Roli i gruas në Iliri, ja disa pllaka
prej dylli që tregojnë historinë

Roli i gruas në Iliri, ja disa pllaka<br />prej dylli që tregojnë historinë
Kur arkeologu Fatos Tartari po gërmonte në nekropolin e lashtë të Durrësit në vitin 1979, ai bëri një zbulim befasues. Në bodrimin prej betoni të një varri monumental romak, ishte një urnë e mbushur me një lëng të ngjashëm me verën, me dy stiluse, një krehër të zi dhe pesë pllaka prej dylli, të përdorura për shkrim, në gjendje të mirë.

“Ky është një zbulim monumental, i rrallë, nisur nga fakti që vera nuk ka avulluar për rreth dy mijëvjeçarë,” shpjegon Eduard Shehi, një arkeolog në Institutin Shqiptar të Arkeologjisë në Durrës.

“Fakti që pllakat e dyllit janë ruajtur në gjendje shumë të mirë brenda lëngut është një dukuri kimike e çuditshme që duhet analizuar dhe kuptuar,” shton ai.
Pllakat u ruajtën në Muzen Arkeologjik të Durrësit për më shumë se 40 vite, por vitin e shkuar, për shkak se kishin nevojë urgjente për restaurim, u transferuan në muzeun e Mainz në Gjermani, një qendër arkeologjike me famë botërore.

Në Gjermani, restauratorët mbetën të befasuar nga fakti se poshtë dyllit, pllakat nuk ishin prej druri, siç ishte menduar fillimisht, por nga fildishi, çka shtoi edhe më shumë interesin.

Pasi u kthyen në Shqipëri pas një procesi të kujdesshëm të restaurimit, arkeologët shqiptarë dhe gjermanë punuan me kujdes dhe ngadalë për deshifrimin e shkrimit mbi pllaka, duke zbuluar detaje të reja rreth ish- kolonisë romake të Dyrrahut në shekullin e dytë pas Krishtit.

Qyteti port i Durrësit, i njohur në antikitet si Dyrrahu apo Epidamni, ka qenë vazhdimisht i banuar që prej shekullit të shtatë përpara Krishtit.
“Zbulimi i pllakave prej fildishi me dyllë është unike për Shqipërinë, pasi ka pak të tilla të gjetura në Egjipt dhe asnjë në Europën kontinentale,” thotë ai.

Në antikitet dhe gjatë Mesjetës, ato përdoreshin për të shkruar. Për shkak të krehërit dhe sendeve të tjera të gjetura në varr, besohet se varri është i një gruaje të pasur ose ndoshta një aristokrateje.

Kur u zbulua fillimisht, u mendua se pllakat ishin një kontratë martese apo një akt trashëgimie. Megjithatë, pas shqyrtimit me kujdes, është zbuluar se në fakt janë lista borxhesh, me datat e sakta kur janë dhënë borxh paratë dhe shumat, përfshi interesat.

“Në disa raste bëhet fjalë për shuma të mëdha, mbi 2 mijë denarii,” thotë Shehi. “Sa për krahasim, rroga vjetore e një ushtari romak në atë kohë ishte 200 denarii – monedha argjendi romake,” shton ai.

Sipas Shehit, analizat kanë zbuluar se vetëmk një person i regjistronte borxhet dhe mendohet se ajo është gruaja e varrosur. “Megjithëse pllakat po studiohen akoma, shuma kolosale e borxheve zbulon jo vetëm fuqinë ekonomike të qytetit, por sjell edhe një dimension të ri për rolin social të gruas,” thotë ai.

Ai thekson se në Greqinë e lashtë, gratë mbylleshin në shtëpi dhe konsideroheshin shpesh të rëndësishme vetëm për riprodhim. Por pllakat prej dylli mbështesin dëshmitë e asaj kohe se në Iliri, gratë ishin më të barabarta me burrat se në ndonjë vend tjetër, thekson ai.

“Ka dëshmi të shkrimtarëve të lashtë se në Iliri gratë shkonin me burrat e tyre në banket, pinin me ta dhe ngrinin dolli, diçka e papranueshme në Greqi apo në Romë,” thotë ai. “Kur një grua ka kontroll mbi financat e saj, ajo ka të drejtën të bëjë biznes, të drejtën e pronës dhe trashëgimisë, ajo nuk është skllave,” shton ai.

Nuk dihet se përse kjo grua i mori borxhet e saj në varr. Shehi thotë se kjo mund të lidhet me idenë e vazhdimësisë së jetës pas vdekjes.



Marrë nga BIRN

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri