SHBA - Kandidati republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mitt Romney bën thirrje për ndryshimin e kursit në Lindjen e Mesme ndërsa kritikon politikën e jashtme të ndjekur nga Barack Obama. Teksa mbante një fjalim në Virginia, ai lëshoi akuza ndaj Shtëpisë së Bardhë për sulmin në Libi që la të vdekur ambasadorin amerikan.

Romney tha se do të ishte më i qartë për paralajmërimin e Iranit sa i takon planeve nukleare ashtu sikurse bëri thirrje që të ndihmohen rebelët sirianë me armë. Katër javë përpara zgjedhjeve presidenciale, sondazhet tregojnë se Obama kryeson përballë rivalit edhe në debatin mbi politikën e jashtme. Në vlerësimin e kandidatit republikan, Obama ka bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë më të pafuqishme dhe më të parespektuara në botë.

Ai premtoi para amerikanëve se do të ofrojë një perspektivë tjetër për këto zhvillime duke vënë në dispozicion vizionin e tij për një botë të lirë, me prosperitet dhe paqe. "Sulmet mbi interesat amerikane muajin e kaluar nuk duhen parë si akte të zakonshme", vlerësoi Romney.

Duke ju referuar strategjisë së Obamës për lindjen e mesme ai tha se "shpresa nuk është një strategji". Sipas tij SHBA-të po e humbasin mundësinë për të fituar miq të rinj që ndajnë të njëjtat vlera në Lindjen e Mesme. Romney tha se nuk do të hezitojë të imponojë sanksione të reja për Teheranin duke insistuar se "për interes të paqes, ne duhet të jemi të qartë ndaj Iranit me veprime, jo vetëm me fjalë. Programi i tyre nuklear nuk do të tolerohet".

Duke pohuar se Obama ka dështuar edhe me çështjen e Sirisë, Romney u shpreh se administrata e tij do të kërkojë të identifikojë partnerë nga opozita siriane dhe të garantojë furnizimin e tyre me armët e nevojshme për të mundur tanket, helikopterët dhe avionët e Bashar al-Assad.

(dm/Shqiptarja.com)