TIRANË - Trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit, Rolando Maran, ka përpiluar dhe publikuar për herë të parë listën me futbollistët e ftuar për dy ndeshjet miqësore të qershorit që do të zhvillohen në Tiranë. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Izraelin më 3 qershor, në orën 20:00, ndërsa më 6 qershor, po në orën 20:00, do të luajnë kundër Luksemburgut.
Tekniku kuqezi ka grumbulluar 27 lojtarë. Ka dy risi në listë. Për herë të parë me Kombëtaren grumbullohen portieri i Partizanit, Pano Qirko dhe mesfushori i Carrareses (në pronësi të Napolit), Luis Hasa. Nga grumbullimi i fundit i marsit (me trajner Sylvinhon), kanë mbetur jashtë emra si: Jasir Asani, Ivan Balliu, Elhan Kastrati dhe Mario Dajsinani.
Janë rikthyer në Kombëtare Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi. Taulant Seferi rikthehet në ekip pas një viti e gjysmë. Sulmuesi i Bodrumspor në Turqi aktivizohej për herë të fundit me kuqezinjtë më 19 nëntor 2024 në humbjen 1-2 kundër Ukrainës për Ligën e Kombeve.
Ndërkohë, mungojnë për arsye dëmtimi Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj.
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, më 1 qershor, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”.
Më poshtë lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.
Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.


Italiani Maran ka lënë jashtë grumbullimit me Kombëtaren emra si Jasir Asani apo Ivan Balliu. Nga grumbullimi i fundit i marsit (me trajner Sylvinhon), kanë mbetur jashtë Jasir Asani, Ivan Balliu, Elhan Kastrati dhe Mario Dajsinani. Dajsinani mund të ketë një lëndim, por emrat e tjerë janë për arsye teknike.
Asani nuk luan prej muajsh me ekipin e tij iranian të Esteghlal, kjo për shkak të luftës në këtë vend. Ai po vijon përgatitjet individuale në Shqipëri dhe është shprehur se ka interes nga Getafe në La Ligan e Spanjës. 31-vjeçari debutoi me Shqipërinë në vitin 2023, pikërisht si afrim i ish-trajnerit Sylvinho.

Trajneri Rolando Maran e ka nisur me dy afrime të reja aventurën e tij në krye të kombëtares shqiptare të futbollit. Trajneri italian ka ftuar për herë të parë në ekipin A mesfushorin në pronësi të Napolit, Luis Hasa dhe portierin e Partizanit, Pano Qirko.
Luis Hasa
I lindur në Itali më 06 janar 2004, 22-vjeçari Hasa është produkt i akademisë së Juventusit. Në verën e vitit 2024 ai kaloi te Lecce dhe pas vetëm disa muajve Napoli pagoi 500 mijë euro për ta afruar në ekip, me kontratë deri në verën e vitit 2029.
Sezonin e fundit Hasa luajti në huazim me Carraresen në Serie B, ku në 31 ndeshje shënoi pesë gola dhe asistoi në katër raste. Luis Hasa ka qenë pjesë e Shqipërisë U-15, por pa u aktivizuar. Më pas ai luajti me moshat e Italisë, ku me U-19 fitoi edhe Kampionatin Evropian. Mesfushori ka luajtur tre ndeshje me Italinë U-21, ndërsa përfundimisht ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë.
Pano Qirko
26-vjeçari vlonjat është një emër i njohur në futbollin shqiptar. Prej tre sezonesh Panajot Qirko mbron portën e Partizanit, ndërsa më herët është aktivizuar edhe me Flamurtarin, Tiranën, Bylisin dhe Teutën. Qirko ka qenë pjesë e moshave U-16, U-18 dhe U-19 të Shqipërisë.
Komente










Me ate brojen i ke te fituara ndeshjet ... kur te qethen viçat. Hiqni dore nga rekomandimet e agjenteve te lojtareve se nuk e keni te gjat ne stol se do humbni
Përgjigju