Roland Olli: Reshat Gega pa
licencë deri në shtator 2013-s

Roland Olli: Reshat Gega pa<br />licencë deri në shtator 2013-s
TIRANE - Duke iu referuar burimeve nga institucionet përkatëse zbardhet e vërteta e licencës së hequr të Reshat Gegës. Kur u firmos mandati dhe sa zgjat ky vendim.

Arkitekti Reshat Gega ka replikuar ashpër ndaj shkrimit të deputetit Auron Tare dje në gazetën “Shqiptarja.com” në lidhje me licencën e tij të hequr në shtator të vitit 2012. “Tare e kam licencën”, thotë Reshat Gega në replikën e një dite më parë.

Madje, më tej Gega ka sqaruar se Auron Tare “e ka marrë përgjigjen edhe nga vetë ish-ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, sipas tij “në Komisionin e Medias të datës 26.02.2013 kur, edhe pse Tarja mundohej ta bënte rrëmujë e ta qorollepste, z.Bumçi i shpjegoi se nuk qe ashtu sikurse ai deklaronte.

Nuk ka asnjë penalitet apo qëndrim ndaj licencës së arkitektit Reshat Gegës”, deklaroi dje arkitekti për veten e tij në “Shqiptarja.com”. Mirëpo dje, duke iu referuar burimeve të sigurta nga institucionet përkatëse të Monumenteve të Kulturës, doli në dritë e kundërta e asaj që pohon arkitekti Reshat Gega.

Vendimi i heqjes së licencës vijon të jetë në fuqi deri në shtator të 2013-ës. Ndërkohë Reshat Gega ka pohuar paraprakisht se “nuk janë të vërteta deklaratat e Tares. Gega e thjeshton çështjen në mënyrë ekuivoke: “Ka patur vetëm një parregullsi në dokumentet e subjektit dhe kaq.”

Me sa duket një parregullsi në dokumentet e subjektit duket fare e parëndësishme për një kontraktues projektesh, të cilit i vihen në dispozicion fonde të mëdha! Mirëpo kjo parregullsi po e mban ende të penalizuar arkitektin që ka marrë përsipër restaurimet e Kishës së Mesopotamit, Reshat Gegën, sepse konstatojmë se heqja e licencës është një vendim ende në fuqi.

Këtë e konfirmoi dje për gazetën “Shqiptarja.com” edhe anëtari i Këshillit të restaurimit, Roland Olli, i cili ka pohuar dje për gazetën “Shqiptarja.com” se Reshat Gegës i është hequr licenca në vitin e kaluar për çështje administrative. “Në shtator të vitit të kaluar, restauratorit Reshat Gega i është hequr licenca nga këshilli i restaurimit, i cili ka firmosur heqjen e kësaj licence.

Vendimi për heqjen e kësaj licence ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2012, dhe ky vendim skadon në shtator të vitit 2013. Në të vërtetë licenca i është hequr për arsye të keqadministrimit, por nuk ka lidhje me çështjen direkt të restaurimit të Kishës së Shën Kollit, sepse për sa i përket restaurimit të saj, pavarësisht se kanë dalë probleme, askush nuk është penalizuar. Heqjen e licencës e kam firmosur me dorën time”, thotë anëtari i këshillit të restaurimit Roland Olli.

KISHA E MESOPOTAMIT, MOLLA E SHERRIT

Çështjet e restaurimit në kishën e Mesopotanit, e cila mban emrin Kisha e Shën Kollit kanë qenë pikat më konfliktuale për drejtuesin e projektit Reshat Gega, ku burime të tjera nga institucionet e monumenteve të kulturës sjellin në kujtesë edhe konfliktet me palën italiane, ku njëri prej specialistëve thotë për “Shqiptarja,com” se “ata ishin restauratorët më të mirë, por Reshat Gega i përzuri për paratë.

Arkeologu G.F. kujton sesi Reshat Gega është konfliktuar me palën italiane, “sepse ata i kujtuan se nuk duhet të shkelte rregullat në marrëdhëniet dypalëshe, pasi Reshat Gega nuk ishte fare i mirinformuar për historinë 300 vjeçare të të Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam. Madje sot po të shkosh atje, kisha Mesopotamit është ende e çarë, brenda nuk hyhet, sepse është e mbushur me skela, është gati të bjerë, sepse as skelat nuk e mbajnë dot peshën.

Dhe kjo gjendje është se kishën e Mesopotamit e ka marrë përsipër për restaurim Reshat Gega. Ai ka marrë gjithë fondet e dhëna për monumentet, dhe këto fonde tërhiqen zakonisht vetëm nga Reshati dhe kunati i Salës (e ka fjalën për kunatin e kryeministrit-red). “Shkoni vetë ta shihni se në ç’gjendje është, thotë arkeologu”.

Por çfarë njohurish historike duhet të kenë restauratorët për kishën e Mesopotamit. Duke pyetur specialistët e tjerë mësojmë se 300 vjet më parë kjo kishë është tronditur nga një fatkeqësi natyrore. Kështu që kolonada e saj u zgjerua me mure të forta mbajtëse, të cilat bënë që për 300 vjet, as mos të çahej, e as mos të rrëzohej kjo kishë.

Ndërkohë restauratorët e drejtuar nga Reshat Gega ia kanë hequr këtë mur që mbajti në këmbë kishën për 300 vjet me radhë... Për këtë pyesim më tej specialistë të tjerë, të cilët na tregojnë sesi kanë vepruar restauratorët bizantinë për të shpëtuar Kishën e Shën Kollit dhe për ta sjellë deri në ditën tona dhe çfarë gabimi shkatërrues është bërë vetëm brenda pak ditëve nga pala restauruese e drejtuar nga Reshat Gega.

GABIMI I GEGËS

Ndërhyri në restaurimin e 300 vjetëve më parë

Njëri nga specialistët e monumenteve, i cili nuk dëshiron të dalë me emër në gazetë, rrëfen se kisha është rrëzuar njëherë në vitet 1700, gati 300 vjet përpara. “Kanë rënë kupolat, të cilat specialistët e asaj kohe i kanë përforcuar me një kundra-forcë në atë kohë, nga ana perëndimore e kishës. Që kur u ndërtua kisha në fillim, ajo u ndërtua jo me shumë kolona, por me një kolonë.

Pra gjatë ndërtimit në Mesjetë kishën e Shën Kollit e kanë bërë me një kolonadë mesi dhe më vonë i kanë vënë kundra-forcën, duke e zgjeruar shumë murin rrethues të kolonadës. Restauruesit e sotëm i kanë hequr kundra-forcën nga brenda, duke hequr edhe zgjerimet e mureve si mbajtëse, si kundra-forcë edhe brenda.

Por kundra-forca që është hequr është pjesë historike e monumentit dhe ajo e ka mbajtur këtë monument në këmbë prej 300 vjetësh, sepse kundra-forca është vënë atëherë nga bizantinët, pasi kjo kishë duhet të jetë tronditur nga tërmetet.

Në atë kohë i kanë zgjeruar aq shumë muret e kolonadave, saqë ato e kanë sjellë manastirin e Mesopotamit deri në ditët tona, ndërkohë restauruesi Gega e heq këtë masë mbrojtëse mbi 300-vjeçare dhe si pasojë erdhi çarja e kishës së Mesopotamit”, thotw specialisti duke rrëfyer gjithw historinë: “Ndërkohë që bëheshin këto restaurime në kishë punonte një grup italian, që është një nga më të mirët në botë.

Auron Tare ka shkruar të dhënat e plota dhe raportin e italianëve që Reshat Gega i përzuri për paratë. Një raport të gjendjes së kishës se Mesopotamit e ka thënë sërish Auron Tare te Top Channel në një emision. Kisha vijon të jetë në atë gjendje dhe më keq. Aleksandër Meksi, gjithashtu, ka të dhëna sesi restaurimi i parë, u bëri ballë 300 vjetëve.

Ndaj mua më vjen keq për këtë gabim rë rëndë të Reshat Gegës, që nuk është as restaurator, por është arkitekt. Madje më vjen keq që licenca nuk i është hequr pikërisht për këtë gjë. Kjo gjë që ai ka bërë mbetet ende e papenalizuar.”

kisha e shen kollit
(Foto nga Kisha e Shën Kollit në Mesopotam)

PENALIZMI

Pala italiane akuzon Gegën për shumën e 60.000 eurove

Një vit më parë arkitektit Reshat Gega iu hoq licenca, por edhe pse vendimi qëndron edhe sot e kësja dite në fuqi, institucionet e Monumenteve të Kulturës e kanë lejuar të vijojë projektin e tij për Kalanë e Lezhës. Kjo ka ngjallur debatet e mësipërme. A duhet të drejtojë një projekt një person juridik që vijon tw jetw i penalizuar me heqje të licencës.

Licenca e hequr një vit më parë e Reshat Gegës është lakuar shpesh edhe për shkak të qortimeve të ashpra të bashkëdrejtorit italian të projektit për restaurimin e kishës së Shën Kollit, Gianclaudio Machiarella-s. Gega që ka qenë bashkëdrejtuesi shqiptar i projektit ka pasur një përplasje me palën italiane, e cila u kthye edhe ne debat mediatik.

Machiarella ka akuzuar rëndë përmes një interviste Reshat Gegën për punën e bërë atje, ku profesori italian donte përmendi se “një sasi totale prej më shumë se 60.000 eurosh në katër vjet u dha nga pala italiane për të mbështetur studimin shkencor në Mesopotam. Ndërsa Gega e përzë palën italiane nga projekti, pala italiane këmbëngulte se "restaurimi i një ndërtese historike me një jetë të paktën 8-shekullore është një çështje shumë delikate.

Shkatërrimi apo ndryshimi i atyre gjurmëve do të thotë t'i ndryshosh rrjedhën historisë, pa pasur siguri se pamja përfundimtare e supozuar e monumentit origjinal do të jetë ajo e duhura". Debati vijoi gjatë për mënyrën e restaurimit të kishës së Shën Nikollës në Mesopotam, ndërkohë që sot ajo ndodhet në rrezik shembjeje.

Konflikti zgjati, sepse Gega kërkonte ndërhyrje sa më të ngutshme, gjë që çoi në çarjen e kishës, ndërsa pala italiane kërkonte të bëhej një ndërhyrje afatgjatë dhe e studiuar, siç shprehet më sipër edhe vetë Prof. Machiarella.

REPLIKAT

Çfarë fshihet pas licencës së hequr

Auron Tare: Projekti për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës është bërë nga Reshat Gega, të cilit i është hequr licenca për restaurime pas dëmeve në Manastirin e Mesopotamit(shqiptarja.com, 14 maj 2013).

Reshat Gega: S’ma kanë hequr licencën. Nuk ka asnjë penalitet apo qëndrim ndaj licencës së arkitektit R. Gegës. Ka patur vetëm një parregullsi në dokumentet e subjektit dhe kaq. (Shqiptarja.com, 15 maj 2013.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi