Romët, Totozani: Institucionet
pranuan dëbimin me dhunë

Romët, Totozani: Institucionet<br />pranuan dëbimin me dhunë
TIRANE- Avokati i Popullit shpreh shqetësimin dhe dënon heshtjen e institucioneve shtetërore ndaj 37 familjeve rome të cilat janë dëbuar nga trualli, ku kishin ngritur kampin e tyre prej më shumë se 10 vitesh, në Rrugën e Kavajës, pranë Pallatit me Shigjeta (Tiranë).
 
“Situata është e rëndë e paprecendetë. Turp që po ndodh në institucionet tonë. Përveç organizatave ndërkombëtare asnjë institucion shtetëror nuk i është përgjigjur thirrjeve të organizatave ndërkombëtare dhe nuk po vepron në trajtimin e kësaj cështjeje.”- tha Igli Totozani, kreu i këtij institucioni në një prononcim për median mesditën e sotme nga selia e Avokatit të Popullit


“Kanë pranuar dëbimin me forcë të qytetarëve romë, dhe po heshtin për t’i ndihmuar dhe për t’i gjetur një strehim të përshtatshëm”- nënvizoi Totozani.

Nga 37 familjet që janë dëbuar nga trualli një pjesë janë larguar nga trualli, i cili është rrethuar me mur, ndërsa ka ende të tjerë që janë brenda, informoi ai.

Duke shtuar se gjatë natës ka vijuar dëbimi i romëve, Totozani bëri apel të ndalet dëbimi dhe qeveria të zbatojë të drejtat e njeriut duke i siguruar një strehim dhe nevojat urgjente të familjeve rome.
 
“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre.Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekese për këto familje si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm në respekt të standarteve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor"- tha Totozani.

Avokati i Popullit nënvizoi gjendjen si "emergjente dhe me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve romë", prandaj tha ai "duhen marrë masa urgjente për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë për strehimin e këtyre qytetarëve".

Totozani tha se qeveria shqiptare duhet të përmbushë kriterin e 11 për marrjen e statusit Kandidat i cili "ka të bëjë pikërisht me detyrimin e saj për të marrë hapa konkretë në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim.“

Ai i rikujton qeverisë Shqiptare detyrimet e saj që rrjedhin nga ligji ndërkombëtarë dhe në mënyrë të vecantë nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturorë, ratifikuar ngë Shqipëria në 1991, objektivat e marra përsipër në kuadër të dekadës Rome 2005-2015 dhe Planin e Veprimit për përfshirjen Rome, si dhe  nenin 14 të Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ratifikuar nga Shqipëria si dhe nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në të cilat sanksionohet parimi i mosdiskriminimit.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator