As 1 muaj në krye, Skënder Hita rifreskon një pjesë të mirë të strukturave në drejtoritë e policive vendore. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, emërimet e drejtuesve bëhen me konkurs, por në këtë rast, Hita ka zgjedhur të veprojë përmes të komanduarve të përkohshëm.
Vendin që la bosh në Fier, kryepolici ia besoi Erion Ahmetit. Disa muaj më parë ai u largua nga drejtimi i Korçës, ndërsa ka një karrierë të gjatë në Policinë Rrugore. Shef të Komisariatit në Fier, Hita zgjodhi të dërgojë Gerald Toskën.
Një sërë ndryshimesh nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, vijnë edhe në nivele zëvendësish.
Lajmi se do të lëvizë, nga zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit, shef komisariati në Përmet, Krenar Guçen, e gjeti në gjyq. Ai u thirr si dëshmitar në procesin “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme, pasi fotoja e tij është gjetur në telefonin e të pënduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Në Tiranë zv/drejtor për hetimin e krimit emërohet Oliger Torba, ndërsa në të njëjtin pozicion në Shkodër u emërua Petrit Halo.
Islor Islami, drejtori i dorëhequr pak ditë më parë nga Policia e Lezhës pasi u zbuluan disa kazino të jashtëligjshme, transferohet në Drejtori të Përgjithshme, shef Sektori në Mbështetjen Hetimore të Krimit të Organizuar.
Një ditë më parë, Hita emëroi në krye të Operacionales, Alban ndërsa në vend të tij te Antiterrori - emëroi ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Ndryshimet në Policinë e Shtetit pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Komente











