Kristjan Asllanit nuk po i shkon mirë huazimi nga Interi te Torino në Serinë A të futbollit në Itali. Paçka minutave dhe cilësive të padiskutueshme, mesfushori shqiptar mund të largohet nga ekipi 'Granata' që këtë janar, me destinacionin që është Interi, por jo për një ndalesë finale.

Zikaltërit kërkojnë t'i japin më shumë minuta mesfushorit, por trajneri Chivu nuk ia garanton diçka të tillë dhe një huazim i ri nuk do ishte surprizues. Së fundmi interes për 23-vjeçarin ka shfaqur edhe Paris FC, klubi i Ligue I në Francë.

Veç tyre, Girona në La Liga dhe Parma, Sassuolo apo Fiorentina në Itali janë në garë për shërbimet e tij.

Në lidhje me situatën e Asllanit së fundmi foli edhe presidenti i Torinos. Urbano Cairo tha për Telelombardia se Kristjani ka cilësi të mëdha, por janari mund të sjellë surpriza.

“Ka kualitet të jashtëzakonshëm. E përdor edhe këmbën e djathtë dhe të majtën shumë mirë, aq shumë sa nuk e kupton se cila është këmba e tij e fortë. Do të shikojmë çfarë do ndodhë në merkaton e janarit. Gjithmonë përmban surpriza”, u shpreh presidenti i Torinos.