengat e brengosjet, mallin, dëshpërimet, trishtimet, vegimet, fatin, mallkimin, vetminë, errësirën, etj.

            Shvarci që e njihte mirë poezinë dhe prozodinë e saj, e strukturoi lakmueshëm atë, e konceptoi qartë. Pas çdo akti leximi, dhimbja me përmasat e saj të ndjek pas si njëëndërr. Siç thotë poeti: “Jetoj me ëndrrën që më fale ti”. Pas çdo akti leximi, poezia e Shvarcit, krahas dhimbjes e lotëve ka gjithëherë një kurorë ëndërrimi.

            Për të njohur shpirtin, zemrën, idealet e Shvarcit, fisnikërinëe tij, po sjell dy poezi (epitafe):

            1.

            Gjithnjë i desha lotët,

            por vetëm të miat:

            të tjerëve ua kam tharë…

            Dhe kështu rodhën motet…

                                    -Epitaf-

            2.

            Nga dashuritë e tij të mëdha,

            nga dashuritë e tij të zjarrta

            vetëm njërën s’e harxhoi kot:

            atë për Gjuhën Shqipe.

                                    -Epitaf mbi varrin tim-           

            Shkodër, mars 2019

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip: 24/03/2019 12:45

    Nese shume prej nesh flasim dhe shkruajme shqip bukur dhe paster me dashuri per gjuhen tone eshte shume ne saje te Robert Schvarz dhe perkthimeve te tij ne gjuhen shqipe nga letersia e huaj.Fatkeqesisht ne shqiperi figurat e verteta groposen ne harrese prandaj gjuha shqipe rezikon vdekjen si shume gjuhe te tjera para saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja