Roland Zisi, dëshirat e ndalura
mashkullore, zanafilla e gjakmarrjes

Roland Zisi, dëshirat e ndalura<br />mashkullore, zanafilla e gjakmarrjes
TIRANE - Një “xhelozi mashkullore shihet si zanafillë gjakmarrjeje”. Kështu shkruhet në një nga komentet analitike të studiuesit Roland Zisi që i ka bërë tregimit të Ismail Kadaresë, “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”. Libri më i fundit i studiuesit Roland Zisi “Miti i Narcisit në Letërsinë shqipe” analizon në një rrafsh më të gjerë sesi shfaqet Miti i Narcisit nga Ernest Koliqi tek Ismail Kadareja ; nga Koço Kosta tek Agron Tufa.

Duke lexuar tekstin studimor të Roland Zisit, kujtohemi se nuk është hera e parë që shkrimtari Ismail Kadare sjell në shtjellat provokative temat mitike shqiptare, siç janë kanuni, gjakmarrja, baladat. Interesante është se gjithçka e humbet rëndësinë e kumtit origjinal dhe kthehet në një motiv stlistikë të mirëfilltë letrar.

Kujtojmë “Prillin e thyer” ku Kadareja trajton temën e Kanunit, dhe ai e përkthen në atë formë të fiction-it letrar, aq sa peizazhi tematik mbulohet nga erotizmi dhe pasioni i dashurisë. Tema e Gjakmarrjes merr një formë të re në tregimin  “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”, ku trajtohet tema e tragjedisë së dashurisë mes dy burrave. Sigurisht simbolika, gjendja letrare flet më shumë se vet teksti, por kjo mbetet një nga temat më provokuese edhe të kohës së sotme.

Studiuesi Roland Zisi zbulon atë që fshihet në prozën e shkurtër fiction të Ismail Kadaresë. “Në të gërshetohen disa kode tematike që shërbejnë si arkitekst me një alkimi letrare kadareane që funksionon si hipotekst. Teksti (shkrimi) letrar i kësaj proze, shënohet si hipertekst , një praktikë letrare tashmë e njohur për autorin e saj”, shkruan Zisi.

Në librin “Miti i Narcisit në Letërsinë shqipe”, studiuesi merr në shqyrtim “Pasqyrat e Narcizit” të Ernest Koliqit, pastaj tregimin e mrekullueshëm “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna” të Ismail Kadaresë, pastaj në të njëjtën linjë trajton edhe karakterin e çuditshëm të Djaloshit të Pashëm të novelës “Ata të dy e të tjerë” të Koço Kostës dhe të tjera zeje që mbartin Mitin e Narcistit.

Zisi zbulon edhe në ciklin poetik të Agron Tufës nën titullin “Kënga e Narcisit” këtë lloj miti. Shtatë prozat poetike të botuara nën titullin “Pasqyrat e Narcizit” të Koliqit, tregimi “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna” të Ismail Kadaresë, pastaj karakteri i çuditshëm të Djaloshit të Pashëm të novelës “Ata të dy e të tjerë” të Koço Kostës dhe cikli poetik i Agron Tufës nën titullin “Kënga e Narcisit” i kanë mjaftuar studiuesit Roland Zisi, dekanit i Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “E. Çabej” të Gjirokastrës për të zbuluar prezencën e mitit të Narcizit edhe në letërsinë shqipe.

Miti i Narcisit ka “shëtitur” në krejt kulturat dhe literaturat europiane e më gjerë. Ai ka frymëzuar dhjetëra shkrimtarë, kompozitorë, dramaturgë, koreografë e piktorë, nga e gjithë bota, në realizimin e veprave artistike të pavdekshme.

Në këtë kontekst, libri i prof. Roland Zisit “Miti i Narcisit në letërsinë shqipe” përmes një studimi monografik na sjell jehonën, refleksin dhe ndikimin e mitit të Narcisit në letërsinë shqipe, funksionin estetik të këtij miti në veprat e autorëve shqiptarë si dhe analizimin e diferencave letrare mes autorëve, të cilat janë rezultat i sensibiliteteve dhe qasjeve individuale ndaj tij.

PSE TEKSTI LETRAR BAZOHET TE MITI I NARCISTIT
 
Studiuesi Roland Zisi ka shfrytëzuar si lëndë për studimin e tekstit letra te Kadareja dhe tre autorët e tjerë E.Koliqi, K.Kosta, A.Tufa modele të ndryshme psikanalize dhe psikodinamike implikojnë në këtë rast libido-n (forca e jetës) dhe thanatos (forca e vdekjes). “Të tjerë filozofë dhe studiues implikojnë fenomenet sociale të ndërmjetme, marrëdhëniet ndërpersonale, apo forcat neurobiologjike”, shprehet ai.

Sipas studiuesit këto sisteme të të menduarit ndryshojnë sa nga njëri tek tjetri mendimtar. Zisi studion mitin e Narcistit sepse prej këtej zbërthen edhe filozofinë e shkrimtarëve. Një gjetje interesante kjo, sepse “Narcisi përfaqëson një mit specifik, një monodramë liriko-dramatike, tejet ekstravagante, me mesazhe të forta filozofike, individualiste dhe autoerotike.

Të refuzosh Dashurinë e Të Tjerëve, (çka është normale dhe e drejtë si rregull natyror e human) dhe të preferosh aventurën e Dashurisë për Vetveten dhe të luash deri në fund këtë kapriçio fëmijërore, individualiste deri në asgjësimin e vetvetes, ky është pak a shumë thelbi i këtij miti antik, i transportuar nga një shekull filozofiko - letrar në tjetrin, pa ndryshuar asnjë grimë thelbin e tij”, shprehet Roland Zisi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm